Kreditimi i ekonomisë regjistroi shifra në rritje edhe për muajin tetor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e disbursuar nga bankat tregtare kishte vlerën e 22.6 miliardë lekëve, në rritje me 9.5% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Zhvillimet pozitive për tetorin erdhën veçanërisht nga segmenti më i rëndësishëm i kreditimit për nga volumet, ai i bizneseve. Kredia për bizneset shënoi një rritje të lartë me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke hyrë në tremujorin e fundit të vitit, huadhënia e bizneseve ka dhënë shenja të dukshme përmirësimi. Ndërkohë, edhe segmenti i individëve vijon ecurinë pozitive, ndonëse me ritme disi të ngadalësuara krahasuar me pjesën e parë të vitit. Gjatë tetorit, kredia e re për individët u rrit me 11% ndaj të njëjtit muaj të vitit 2020.
Kreditimi i ekonomisë për 10-mujorin e parë të vitit po vijon të qëndrojë në nivele më të larta
krahasuar me vitin 2020. Në dhjetë muaj, bankat kanë disbursuar rreth 197 miliardë lekë kredi, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Vlera e kredisë së re është shumë afër nivelit të vitit 2019, çka dëshmon një rimëkëmbje në vijimësi nga efektet e pandemisë. Në rritjen progresive të vjetore të kredisë, deri tani i gjithë kontributi ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë, këtë vit individët kanë marrë 17 miliardë lekë kredi më shumë. Rritja ka ardhur sidomos nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku huadhënia këtë vit ka arritur nivelet më të larta historike. Nga ana tjetër, përmirësimi i ndjeshëm i rritjes ekonomike krahasuar me vitin e kaluar po përmirëson gradualisht edhe kredidhënien me qëllim financimin e konsumit.
Ndërkohë, në segmentin më të madh atë të biznesit, kredia ende është në nivele më të ulëta
krahasuar me vitin e kaluar, me 5.4% më pak. Megjithatë, shkalla e rënies po zvogëlohet muaj pas muaji dhe hendeku krahasuar me vitin e kaluar është drejt ngushtimit. Bankat po shfaqen të gatshme madje edhe për ekspozime të mëdha dhe muajt e fundit nuk kanë munguar kreditë në vlera relativisht të larta në segmentin e korporatave.
Ecuria pozitive kreditimit të ekonomisë duket më qartë në dinamikën e stokut të kredisë. Në fund të muajit tetor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 652 miliardë lekë, me një rritje prej 15 miliardë lekësh krahasuar me shtatorin. Kjo është rritja më e lartë mujore e stokut të kredisë e regjistruar këtë vit. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 10%, nga 7% që kishte qenë rritja me bazë vjetore e portofolit në fund të muajit shtator. Edhe në tepricën e kredisë rritja më e lartë regjistrohet në segmentin e individëve, ku portofoli i kredisë është zgjeruar me 11%, ndërsa për bizneset rritja është lehtësisht më e ulët, me 10.5% më shumë. Rritja pozitive e portofolit, veç kredidhënies së re, po ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën një amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga rritja e peshës së kredisë afatgjatë në portofolin total të huasë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.