Shtohet interesi për të shfrytëzuar energjinë e lirë të diellit. Sipas INSTAT, importet e paneleve diellore në 2014-n janë rritur 130% në raport me një vit më parë
Nga Deada Hyka
Energjia elektrike tashmëështë kthyer në një “makth” për shqiptarët, pjesa më e madhe e të cilëve priren t’i shmangen përdorimit të zgjeruar tësaj, për të gjetur zgjedhje më pak të kushtueshme.
Përpos shtëpive private që kanë parë si zgjidhje edhe sobat me dru dhe instalimin e ngrohjeve të brendshme, panelet diellore janë risia që kanë parë, të cilët që prej fillimit të viteve 2000,duket se tani janë gjallëruar përdorimet e tyre.
Specialistët e fushës pohojnë se,për herë të parë erdhën në Shqipëri para më tepër se 10 vjetësh, implementimi i të cilëve ishte ende risi për shumicën nga ne.
Vitet 2005 dhe 2006 panë zhvillim të tyre dhe tashmë, në vitet që po jetojmë, numri i shqiptarëve që i ka integruar në banesat e tyre është relativisht më i lartë.
Vetëm në vitin 2014, importi i paneleve diellore, sipas INSTAT, arriti në 379 milionë lekë, me një rritje prej 129% në raport me një vit më parë. Ndonëse përdorimi i tyre mbetet i ulët në raport me potencialin, duke pasur parasysh numrin e lartë të ditëve me diell, interesi është në rritje. Shteti kryesor nga importohen këto pajisje është Greqia.
Implementimi i paneleve diellore ka një kosto relativisht të lartë fillestare, pra instalimi, por të ulët mirëmbajtje dhe duke u konsideruar nga specialistët e fushës si një ndër produktet më jetëgjatë, bën të mundur rikthimin e investimit që dikush bën për to.
Madje, një instalim permanent, përveçse ul pagesat mujore për familjarët, gjithashtu rrit vlerën e shtëpisë, e në rast shitjeje, blerësit e rinj do jenë të aftë të kursejnë energji.
Ajo që Kridis Çelo, nga kompania “Teoren” thekson,është që shqiptarët duhet të zhvillojnë mundësitë për alternativa të tilla energjie, sepse në kushtet që po jetojmë,është shndërruar në një domosdoshmëri, pra “ të arratisurit” nga përdorimi i energjisë elektrike. “Fatkeqësisht, shqiptarëve u mungon kultura e të krijuarit të një sistemi të mirëfilltë ngrohjeje, por vitet e fundit duket se kanë nisur ta konsiderojnë si të rëndësishme. Përdorimi i paneleve diellore, në një vend si i yni, ku rendimenti është tepër i lartë dhe kushtet klimatike tepër të favorshme, duket si njëzgjidhje e shkëlqyer. Edhe për ngrohje të brendshme, edhe për përdorim të ujit sanitar”, përfundon z. Çelo.
Ndërsa menaxheri i një tjetër kompanie, “Sinani”, Besnik Luku, pohon se përdorimi i paneleve diellore është një alternativë, jo vetëm shumë e mirë, por një investim për shqiptarët, të cilët përkundrejt një kostoje relativisht të lartë instalimi, brenda shumë pak viteve, i përfitojnë fitimet e këtij investimi.
Kostot e paneleve diellore
-Kosto e instalimit: 1000 euro për një shtëpi private
-Kosto mirëmbajtje: 1-2 herë në vit: 30 euro mesatarisht
-Implementimi i një sistemi ngrohjeje prej paneleve, kaldajave dhe sistemit dysheme, për një shtëpi mesatarisht 100 m² shkon 6-7 mijë euro.
Projekti: Si do nxitet energjia eficiente
Projektligji i ri, i hartuar me ndihmën e ekspertëve të huaj, i bërë i njohur në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, parashikonte që hotelet, restorantet dhe ndërtesat e shërbimeve të tjera do të kenë si detyrim që të nisin instalimin në vitin 2014, shtëpitë private individuale në vitin 2015 dhe në vitin 2016, nis detyrimi për ndërtesat shumëkatëshe me apartamente banimi. Por, ende nuk ka nisur zbatimi i tij, pasi afatet janë shtyrë, për shkak të vonesave në hartimin e kornizës ligjore. Ajo çfarë u vu në dyshim vitin e shkuar ishte mundësia e shqiptarëve për ta instaluar “me detyrim” sistemin e paneleve diellore, ndonëse sipas ekspertëve të huaj u theksua se Shqipëria përbën një rast të veçantë, sepse rreth 10-13% të totalit të burimeve primare të energjisë, përfshi edhe importin, sigurohet nga biomasa, veçanërisht nga drutë e zjarrit.
Mundësitë e përfitimit
-Kursimi i energjisë elektrike
-Kosto relativisht të larta instalimi, por të ulëta mirëmbajtje
-Produkt jetëgjatë
-Përfitimi i ngrohjes së brendshme
-Përfitim i ngrohjes së ujit sanitar
Ekonomia dhe mjedisi
Energjia diellore fillon nga dielli. Vendi ynë ka një pozicion strategjik gjeografik, i cili lejon që për më tepër se sa 9 muaj të vitit, ndriçimi i diellit është i lartë. Panelet diellore, jo vetëm për ngrohjen e brendshme gjatë stinëve të ftohta, por edhe për përdorimin e ujit sanitar, janë një zgjedhje e duhur, në kushtet kur energjia elektrike ka kosto më të lartë dhe ende nuk kemi një sistem gazi të mirëfilltë.
Në kushtet kur energjia diellore është “falas”, kushtet për implementimin e paneleve janë shndërruar në të dobishme dhe një investim i mirë për shtëpitë tona.
Përdorimi i paneleve diellore konsiderohet në të gjithë botën si energjia e gjelbër, një hap i domosdoshëm në mbrojtjen e mjedisit dhe mirëfunksionimit të jetesës në planet.
Politikat shtetërore për energjinë
Gjergj Simaku, kreu i Drejtorisë së Energjive të Rinovueshme dhe Eficencës Energjetike pranë MEI, pohon se si rezultat i zhvillimit teknologjik, energjia e rinovueshme po kthehet nga viti në vit në “trendin” e gjenerimit të energjisë elektrike dhe asaj termike. Z Simaku thekson se sot,vendi ynëka një politikë energjetike në energjinë e rinovueshme, e cila nuk fokusohet vetëm në energjinë hidrike por, trajton dhe orienton investitorët në të gjitha mundësitë që ofron Shqipëria. Kështu është evident fakti, pohon z. Simaku, se shumë leje po jepen për energjinë fotovoltaike diellore, që në kuptimin e diversivitetit ofron shanse më të mira për sistemin energjetik se sa energjia hidrike. “Thjesht në ‘ditët me shi’ nuk del ‘dielli’, pra kur ka ujë, HEC-et e kaskadës thuajse e mbulojnë kërkesën për energji, dhe thatësira mund të mbulohet me energji diellore nga celulat fotovoltaike. Kjo është një histori e thjeshtë, por që po përqafohet nga nuhatja e biznesit”, – përfundon Gjergj Simaku.
Intervistë me z. Gjergj Simaku, Kreu i Drejtorisë së Burimeve Energjetike të Rinovueshme dhe Eficencës Energjetike, Ministria e Energjisë dhe Industrisë
“Shqipëria ofron mundësi për investitorët në diversitete burimi energjie”
Çfarë nënkupton përdorimi i një energjie të rinovueshme për të ardhmen e një vendi?
Energjia e rinovueshme, sipas përcaktimeve ligjore të deritanishme, do të thotë shumë për një vend, por sidomos për Shqipërinë. Them shumë, pasi Shqipëria është vendi i dytë në Europë që, prodhimin e energjisë elektrike e ka bazuar përgjithësisht ne energjinë e rinovueshme hidrike. Shpesh, burime të tjera të energjisë së rinovueshme, si dielli, era, gjeotermia, aerotermia, biokarburet, tidale etj., në fjalorin tonë, jemi mësuar t’i trajtojmë si energji “alternative”, por sot, me zhvillimin e burimeve energjetike të rinovueshme, të gjitha këto teknologji po gjejnë zbatim. Dua të them se nuk kemi të bëjmë thjesht me “zbulimin e potencialeve” të energjive të rinovueshme, por më e rëndësishme është fakti se, si rezultat i zhvillimit teknologjik, energjia e rinovueshme po kthehet nga viti në vit në “trendin” e gjenerimit të energjisë elektrike dhe asaj termike.
Pas vitit 2006, Europa mori iniciativën 20/20/20 dhe shumë shpejt vendet anëtare nëpërmjet skemave mbështetëse, vendosën të arrijnë objektiva të tilla, të cilat kaluan pragun e 20% të konsumit nga burime të rinovueshme dhe, lidhur me Shqipërinë, ky lloj objektivi është në rrugë të mbarë. Thënë ndryshe, po zvogëlohet interesi dhe sasia e energjisë elektrike që prodhohet nga burime të limitueshme ose nga burime “klasike” nafta, gazi e qymyri me prejardhje fosile.
Po t’i kthehemi së ardhmes së Shqipërisë në raport me konsumin e burimeve të rinovueshme mund të themi se, në qoftë se sot jemi konsumatorë të këtyre burimeve në masën 34%, në vitin 2020 ne do të jemi mbi 38%. Pra do të jemi vend me konsum relativisht të lartë të burimeve të rinovueshme, krahasuar me rajonin dhe shumë vende të Europës.
A ka mjedisin e duhur Shqipëria për ta implementuar atë?
Shqipëria ka mjedisin e duhur për të zhvilluar BER. Zbatimi i shumicës së teknologjive që ofrohen sot për të implementuar këto energji mbetet në pikëpyetje. Pse? Sepse, së pari, jo të gjitha potencialet e burimeve të rinovueshme janë eksploruar dhe, së dyti jo të gjitha teknologjitë që ofrohen nga vende të BE-së janë eksploruar për të shfrytëzuar burimet e rinovueshme që ofron Shqipëria.
Dua të them se vitet e fundit kemi pasur “modën” e shfrytëzimit të burimeve ujore. Qeveria, deri në vitin 2013, dha të paktën 450 leje koncesionare ose në total 2700 MW, dhe sot që flasim, kemi vetëm 145 MW të realizuara të cilat kontribuojnë me të paktën 10-13% në prodhimin vendas me energji të rinovueshme. Shkurt, jemi fokusuar në hidrocentralet e vogla dhe nuk kemi parë më larg se ka edhe alternativa të tjera në shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme.
Duhet thënë se ndikimi në mjedis i HEC-eve të vogla ka qenë i konsiderueshëm. Sigurisht që ky ndikim mund të “dukej”, ose të dilte në dritë më “qartë” në qoftë se do të kishte filluar ndërtimi i këtyre veprave “me leje koncesionare”. Imagjinata mund të na çojë larg, në qoftë se mendojmë se si do t’i kishte përballuar ky vend 2700 MW? Pra, megjithëse nuk ka asnjë arsye ligjore për t’i ndaluar nga ana e MEI-t, një vlerësim paraprak duhet bërë dhe një skenar mbi ndikimin në mjedis duhet të ndërmerret nga organizatat mjedisore.
Në kuptimin e mundësive për të investuar në energjinë e rinovueshme, qoftë legjislacioni dhe qoftë promovimi i tyre, ka qenë prioritet për qeverinë shqiptare. Në këtë kontekst, duhet thënë se tashmë, kuadri ligjor dhe praktika e deritanishme e qeverisë pas 23 qershorit ka qenë dhe është orientimi i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha mundësive për investime në energjinë e rinovueshme. Duhet thënë se sot ka një politikë energjetike në energjinë e rinovueshme, e cila nuk fokusohet vetëm në energjinë hidrike por, trajton dhe orienton investitorët në të gjitha mundësitë që ofron Shqipëria. Kështu është evident fakti se shumë leje po jepen për energjinë fotovoltaike diellore, që në kuptimin e diversivitetit ofron shanse më të mira për sistemin energjetik se sa energjia hidrike. Thjesht në “ditët me shi” nuk del “dielli”, pra kur ka ujë, HEC-et e kaskadës thuajse e mbulojnë kërkesën për energji, dhe thatësira mund të mbulohet me energji diellore nga celulat fotovoltaike. Kjo është një histori e thjeshtë, por që po përqafohet nga nuhatja e biznesit.
Në terma praktikë, përfitimet e individëve nga kjo lloj energjie?
Secili mund të përfitojë nga mikroinvestimi në energjinë e rinovueshme. Legjislacioni nuk pengon askënd dhe ne po përpunojmë skemën që të lehtësojmë barrën e investimeve të kujtdo në këto investime. Mund të them se aksesi në rrjet i burimeve të rinovueshme, është një prioritet i ligjit të ri për energjinë elektrike. Do të ketë rregulla dhe lehtësira për individë që kontribuojnë në vetëprodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Së shpejti, rregullat teknike dhe planet kombëtare do t’i japin mundësinë kujtdo që të kontribuojë dhe të përdorë prodhimin vetjak duke e hedhur atë në rrjet dhe në fund të ditës të bëjë një bilanc për t’u faturuar për diferencën e energjisë së konsumuar. Pra, për ata që e njohin këtë fushë, investimi do të hapë mundësinë për të zhvilluar kreditë bankare për energji të gjelbër dhe për të përfituar nga fonde në këtë drejtim.
Ju si specialist, çfarë mendimi keni për përdorimin tashmë më të zgjeruar, të paneleve diellore në shtëpitë e shumë shqiptarëve?
Sikurse e thashë, panelet diellore nuk do të kenë vetëm përdorimin për ujin e ngrohtë sanitar, por edhe prodhimin e energjisë elektrike, të cilën mund ta këmbejnë me operatorin e shpërndarjes. Baza ligjore tashmë ka marrë rrugën për t’u përfunduar dhe priten që, me përmirësimin e pagesave, njerëzit, individët dhe sidomos bizneset të mendojnë se kjo skemë është përfitim i dyanshëm, pra edhe konsumatorit edhe shpërndarësit. Sot që flasim baza ligjore nuk ofronte një situatë si kjo, përkundrazi, krijonte privilegje në kompani dhe biznese të veçanta.
Çfarë masash mund të marrë qeveria për ta sjellë më të prekshme këtë lloj energjie të ripërtëritshme?
Ka mjaft rregulla dhe proceduara që duhet të hidhen në letër, me qëllim që energjia e rinovueshme të aksesohet nga kushdo që mendon për sigurinë e furnizimit dhe prosperitetin mjedisor miqësor. Po punohet fort për të ndërtuar plane kombëtare, të cilat vendosin një raport të drejtë mes promovimit dhe krijimit të kushteve të favorshme të biznesit, sado i vogël qoftë.
Intervistë me menaxherin e “Teoren”, Kridis Çelo
“Vendi ynë ka rendiment të lartë për përdorimin e paneleve diellore”
Te shqiptarët mungon kultura e vendosjes së një sistemi të mirëfilltë ngrohjeje…
Në terma të thjeshta, çfarë janë panelet diellore..?
Paneli diellor është një akumulator energjie diellore, që me anë të rrezeve të diellit, bën të mundur, kalimin e ujit sanitar, nga i ftohtë në të nxehtë, ujë në përdorimin në kuzhinë dhe uji i dushit. Janë pasqyrat e panelit diellor ato që bëjnë të mundur ndryshimin e temperaturave, nga normalja në një ngrohje të vazhdueshme dhe akumulatori i tyre që shërben si depozitë.
Kur i ka fillesat e saj përdorimi i këtyre paneleve në vendin tonë?
Në Shqipëri kadiçka më tepër se 10 vite që kanë ardhur në përdorim, por në numra shumë të kufizuar, sepse edhe informacioni për to nuk ka qenë shumë i përhapur. Ndërsa tani, për mendimin tim, është në rendimentin maksimal, duke pasur parasysh edhe faktin se pozicioni ynë gjeografik dhe kushtet e fenomeneve klimatike në vendin tonë, e favorizojnë përdorimin e paneleve.Ne si kompani, kemi shtatë vjet që ofrojmë tregtinë dhe shërbimin e instalimit të paneleve diellore. Fillimisht e nisëm me tregtimin e disa modeleve greke, ndërsa tani panelet diellore janë të importuara nga Italia, nga firma të mirënjohura si “Chaffoteaux”, një lider europian.
Gjatë përvojës së këtyre viteve, cilat janë grupet e individëve që preferojnë dhe kanë pasur më tepër interes në instalimin e paneleve diellore në ambientet e tyre?
Interesi ka filluar nga shtresat më të ulëta, deri më të pasura, për arsyen se konsumi i energjisë elektrike reduktohet. Automatikisht shpenzojnë më pak. Kushdo e kupton se kursen para. Thjesht është kostoja e parë e produktit, e cila së bashku me shërbimin, varion mesatarisht te 1000 euro.
Çfarë jetëgjatësie kanë panelet diellore dhe çfarë kostoje mirëmbajtjeje kanë?
Shërbimi periodik nuk ka shumë kosto. Rreth 30-40 euro. Këshillohet dy herë në vit, ose edhe vetëm një herë.Ndërsa si jetëgjatësi varion nga 10 deri në 20 vite, grupohet në produktet jetëgjata, ndaj vitet e fundit është rritur së tepërmi interesi për t’i blerë dhe për t’i instaluar në shtëpitë e tyre.
Të interesuarit nga cilat zona variojnë?
Për shkak të lokacionit tonë, përgjithësisht nga të gjithë zonat e Shqipërisë së Mesme. Por, kjo nuk e heq mundësinë e të interesuarve edhe nga Veriu apo Jugu.
Çfarë hapësire zënë panelet diellore në gamën e produkteve dhe shërbimeve që kompania juaj ofron?
Rreth 5%. Kompania jonë mbulon 4 fusha kryesore, panelet zënë një hallkë të njërës fushë, atë të ngrohjes.
Pse ndodh kjo? Pjesa tjetër e produkteve ka më tepër kërkesë në treg?
Kjo ndodh sepse produktet e tjera janë më të domosdoshme, p.sh. Një familje, e cila blen një shtëpi të re, sigurisht që fillimisht do të kërkojë produkte jetike si bolieri, hidrosanitaret etj. Apo kur ndërton një shtëpi të re, do të vendosësh linjat e ujit, elektrike etj., etj. Paneli diellor është një shërbim ekstra që ti bën. Por, në këtë pikë, ndikon edhe mungesa e kulturës që kanë shqiptarët, për të ofruar një sistem ngrohje në shtëpitë e tyre. Të paktë janë ata që e bëjnë dhe kjo, ka filluar të gjallërohet më tepër vitet e fundit.
Po ngrohja e brendshme e shtëpive? Cilat janë alternativat që mund të zgjedhin shqiptarët?
Për sa i përket ngrohjes së brendshme, jemi përballë një fenomeni interesant që po ndodh tani, panelet diellore shërbejnë edhe për ngrohjen e ujit sanitar, por edhe për ngrohje në tërësi me anë të një akumulatori që vendoset poshtë pasqyrave të panelit. Pra, bëhet shpërndarja në të gjithë impiantin e radiatorëve që ne vendosin nëpër shtëpi për sistemin e ngrohjes. Ka edhe një alternativë tjetër, ajo e ngrohjes nga dyshemeja, e cila është më pak e kushtueshme dhe punon me temperatura më të ulëta, në ndryshim nga kaldajat nëpër shtëpi që kërkojnë më tepër. Ngrohja nga dyshemeja po fillon përdorimin këto vitet e fundit, veçse kostoja fillestare është pak më e lartë sa kaldajat normale, rreth dyfishi i shumës. Me pak vite, i rifiton ato kosto të blerjes. Thjesht duhen të bëhen pak llogari, gjë që realisht mungon te ne, siç e përmenda, kultura e krijimit të sistemit të ngrohjes.
Intervistë me menaxherin e “Sinani”, Besnik Luku
Kur kanë filluar të përdoren panelet diellore për herë të parë?
Nga viti 2005 nisëm të tregtonim panelet diellore dhe instalimin e tyre. Në tregun shqiptar, për herë të parë, duhet të kenë hyrë rreth tre vite më herët.
Sa për qind të biznesit tuaj përbëhet nga tregtimi i këtyre paneleve?
Duke qenë se kemi një gamë shumë të gjerë produktesh, panelet nuk zënë një pjesë të konsiderueshme, përbëjnë diku te 3-4%. Kjo pasi kemi një sërë produktesh të tjera të sistemeve të ngrohjes, si kaldajat me dru, gaz etj.
Çfarë benefitesh sjell implementimi i paneleve diellore?
Është një investim shumë i mirë, ka një kosto fillestare instalimi, shkon mesatarisht të 1000-1100 euro, por që rezultatet i ka të shpejta. P.sh. kursimi i energjisë, brenda shumë pak vitesh shikohen përfitimet. Ka nevojë për mirëmbajtje minimale, tek 30 euro, kosto thuajse e papërfillshme krahasuar me benefitet që sjell në shtëpi. Po të hyjmë në detaje teknike, konsiston veçse në hedhjen e antifrizës gjatë periudhës së dimrit.
Panelet përdoren në shtëpi private. Po në apartamente çfarë zgjidhjeje mund të kemi?
Zgjidhja më e mirë do ishte sistem ngrohje qendrore. Por edhe panelet diellore mund të adaptohen, në katet e sipërme të pallatit. Jemi në dijeni të faktit se në shumë pallate, vetë ndërtuesit e implementojnë diçka të tillë, në katet e fundit të tij.
Po sa i përket ngrohjes së brendshme, çfarë mundësish kanë shqiptarët? Dhe kostot e secilës…
Viteve të fundit, shqiptarët kanë filluar të përdorin masivisht sobat e drurit, por si zgjidhje e një sistemi të mirëfilltë ngrohjeje në të gjithë shtëpinë, janë kaldajat e drurit, gazit dhe me pelet. Me dru, sistemi i ngrohjes qendrore bëhet nëpërmjet oxhaqeve ose sobave të drurit dhe me kaldaja të shpërndara në të gjithë banesën. Kursimi i energjisë elektrike me anë të kësaj pjese, është maksimale. Por, vitet e fundit, edhe çmimi i druve është rritur. Sistemi i kaldajave me gaz është po aq i efektshëm në kursimin e energjisë elektrike, por gazi ka kosto të larta. Ndërkaq, sistemi i ngrohjes me panele diellore buron nga një burim pa kosto: diellin na e ka falur natyra.
Por, viteve të fundit, si strukturë e re, po integrohet sistemi i ngrohjes me anë të bolitorëve, pra në dysheme, e cila ka një kosto më të lartë, rreth 5-6 mijë euro, por shumë më i efektshëm dhe ekonomik, pasi për ngrohjen nevojitet arritja e temperaturave në 30-35 gradë, që për vendin tonë, kushtet klimatike, është shumë e lehtë. Kjo mund të arrihet nëpërmjet një sistemi të integruar diell-gaz, që ul kosto të jashtëzakonshme.Ndërkohë që për sistemet e tjera të kaldajave nevojitet një ngrohje qendrore deri në 60-70 gradë.Për një shtëpi rreth 100 m², sistemi i ngrohjes i integruar, pra me panele, kaldaje dhe dysheme, shkon 6-7 mijë euro.
Sa fitimprurëse rezulton për bizneset sistemet e ngrohjes?
Normalisht, shumë fitimprurëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Rrofsh e gjeta projektin gati