Pandemia e COVID-19 nuk ka arritur të errësojë plotësisht panoramën e biznesit të diellit. Kompanitë që zbatojnë projekte në impiante fotovoltaike pohojnë se interesi ka mbetur i lartë për investime të kësaj natyre në sektorë si agropërpunimi, ndërkohë që edhe familjarët nuk kanë qenë indiferentë. Këtij interesi të lartë nuk i shërben aspak pozitivisht “qëndrimi në vendnumëro” i disa hapave ligjorë. Më shumë se një vit pas miratimit të udhëzimit, që i hapte rrugë hedhjes në rrjet të tepricave nga impiantet fotovoltaike për vetëkonsum, asgjë tjetër nuk ka avancuar. Tepricat kalojnë falas në rrjet, duke zgjatur afatin e kthimit të investimit. Operatorët theksojnë se burokracia në njërën anë dhe hendeku ligjor për metodologjinë dhe çmimin, që duhet të ishin miratuar brenda 2019-s, janë sot problem real që po sjellin stepje në investime.
Nga Nertila Maho
Pandemia e COVID-19, që ngriu çdo investim në zhvillim dhe interesin për projekte të reja, ka ngadalësuar edhe sektorin e fotovoltaikëve, por pa një ndikim dramatik. Kompanitë që zbatojnë në terren investime në impiante për prodhimin e energjisë nga dielli pohojnë se familjarët dhe bizneset kanë ruajtur interes gjatë kësaj periudhe. Kur vjen puna tek zbatimi ama, ritmet janë më të ngadalta, por nuk janë frenuar plotësisht.
“Në fakt interes kemi pasur më shumë këtë kohë pandemie dhe sidomos gjatë izolimit, sepse njerëzit ishin në shtëpi dhe normalisht vënë re ato gjëra që ju mungojnë ose ku mund të investojnë. Si familjarët dhe bizneset interesoheshin për projekte të kësaj natyre, por kur vjen puna tek avancimi dhe nënshkrimi i një kontrate, ka një lloj hezitimi apo kohë më të madhe për t’u menduar, pasi pandemia ka sjellë pasiguri. Në përgjithësi, tregu është në rritje, diçka që nuk e kemi pritur të ishte në këto nivele” tregon Shkëlqim Memushaj, nga Panele Besi.
Bizneset kanë qenë më të vëmendshme për të analizuar mundësitë e investimit në impiante fotovoltaike për vetëkonsum. Industria agropërpunuese, e cila nuk e ka ndaluar për asnjë moment aktivitetin, ka parë të arsyeshme që në kohën e pandemisë të interesohet për këtë opsion prodhimi energjie.
“Ne kemi vazhduar punën e përditshme edhe gjatë kësaj periudhe, duke zhvilluar projekte fotovoltaike për biznese të ndryshme vendase. Një ndër bizneset më me interes në këtë periudhë për të investuar ka qenë ai i fabrikave, kryesisht me fokus ushqimor, si një sektor i cili nuk ka ndaluar aktivitetin normal gjatë kohës së pandemisë.
Aktualisht, nuk kemi diçka konkrete për sa u përket investimeve të mëdha për qëllime tregtimi. Shohim një tendencë në rritje të kërkesave për tregtimin e lirë, për shkak të ndryshimeve të çmimeve, pasi pritet që çmimet e energjisë të rriten në tregun vendas” – thotë Anduel Çekrezi nga kompania “Euroelektra”.
Miratimi i udhëzimit më shumë se një vit më parë, avancojnë veç projektet tregtare
Në qershor 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë firmosi udhëzimin që i hapte rrugë ngërçit të krijuar për ata që kishin instaluar një impiant fotovoltaik për vetëkonsum. Bëhej fjalë për të gjitha ato biznese e familjarë që prodhojnë energjinë për ta konsumuar për nevojat e tyre dhe jo për ta shitur.
Shqetësimi, i cili u ngrit për muaj me radhë në tryeza mes operatorëve të tregut që përfaqësonin interesat e tyre e të klientëve dhe institucioneve shtetërore u finalizua me një dokument dhe me premtimin se gjithçka do të zgjidhej shpejt. Por sot, kur ka kaluar më shumë se një vit nga hyrja në fuqi e udhëzimit, operatorët e tregut janë të pakënaqur me avancimin që është bërë në praktikë nga institucionet.
Kjo lidhet jo vetëm me zbatimin praktik të udhëzimit numër 3, datë 20.6.2019 “Për miratimin e procedurës së lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes së projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli”. Mbeten të pamiratuara metodologjia që do të përcaktojë çmimin me të cilin do t’ju njihen tepricat që hidhen në rrjet nga ky grup konsumatorësh, si dhe pjesa e Kodit të Shpërndarjes.
Sot, këto teprica kalojnë në rrjetin e shpërndarjes falas. Në momentin e parë kur kjo u bë e mundur, u cilësua si një arritje pozitive, megjithatë, për operatorët është mirë që në anën e kuadrit rregullator, por edhe në praktikë, të ketë hapa konkretë për ta nxitur këtë sektor.
Deri më tani, të vetmit që kanë avancuar në pjesën e fotovoltaikëve janë projektet deri në 2MW, për të cilat qeveria nxori një çmim fillestar nxitës prej 100 euro/MWh, që u rishikua me ulje në vitin 2018 për 71.2 euro MWh.
Zvarritja e kuadrit ligjor sjell stepje për investime të reja
“Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, OSHEE-ja të propozojë në ERE dhe në MIE ndryshimet në Kodin e Shpërndarjes dhe në Kodin e Matjes, të cilat mund të ndikohen nga vendosja e PV për vetëkonsum. Deri në miratimin e metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar, teprica e energjisë që tejkalon konsumin mujor do t’i kalojë furnizuesit të shërbimit universal, pa kundërshpërblim për vetëprodhuesit”, thuhet në dy pikat e fundit të udhëzimit, që mban firmën e ministres Belinda Balluku, në datën 20 qershor 2019.
Në një aktivitet të para pak kohëve, ministrja pranoi se aktet që mungojnë për të plotësuar kuadrin janë gati dhe do të miratohen, por nuk dha një afat të saktë se kur pritet të ndodhë kjo. Sipas operatorëve, në hapat e parë pas miratimit të udhëzimit pati një rritje të beftë të interesit, por kjo mbeti vetëm me këtë hallkë. Anduel Çekrezi, nga “EuroElektra sh.p.k”, thotë se ndërkohë që skema sesi do të funksiononte procesi është mjaft e qartë, aktualisht ajo funksionon pjesërisht, për shkak të mungesës së çmimit për tepricën duke sjellë skepticizëm në investime, pasi thelbi është kthimi i investimit në një afat sa më të shkurtër.
“Grupi i punës, i ngritur me të gjithë aktorët, punuan për nxjerrjen e këtij udhëzimi që më pas u miratua nga ministria, duke i hapur rrugën aplikimit për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, i cili deri në atë kohë ishte një ‘iluzion’ në tregun shqiptar dhe kjo sigurisht rriti kërkesën për të investuar në impiante fotovoltaike. Duhet thënë se plotësimi pjesërisht i skemës sjell një lloj skepticizmi për investimet në këtë sektor, për ata që nuk e konsiderojnë për të kursyer, që në fakt është thelbi i vetëprodhimit”, thekson Çekrezi.
Udhëzimi i miratuar një vit më parë sanksiononte procedurat që duhej të ndiqeshin për lidhjen në rrjet të impianteve të instaluara.
Burime zyrtare pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bënë të ditur për “Monitor” se deri në shkurt, ishin dorëzuar 40 aplikime nga ana e operatorëve që kanë instaluar impiante deri në 500 kwp, të cilët duhet të lidheshin në rrjet, në funksion të hedhjes së tepricave.
Të njëjtat burime sqaruan se aktualisht, çdo person i interesuar për t’u lidhur në rrjet mund të marrë informacion pranë Departamentit të Ofrimit të Rrjetit në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. “Në këtë departament jepen të gjithë informacionet dhe shumica janë njohur me procedurat, por nuk besojmë se janë sqaruar lidhur me detyrimet apo rregullat. Aktualisht, informacioni jepet pranë zyrave qendrore të OSSH-së, por gradualisht do t’u delegohet Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit dhe Sistemit online nga web”, pohojnë të njëjtat burime.
Sipas udhëzimit, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar, mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 kWp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli. Theksohet se fuqia e instaluar e impiantit PV për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, për çdo pikë lidhjeje ose/apo konsumator, do të llogaritet mbi bazën e orëve të punës në pik të prodhimit të energjisë elektrike nga ky impiant, por në asnjë rast nuk duhet të kalojë fuqinë e kërkuar.
Sa u takon procedurave të aplikimit, në momentin e vënies në punë të sistemit PV, vetëprodhuesi duhet të njoftojë me shkrim OSHEE-në, duke i vënë në dispozicion kopje të miratimit të aplikimit dhe procesverbalin e kolaudimit dhe instalimit të sistemit të matjes për të dy matësit inteligjentë, kopjen origjinale të akt–kolaudimit të sistemit, firmosur nga projektues të licencuar për impiante të prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme nga dielli, manualet dhe skedat teknike të produkteve të sistemit PV siç janë panelet, inverterat, kabllot etj., si dhe të dhënat e aksesimit online në platformën e monitorimit të sistemit.
Zgjatet koha e kthimit të investimit, burokracia rrit kostot
Kompanitë që sot zbatojnë projektet e impianteve fotovoltaike shprehen të shqetësuar për ngërçin e ri të krijuar, i cili po pengon potencialin real të këtij tregu. Teksa interesi mbetet i lartë, projektet qëndrojnë pezull pasi shumica e atyre që duan të investojnë mendojnë se është e drejtë të kenë një kthim investimi në një kohë optimale dhe jo të enden mes zvarritjesh. Shkëlqim Memushaj, administrator pranë “Panele Besi”, thotë se burokracia dhe disa elemente të tjera që kërkohen, rrisin kostot dhe krijojnë stepje.
“Nuk shoh gabim te fakti që kërkohet të respektohet standardi. Problemi i vetëm është te zvarritja që nuk e di nëse vjen si mungesë kapaciteti. Kjo normalisht është diçka e re për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe, edhe ata vetë nuk janë shumë të ambientuar me procedurat. Besoj se do të rregullohet vonesa që shkaktohet. Ne sot dokumentacionin e paraqesim pa problem, por vonesa e përgjigjes nga ana e operatorit është ajo që merr më shumë kohë. Pra nuk respektohen afatet” – tregon Memushaj.
Tek familjarët, kostot shtohen me rreth 400 euro nga sahati, aplikimi dhe burokracia që e rrit rrjedhimisht edhe kohën e kthimit të investimit dhe zbeh interesin për ta zbatuar projektin. Stavri Thano, menaxher i Përgjithshëm “UNI-COM sh.a.”, nënvizon se problemi i krijuar sot është stepja për investim. “Një familje, nëse do ta instalonte për nevoja vetjake këtë gjë (në çatinë e një vile, tarracën e një pallati, oborrin e një shtëpie etj.) nuk mund të kuantifikojë sasinë e energjisë së prodhuar nga panelet dhe as të mirëpërdorë prodhimin e tyre.
Kjo për arsye se prodhimi sigurohet kryesisht gjatë orarit 08.00-16.00, kohë gjatë së cilës në shtëpi nuk ka njeri dhe energjia nga panelet nuk mund të shfrytëzohet, por shkon në rrjet kundrejt një pagese 0 lekë”, shprehet Thano, duke ilustruar të njëjtën gjë edhe me biznesin.
Kalimi i energjisë falas në rrjet nuk sjell ndonjë leverdishmëri për këto kategori, e për rrjedhojë, ka edhe një ngadalësim të zbatimit të projekteve.
“Burokracitë e zgjatura krijojnë kosto, familjarët hezitojnë të investojnë”
Nga dorëzimi i aplikimit, përfaqësuesi që kërkon të lidhë impiantin fotovoltaik në rrjetin e shpërndarjes duhet të presë 30 ditë pune për të marrë një përgjigje zyrtare. Por në disa raste, mund të shkojë edhe deri në tre muaj.
Shkëlqim Memushaj, administrator i “Panele Besi”, nënvizon se burokracitë dhe zgjatja pa fund e afateve rrezikojnë të largojnë klientët, ndërkohë që kërkesat e parashtruara për impiante të thjeshta deri në 2 kwp me licenca projektimi e zbatimi rrisin koston e projekteve deri në 20%. Ai vlerëson se interesi mbetet i lartë, por duhet të shihen mundësitë për të lehtësuar edhe më shumë procedurat për këtë sektor.
Si ka ndikuar pandemia tek investimet? Flasim këtu për familjarët, por edhe për bizneset.
Në fakt, interes kemi pasur më shumë këtë kohë pandemie dhe sidomos gjatë izolimit, sepse njerëzit qëndronin në shtëpi, online dhe me të drejtë, vënë re ato gjëra që ju mungojnë. Pra si familjarët dhe bizneset interesoheshin për këtë lloj investimi, por kur vjen puna tek avancimi dhe nënshkrimi i një kontrate ka një lloj hezitimi apo zgjatje të kohës për t’u menduar, pasi pandemia ka sjellë pasiguri.
Individët mendojnë se ato para që mund të kenë, është më mirë t’i mbajnë për ndonjë emergjencë, duke qenë se nuk po kuptohet se çfarë do të ndodhë, sesa të bëjnë një investim të beftë edhe pse me përfitim për ta. Në përgjithësi, tregu është në rritje, diçka që ne nuk e kemi pritur të ishte në këto nivele.
Deri më tani nuk ka asnjë çmim të miratuar për tepricat që hidhen në rrjet nga bizneset. A keni dijeni për avancimin e këtij procesi nga institucionet?
Deri më tani nuk ka asnjë çmim të miratuar për tepricat që hidhen në rrjet nga familjarët dhe bizneset që kanë instaluar impiante dhe kjo, deri diku, ka shërbyer edhe si frenim për disa investime. Ata që duan të investojnë bëjnë një bilanc humbje-përfitim dhe mendojnë se tepricat janë një mënyrë tjetër që ju kthen investimin në mënyrë më të shpejtë. Në qershor, korrik, gusht kryesisht kur ka më shumë teprica, ato hidhen në rrjet pa marrë asnjë përfitim. Jo të pakta janë rastet kur na thonë që t’i lajmërojmë kur të miratohet çmimi dhe të vazhdojnë me investimin.
Po sa u takon procedurave për lidhjen në rrjet të një impianti dhe aplikimin që duhet të bëhet pranë OSHEE-së, si paraqitet situata?
Nuk shoh gabim te fakti që kërkohet të respektohet standardi, shoh vetëm problem te zvarritja që nuk e di nëse vjen si mungesë kapaciteti. Kjo normalisht është diçka e re për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe normalisht edhe ata vetë nuk janë shumë të ambientuar me procedurat. Besoj se do të rregullohet vonesa që shkaktohet. Ne sot dokumentacionin e paraqesim pa problem, por vonesa e përgjigjes nga operatori është ajo që merr më shumë kohë. Pra nuk respektohen afatet.
Cilët kanë më shumë interes për një impiant fotovolatik, familjarët apo bizneset?
Bizneset normalisht kanë më shumë interes. Te familjarët është rritur pak kosto e aplikimit me rreth 20%. Një familje do 3-4 kwh të instaluar dhe këtu duhet të shtosh koston e sahatit 300 euro, të aplikimit 100 euro, të burokracisë që rrit koston për kilovat të instaluar, por edhe zgjat kthimin e investimit pasi nuk është më 4-5 vjet por 7-8 vjet. Dhe kur kthimi kalon në 8 vjet, familjarët e shohin me rezerva. Bizneset, nga ana e tjetër, nuk investojnë më pak se 30 kwp, zakonisht kanë interes për më shumë, duke shkuar deri në 500 kwp dhe kjo e ul koston e investimit për kilovat, por dhe rikthimi është në një kohë më të shkurtër.
Cilët janë sektorët me më shumë interes për të instaluar një impiant, e kemi fjalën, nga fasoneria te turizmi?
Fasoneria ka pasur shumë interes por tani me situatën e pandemisë ka pezulluar gjithçka. Edhe kontratat që kishim në proces janë lënë pezull për një moment tjetër. Sa i takon turizmit, vlen të theksojmë se nëse bëhet fjalë për një strukturë që ka turizëm gjithëvjetor, ka interes.
Por një strukturë që punon vetëm tre muajt e verës, nuk ka interes pasi 9 muajt e tjerë nuk ka ku i çon tepricat. Ose më saktë i bie ta japë falas atë energji tek OSHEE dhe kështu kthimi i investimit shkon shumë gjatë e s’ka leverdi. Nëse do të ketë një çmim për shitjen e tepricave, atëherë po, mund të ketë interes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.