Punimet artizanale: Mungesë tregu, humbje tradite apo dalje nga moda? Këto mendoheshin më parë, në kushtet ku artizanët shqiptarë ishin lënë në mëshirë të fatit dhe ku industrializimi i menjëhershëm i shumë produkteve i la në qoshe ato “handmade”.
Tani, po nisin si filiza të reja ide dhe biznese të vogla, të cilat mbështeten në produkte të krijuara 100% me dorë. Si të rinjtë po sjellin risi në një fushë që mbështetet në traditë, krijimi i hapësirave tregtare që mbledhin shumë artizanë…
Nga Deada Hyka
Puna artizanale mbetet vlerë e shtuar e ekonomisë së një vendi, e cila duke u mbështetur në traditë, i jep një tjetër dimension tregtisë së këtyre produkteve, brenda dhe jashtë kufijve. Por, ajo që artizanët shohin si konkurrencë janë produktet e importit dhe mungesa e një tregu të mirëfilltë. Nga ana tjetër, në kryeqytet janë shtuar bizneset handmade, dyqane të vogla ku “artizanët e kohës së teknologjisë” po përpiqen që të përfitojnë nga pushteti i internetit për të marketuar atë çka dinë të bëjnë më mirë. Në Tiranë kanë lindur edhe “foleza” që mbledhin punët e artizanëve të ndryshëm, si përpjekje për të ofruar më shumë, në kushtet e “bashkimi bën fuqinë”. Këto shtëpi të përkohshme të ofrimit të punëve artizanale po shihen me interes edhe nga publiku, i cili ka filluar të kërkojë më shumë se sa veshje popullore, qilima etj.
Për herë të parë këtë vit, Bashkia e Tiranës ka nisur veprime konkrete në nxitjen e artizanatit, duke organizuar një konkurs për krijimin e suvenirëve të qytetit, si dhe përpjekje të tjera për të mbështetur financiarisht prodhimin e marketimin e tyre. Këtë dhjetor, për herë të parë, artizanët kanë mundur të kenë kontrata lehtësuese për t’u bërë pjesë e sheshit kreativ në Pazarin e Ri.
Artizanët në mbijetesë
Artizanët më të njohur të vendit, të cilët mbajnë në jetë traditat shqiptare nëpërmjet krijimeve, janë bashkuar jo pak herë, në shumë panaire në qytete të ndryshme në vend, duke u ofruar publikut një mori produktesh për të zgjedhur. Gjithçka e bukur, por të paktë janë ata që blejnë. Këtë vit ishin në Berat, më pas në Sarandë, së fundmi në Tiranë. Në një bisedë me ta, tregojnë vështirësitë e fushës së artizanatit shqiptar.
Elida Çela nga Kruja, e cila ka mbi 20 vite që merret me punime dore, e ka traditë në familje dhe qysh e vogël i është kushtuar kësaj fushe. Ajo tregon për “Monitor” se autoritetet përgjegjëse duhet të bëjnë më shumë për këtë sektor, duke ngritur tregje të posaçme, pasi vetëm me panaire nuk mund të mjaftohesh për t’i shitur produktet. E pyetur se cilat janë produktet që shet më tepër, ajo tregon se më shumë interes tregohet për veshjet popullore, të cilat kryesisht jepen me qira për evente familjare.
Artizanët prej kohësh po bëjnë thirrje për më shumë mbështetje nga shteti, sidomos në krijimin e tregjeve të veçanta për të ekspozuar dhe për të shitur produktet e tyre.
Ata thonë se panairet e organizuara në kohëra të ndryshme në vend, shërbejnë për të shfaqur vlerat dhe punën e tyre, dhe se bashkëpunime të tilla mes Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, e gjithë Ballkanit, ndihmojnë në shkëmbimin e kulturave dhe përvojave. Por, ky sektor ka mundësi që të ofrojë më tepër produkte, madje edhe t’i tregtojë jashtë, duke qenë konkurrues me produktet industriale, mirëpo i mungojnë financime.
“Futja në treg e prodhimeve tradicionale është domosdoshmëri e momentit, sepse ishte një periudhë që u shkëput pak dhe njerëzit u sulën pas gjërave të importit. Por se do t’iu lutesha institucioneve që të krijojnë tregje artizanale”, – tregon znj. Çela.
Oazi i punëve “handmade”
Shitjet online kanë revolucionarizuar mënyrën se si artizanët bëjnë dhe shesin produktet e tyre. Është bërë shumë më e lehtë për “sipërmarrësit handmade” që të ndërtojnë një biznes të mirë të punëve të tyre të dorës, online.
Megjithatë, si krijues dhe realizues, është e lehtë të harrosh anën e biznesin tënd. Tregtarët që krijojnë produktet e tyre me dorë investojnë shumë në to. Ata hedhin zemrën, shpirtin dhe energjinë e tyre në çdo send që prodhojnë. Kështu tregon Denada Stafa, e cila prej 5 vjetësh merret me realizmin e produkteve “handmade” të cilat i marketon në rrjetet sociale, nga të cilat merr gjithnjë interesin e kërkuar. Ajo tregon për “Monitor” se grupmosha kryesore që kërkohen shumë produkte “handmade” janë fëmijët. “Për to realizohen aksesorë të ndryshëm: nga paramandat me emra, në varëse, aksesorë flokësh dhe rrobash, qëndisje të veçanta në një mori të gjerë tekstilesh. Të gjitha janë shumë të kërkuara. Duket sikur puna e dorës po rikthehet në modë, pëlqehet”, – tregon znj. Stafa.
Disa artizanë nuk mund të shohin mundësi biznesi apo mundësi për të fituar të ardhura nga pasioni i tyre. Ndërsa të tjerë, shohin mundësinë më të mirë për të ndërtuar një markë të vërtetë nga krijimet e tyre, jo vetëm duke shitur produkte herë pas here. Nerajda Dado, e cila ka një biznes të sajin në fushën e punimeve të dorës, tregon se ofron një gamë produktesh që bazohen në “art”. Me këtë, ajo pohon se ka investuar në fushën e studimeve në Arte për pikturë, me aftësinë për të realizuar produkte të veçanta. Në rastin konkret, ajo që pëlqehet më tepër në biznesin e saj të ndërtuar prej 8 vitesh, janë kryesisht medaljonet apo unazat, të cilat kanë piktura të personalizuara sipas porositësit. “Përpiqemi që të ofrojmë gjëra unike dhe të veçanta. Edhe interesi i publikut është rritur në këtë aspekt. Janë mërzitur nga uniformiteti dhe gjërat në masë. Këto produkte kanë kostot e tyre, por përpiqemi që t’i japim vlerat e veta. Kudo në botë puna me dorë është shumë e paguar”-tregon znj. Dado.
Vështirësitë e bizneseve të vogla handmade
– Tejmbushja e tregut me prodhime të cilësisë së dobët
– Mungesa e lëndës së parë dhe pamundësia për ta siguruar atë me larminë e mundshme në kohë të shkurtër.
– Qiratë e palogjikshme në qendrën e Tiranës, artizanët kanë nevojë për hapësirë
– Ndihmë nga shteti për të nxitur këto biznese, për të lehtësuar dhe për të krijuar një treg të mirëfilltë
Bashkia e Tiranës do të mbështesë me një projekt të veçantë gratë që kanë një ide mbi ngritjen e një biznesi të suksesshëm në fushën e artizanatit, apo që duan të zgjerojnë një biznes ekzistues. Tashmë kandidatet e përzgjedhura për të qenë pjesë e këtij projekti kanë nisur fazën e trajnimit me ekspertët për planin e tyre të biznesit. Fondi që Bashkia ofron varion nga 300-500 mijë lekë. Partner në këtë nismë është edhe PNUD që do të ofrojë një fond prej 2.7 milionë lekësh, i orientuar për mbështetjen e grave sipërmarrëse që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Nga ky projekt, do të përfitojnë edhe gratë nga zonat rurale të Tiranës, kryefamiljaret, me aftësi të kufizuara si dhe kategoritë e tjera që kanë nevojë për mbështetje. Në total fondi për projektin llogaritet 7.7 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.