Biznesi i dezinfektimit fillon të “avullojë”

16/10/2020 10:06 PM 0 komente

Në periudhën post-karantinë, shitja për preparate dezinfektuese alkooli për disa fabrika vendase ka rënë nga 20% deri në 60%. Tkurrja erdhi nga mbiprodhimi i kompanive dhe konkurrenca në çmime e tregut informal. Edhe bizneset e dezinfektimit të ambienteve po vuajnë rënien e kërkesës deri në 80%, pasi ky shërbim po kërkohet vetëm nga familjet e prekura me COVID-19. Tregtimi i detergjentëve dhe sapunëve të lëngshëm vazhdon të jetë me rritje krahasuar me 2019.

 

 

Nga Dorina Azo

Shpërthimi i Covid-19 dhe rritja e menjëhershmë e kërkesës për produkte higjienizuese i dhanë hov një biznesi të ri. Prej muajit mars, shumë fabrika të mesme (me 10-30 punonjës) të prodhimit dhe tregtimit të detergjentëve dhe produkteve antibakteriale, paralelisht u diversifikuan në dezinfektues alkoolikë, në formate për përdorim shtëpie dhe personale. Në shumë bare, restorante, farmaci dhe institucione shtetërore u pa përdorimi në masë i alkoolit dezinfektues të prodhuar nga kompani shqiptare.

Por, vetëm pak muaj pas lulëzimit, ky biznes po avullon po aq shpejt sa dhe u rrit. Pas pikut të shitjeve në karantinë dhe në muajin maj, kur u rihap shërbimi i bareve, restoranteve dhe shkollave, disa prej këtyre bizneseve, që shfaqën rezistencë pasi iu përshtatën modeleve të reja të tregtimit, po vuajnë rënien e kërkesës deri në 60%.

Disa fabrika të vogla, për shkak të tkurrjes të shitjeve, janë detyruar të mos prodhojnë më alkool dezinfektues, ndërsa për të tjerë, ecuria do të varet nga tregu. Ata japin si arsye kryesore të rënies të shitjeve shtimin në treg të kompanive që prodhuan këto preparate, si dhe anomalitë e krijuara në çmime nga informalët.

Sipërmarrje të tjera pohojnë se mbiprodhimit po i rezistojnë falë cilësisë dhe çmimit të leverdishëm. Pas izolimit, kujdesi i popullatës ndaj COVID-19 është orientuar më tepër në përdorimin e produkteve me pak kosto, si sapuni për larjen e duarve dhe zbatimin e rregullave për distancim social. Pavarësisht luhatjeve të shitjeve, disa prej përfaqësuesve të kompanive pranojnë se investimi për shkak të pandemisë stabilizoi tendencën e shitjes të këtij produkti, që më parë pothuajse nuk përdorej në treg.

Edhe kompanitë e dezinfektimit të ambienteve me produkte antivirale, që patën bum kërkesash në muajt e karantinës, po vuajnë tkurrjen deri në 80%. Për shkak të kërkesave të larta, në treg u shtuan si “kërpudhat pas shiut”, bizneset që ofrojnë këtë shërbim. Ndërsa sektori privat nuk ka mundësi financiare për dezinfektim të specializuar sistematik.

 

 

 

Si po ndikon mbiprodhimi te kërkesa?

Për kompaninë “Arsel”, në Shijak, shitjet e dezinfektuesve me përmbajtje alkooli kanë rënë ndjeshëm. Arsyeja e reduktimit të shitjeve është shtimi i kompanive që prodhojnë këto produkte. Astrit Çela thotë se e nisi prodhimin e këtij produkti në mars në fabrikën me 10 punonjës, për shkak të kërkesës të lartë.

“Janë bërë shumë prodhues, sidomos ata të tregut informal, të cilët për shkak të mungesës të standardeve dhe kostove kanë ulur çmimet. Informalët po nxjerrin produkte me cilësi të dobët, pa logo firmash, thjesht me një etiketë me emrin e produktit. Kjo situatë solli rënie të shitjeve me 60%, gjë që na detyroi të tërhiqemi nga prodhimi i dezinfektuesve.

Kërkesa u rrit në ditët e para të nisjes të shkollës, por nuk zgjati më shumë. Aktiviteti është i fokusuar tashmë te linja e prodhimit të detergjentëve”. Nëse e pyet se sa është investuar në fabrikë për prodhimin e këtyre produkteve, zoti Çela shpjegon se nuk pati kosto të lartë shtesë.

Të njëjtën tendencë pohon edhe një kompani tjetër në Tiranë me 20 të punësuar. Sipas saj, tkurrja e shitjeve është ndikuar nga anomalitë te çmimet që po krijon tregu i mbingopur nga prodhimet e shumta. “Kërkesa në periudhën e karantinës ishte më e vrullshme. Nuk mund të themi se në këtë periudhë, vigjilenca e popullatës ka rënë. Po tregohet ende kujdes për t’u mbrojtur nga COVID-19. Për dezinfektuesit me alkool, rënia është rreth 20%. Ka dy arsye pse shitjet janë ulur. Së pari, është rritur në treg numri i operatorëve që prodhojnë këto produkte dhe së dyti, shumë prej tyre janë informalë”, shprehen përfaqësues të një kompanie në Kashar.

Të tjerë raportojnë ecuri më pozitive. Hair Shametaj, përfaqësues i kompanisë “Euro Mega 2010”, e cila operon prej 10 vitesh në treg, thotë se shitjet për preparat me përmbajtje alkooli janë të larta. Linja e prodhimit të kompanisë është e fokusuar te produktet e detergjentëve, larësve të pllakave, enëve, zbardhuesve etj. Në periudhën e karantinës, për shkak të rritjes së lartë të kërkesës, u prodhua edhe produkti me përmbajtje 70% alkooli në paketim 1 litër. Arsye të shtimit të kërkesës janë cilësia e lartë për këtë produkt dhe çmimi i leverdishëm. Sipas z. Shametaj, 65-70% të shitjeve në kompaninë “Euro Mega 2010” e zënë dezinfektuesit me përmbajtje alkooli dhe 30%, detergjentët.

“Në muajt e karantinës, kërkesa për produktet e higjienës të familjes, veçanërisht për alkoolin dezinfektues u rrit ndjeshëm. Për këtë arsye ne bëmë investime shtesë, pasi filozofia e kompanisë është t’i qëndrojë besnike konsumatorit dhe të ofrojë një produkt cilësor për një kohë të gjatë në treg, jo vetëm i marketuar si një fushatë disamujore. Për të menaxhuar sa më mirë kërkesën në treg, shtuam numrin e punonjësve dhe oraret e prodhimit në fabrikë.

Kërkesa nuk ka pësuar luajtje krahasuar me muajt mars-maj, për shkak të cilësisë dhe çmimit të leverdishëm, i cili ka mbetur i pandryshuar. Alkooli dezinfektues në paketim 1 litër kushton 400 lekë. COVID-19 është i pranishëm prej 9 muajsh në jetën tonë dhe konsumatori që në fillim përdori produkte me çmim të lirë dhe nuk arriti dot të bënte dallimin e cilësisë, në këtë periudhë kërkon standarde. Individët tashmë nuk janë të orientuar drejt produkteve zëvendësuese me çmim të lirë.”

 

 

Tendenca e re për produktet

Pandemia duket se do të lërë gjurmë për një kohë të gjatë në tregun e produkteve që përdoren për pastrimin e ambienteve të shtëpisë. Konsumatorët, krahas përdorimit të detergjentëve dhe zbardhuesve, do të vazhdojnë të kërkojnë dezinfektuesin.

Dhimitër Roko, administrator i kompanisë “Dimex” në Shkozet, me 20 punonjës, thotë se para shfaqjes së pandemisë, prodhonin alkool dezinfektues për ambiente shtëpie, bare dhe lokale. Me shfaqjen e pandemisë, bazuar te prioriteti i blerjeve të konsumatorit shtuan gamën e formateve, si: mini spray apo në paketim 1 dhe 1,5 litër.

“Duhet theksuar se para shfaqjes të pandemisë, ishin të pakta familjet shqiptare që përdornin alkool dezinfektues në ambientet e shtëpisë. Me shfaqjen e COVID-19, në muajt mars-prill pati bum kërkesash për këto produkte, pasi edhe në dyqane kishte mungesë të tyre. Në këta muaj post-karantinë, shitjet janë në sasi normale, pasi edhe kërkesat e dyqaneve u plotësuan.

Duhet thëne se edhe koncepti i popullatës për t’u mbrojtur nga virusi ka ndryshuar, po respektohen më shumë rregullat për distancim social dhe këshillat për larjen e shpeshtë të duarve me sapun, që është më ekonomik sesa dezinfektimi me alkool, ku çmimi në paketim 1 litër varion 500-600 lekë në tregun e brendshëm. Gjithsesi, tendenca është që shitjet e dezinfektuesve me alkool janë stabilizuar në treg, pra është kthyer në një produkt që do të mbetet të tregtohet në sasi të konsiderueshme”, pohon zoti Roko.

 

Rriten shitjet për larës duarsh dhe detergjente

Ndryshe nga trendi i shitjes së dezinfektuesve, kompanitë shqiptare të prodhimit dhe tregtimit të detergjentëve pohojnë se pandemia ka shtuar kërkesën për këto produkte. Administratori i kompanisë “Euro Mega 2010”, Hair Shametaj, thotë se me shfaqjen e Covod-19 kërkesa është më e lartë për produktet, si sapun duarsh i lëngshëm, larës pllakash dhe zbardhues. “Trendi i shitjeve për detergjentët vazhdon të jetë i lartë. Vëmendja e qytetarëve për produktet e pastrimit dhe ato të kujdesit shëndetësor nuk ka ndryshuar”.

Përfaqësuesi i kompanisë shqiptare të prodhimit të detergjentëve, “Dimex” thotë se linja e detergjentëve nuk shfaq luhatje në shitje krahasuar me vitin e kaluar. “Në muajin mars, shitja e dezinfektuesve ishte shumë e lartë krahasuar me një vit më parë. Pas muajit prill, kërkesa për këto produkte shënoi rënie, gjë që stabilizoi tregun e detergjentëve.” Në anën tjetër, përfaqësuesi i kompanisë “Arsel”, z. Çela, pohon se krahasuar me një vit më parë, shitjet e detergjentëve u rritën 10%.

Edhe importet nga ana tjetër janë rritur, çka tregon se familjet shqiptare kanë konsumuar më tepër detergjentë. Sipas të dhënave të INSTAT, importi për sapunë dhe preparate larëse në muajt janar-gusht u rrit 10% krahasuar me një vit më parë. Gjatë 8 muajve u importuan detergjentë me vlerë 5,3 miliardë lekë, krahasuar me 4,8 miliardë lekë që ishte vlera e tyre në 2019.

 

 

Dezinfektimi i ambienteve, bizneset po nisin ta bëjnë vetë 

Në karantinë, në përmbushje të kritereve higjieno-sanitare shumë kompani, institucione arsimore, shëndetësore, hotele, supermarkete dhe njësi të tjera shërbimi, në zbatim të masave anti COVID-19 kryenin dezinfektim sistematik të ambienteve të tyre.

Ndryshe nga muaji mars, shumë biznese me qëllim reduktimin e kostove të dezinfektimit, po e bëjnë vetë, duke mos pajtuar kompanitë e specializuara për këtë proces. Këto kompani pohojnë se krahasuar me pikun e ofrimit të shërbimit në muajt e karantinës, tani kërkesa ka rënë deri në 80%. Dezinfektimin e specializuar (me avull me preparat antiviral) po e kërkojnë më shumë familjet që kanë të infektuar me COVID-19.

Kompania “Euro Mega 2-10” tregton lëndën e parë që përdoret për dezinfektimin e ambienteve, që është hipoklorit natriumi (NaHCO3). Sipas saj, shitjet janë rritur më shumë për institucionet arsimore, që vazhdojnë të përdorin dezinfektimin e shpeshtë të ambienteve. “Ne prej vitesh tregtojmë lëndën e parë që përdoret për dezinfektimin ambienteve. Në kohën e pandemisë, pati një rritje të lartë të kërkesës. Aktualisht, shitja është e përqendruar nga kompanitë që ofrojnë këtë shërbim për kopshte, çerdhe apo dhe konvikte”.

Fatos Lashi, nga kompania “Egian Med”, e specializuar prej 10 vitesh për shërbimet e saj, thotë se kërkesa për dezinfektim ambientesh është tkurrur 80% krahasuar me muajt e karantinës.

“Në dy javët e para të pandemisë, kërkesa ishte e lartë, deri e papërballueshme, kur na u desh të punojmë me orare të zgjatuara. Nuk është intensiteti i ditëve të para, që dezinfektimi kërkohej një herë në dhjetë ditë. Kërkesa për këtë shërbim është tkurrur nga 70 deri në 80%, nuk po kërkohet as 1 herë në 3 javë. Më tepër kërkesa ka nga familjet që kanë pjesëtarë të infektuar me koronavirus apo për raste vdekjesh. Për shkak të leverdishmërisë ekonomike, shumë biznese po e kryejnë vetë këtë shërbim. Protokolli i mbrojtjes së shëndetit në fillim përcaktonte se ambientet e punës duhet të dezinfektoheshin dy herë në ditë dhe kjo ishte një kosto e lartë për ta”.

Sipas z. Lashi, kërkesa për këtë shërbim nuk është ulur nga kompanitë VIP, të cilat edhe para pandemisë kryenin rregullisht këtë proces. “Para pandemisë nuk ka pasur kërkesë për dezinfektim ambientesh, përveç kompanive të mëdha, me të cilat ne vazhdojmë kontratat. Nga popullata ky shërbim kërkohej më tepër për insektet dhe brejtësit. Pas përfundimit të karantinës, edhe pasi ndodhi hapja e ekonomisë, restorantet dhe hotelet nuk patën rritje të xhiros, çka ndikoi edhe te puna jonë. Në dijeni time, për shkak të kërkesës të lartë, në vend janë hapur 50-60 kompani të reja që ofrojnë këtë shërbim.

Administratori i kompanisë është pesimist për ecurinë e tendencës në muajt në shërbim, pasi interesi dhe ndërgjegjësimi i popullatës është i ulët. “Kur baret dhe restorantet rinisën punën pas hapjes së ekonomisë në muajin maj, kërkesa ishte gati e papërballueshme. Nga 1 tetori, kur hyri në fuqi rregullorja për funksionimin e këtyre shërbimeve në ambientet e brendshme, konstatojmë që ka shumë pak kërkesa. Ne po punojmë me kontratat e mëparshme, nuk ka kontrata të reja.”

Nertil Shehaj, drejtuesi i një kompanie të specializuar për dezinfektim ambientesh në Fier, prej 4 vitesh në treg, thotë se kërkesa për këtë shërbim ka rënë me 70% krahasuar me periudhën e karantinës. Ai jep si arsye të tkurrjes shtimin e kompanive që ofrojnë këtë shërbim, si dhe kompanitë e mëdha që janë orientuar drejt shërbimit. Në këtë periudhë, 30% e kërkesës është nga familjarët. Sipas z. Shehaj, pjesa më e madhe e punës është e fokusuar te dezinfektimi i ambienteve për insekte dhe brejtës.

“Kërkesa për këtë shërbim ka rënë ndjeshëm, pasi në treg është shtuar numri i kompanive që ofrojnë këtë shërbim, disa prej tyre edhe jocilësor. Janë të shumta bizneset që po abuzojnë në treg, ndërsa nga organet kompetente, siç është AKU, nuk ka kontroll. Këto firma fantazmë pajisen me certifikatë për ofrimin e këtij shërbimi, që nuk e kryejnë me cilësi. Kompanitë e mëdha si ato të prodhimit të naftës, fason apo call center po i dezinfektojnë vetë ambientet e punës, për të ulur kostot, pasi janë të detyruara ta kryejnë shpesh procesin.

Nuk po përdorin dezinfektimin nëpërmjet avullit, por me spruco pasi është më i leverdishëm. Në këtë periudhë, po kërkohet më shumë ofrim shërbimi nga familjarët që banojnë në vila private, apartamente dhe sidomos nga ata që kanë persona të prekur nga virusi..” Çmimet e dezinfektimit janë 100 lekë/m² për ambiente apartamentesh (kjo tarifë aplikohet në rast se shërbimi kryhet në një ambient banimi ku ka anëtarë të familjes të infektuar me COVID-19), dhe 70 lekë deri 80 lekë/m² katror për dezinfektime sistematike.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of