Vizitë në një fermë që prodhon luleshtrydhe “bio” dhe i tregton ato në vend. Drejtuesi Astrit Mero tregon investimin e kryer dhe planet për 5-fishimin e sipërfaqes së mbjellë vitin e ardhshëm.
Synimi i afërt, eksportimi në tregun italian
Nga Laura Çela
Investimi në bujqësi dhe përkushtimi në këtë sektor as që i kishte shkuar ndër mend Astrit Meros vite më parë. Por sot, ai duket se është një nga shembujt tipikë të viteve të fundit, pas krizës, ku sipërmarrës dhe individë të ndryshëm po i kthehen bujqësisë, si një nga sektorët më potencialë në vend për rritje në vitet e ardhshme,
I përfshirë në investime të ndryshme private në jetën që ndante mes Shqipërisë dhe Italisë, rastësia do të sillte të takonte një nga ekspertët më të njohur në botë për kultivimin e luleshtrydhes.
Eksperti italian do të nxiste atë të ndërmerrte investimin e tij të parë në bujqësi, pikërisht në ngritjen e një sere dhe sipërfaqeje që kultivon luleshtrydhe.
Z. Mero hapi fermën e tij të parë në fshatin Hamallaj të qytetit të Durrësit duke mbjellë 2 hektarë me luleshtrydhe dhe duke punësuar disa fermerë të zonës më pak se dy vjet më parë. Ferma shtrihet në një zonë të gjelbër dhe e gjithë rruga nga Tirana deri në të është e asfaltuar, çka lehtëson ndjeshëm edhe transportin e luleshtrydheve drejt tregjeve të kryeqytetit. Vetëm pak kilometra më larg shtrihet edhe deti.
Ka qenë i kujdesshëm në çdo detaj të fermës së tij, që nga farat që ka përdorur, teknologjia dhe makineritë.
Farat janë importuar nga Spanja, që është tregu më i madh i rritjes dhe kultivimit të luleshtrydheve dhe farave të tyre. Ato janë të kontrolluara nga universiteti më i rëndësishëm në botë që analizon dhe zhvillon fara e fidanë, Universiteti i Kalifornisë, duke i dërguar ato më pas kryesisht në Spanjë.
Kjo ka bërë që prodhimi të jetë cilësor dhe të tërhiqet nga supermarkete të mëdha në vend si dhe dyqane apo pastiçeri të ndryshme.
“Prodhimi aktual arrin në 200 kv/ha dhe zakonisht zgjat deri në tre muaj në vit, me përjashtim të këtij sezoni ku për shkak të motit ka kultivimi ka qenë më i madh. Ne aktualisht furnizojmë rrjete supermarketesh në vend, ndërkohë që kemi edhe një kërkesë të madhe nga pastiçeri të mëdha në Tiranë, që e kanë zgjeruar përdorimin e këtij produkti në artikujt e tyre”, thotë z. Mero.
Këtë vit ka pasur shtim të prodhimit sepse zakonisht prodhimi i luleshtrydheve nuk zgjat më shumë se dy-tre muaj, kryesisht gjatë mars-prill-maj. Por për shkak të klimës më të favorshme, luleshtrydhet ende po prodhohen, duke arritur një periudhë kultivimi prej afro 5 muajsh.
Vështirësitë
Por me gjithë kënaqësinë që të fal puna në bujqësi, falë edhe afërsisë me natyrën, ajo ka ende shumë vështirësi.
“Bujqësia është vërtet një sektor i vështirë, dhe këtë e zbuloj çdo ditë e më shumë në përfshirjen time në këtë sektor. Vështirësia nis që nga copëzimi i madh i fermave, çka na e bën shumë të vështirë gjetjen e sipërfaqeve të mëdha për kultivimin e produkteve”, thotë z. Mero.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, rreth 90% e fermave bujqësore në vend nuk janë më të mëdha se 1.2 hektarë, shifër që tregon copëzimin shumë të madh të tokave në këtë sektor.
Edhe prodhimi i luleshtrydheve në vetvete është i vështirë, sepse kërkon njohuri të mirë të farës, terrenit, kushteve klimatike, etj., ndaj është një investim që nuk mund të ndërmerret nga fermerë të thjeshtë.
“Edhe në vendet e tjera të Europës, si Itali, Spanjë, janë njerëz me nivel të lartë shoqëror që kultivojnë luleshtrydhe, kjo sepse edhe investimi që duhet të bëhet është relativisht i madh. Në Itali janë avokatë, bankierë, etj., ata që kultivojnë luleshtrydhe dhe e kanë shndërruar këtë në një biznes të suksesshëm”, thotë drejtuesi i fermës në Hamallaj.
Sot në Shqipëri janë ndërmarrë disa investime në kultivimin e luleshtrydheve në vend, në Fier, Berat, Gjirokastër, Durrës, etj., por sipas ekspertëve, shumë prej tyre çalojnë në cilësinë që ofrojnë për shkak të mungesës së ‘know-how’.
Mungesë kulture
Me gjithë investimet e ndërmarra në këtë fushë, konsumi i luleshtrydheve në Shqipëri mbetet ende i limituar. Shqiptarët kanë një kulturë të cunguar në njohjen, konsumin dhe vlerat e këtij fruti.
Kjo vjen edhe për shkak të historisë. Luleshtrydhet u “prezantuan” tek konsumatorët vendas vetëm pas viteve ‘90 dhe për shumë vite me radhë ato janë konsideruar një frut luksi, për shkak të çmimit shumë të shtrenjtë.
Çmimi i luleshtrydheve në treg pak vite më parë luhatej në 700-800 lekë/kg, një nivel i lartë edhe për familjet me të ardhura të mesme. Por gjatë vitit të fundit, sidomos këtë sezon, është shënuar thuajse një “revolucion” në tregun e luleshtrydheve.
Prodhimi dhe kultivimi i këtij fruti edhe brenda vendit, kryesisht në Durrës, Fier e Berat ka shtuar sasinë e luleshtrydhes vendase në treg çka ka sjellë edhe uljen e shpejtë të çmimeve. Tepër i favorizuar ka qenë prodhimi edhe nga klima e ngrohtë që ka sjellë thuajse një mbiprodhim të këtij fruti.
Sipas të dhënave nga tregtarët vendas të produkteve bujqësore, çmimi i luleshtrydhes në treg sot luhatet në kufijtë e 300-350 lekë/kg, thuajse gjysma e çmimit që kishin pak vite më parë.
Ulja e çmimeve ka rritur si pasojë konsumin e këtij fruti në vend dhe ka shtuar shitjet duke rritur parashikimet për ecuri pozitive për vitet në vazhdim.
Planet
Megjithatë, z. Mero nuk do të ndalet me kaq. Tashmë është në bisedime për të marrë me qira edhe 10 hektarë tokë të tjera për kultivimin e luleshtrydheve, duke e çuar në 12 hektarë sipërfaqen totale të prodhimit.
Investimi do të ndërmerret në bashkëpunim me një financier të lartë vendas, i cili mesa duket po ndjek shembullin e kolegëve të tij në Europë.
“Përmes këtij investimi që do të nisë vitin që vjen, parashikojmë të rrisim ndjeshëm prodhimin dhe të fillojmë eksportin në Itali. Në këtë shtet ka një kërkesë shumë të madhe për luleshtrydhe, sepse edhe kultura e konsumit për të është tepër e lartë dhe vjen në rritje”, thotë Astrit Mero.
Luleshtrydhet, tregu botëror, 3.3 miliardë tonë
Tregu global i luleshtrydheve i ka kaluar 3.3 miliardë tonë prodhim në vit. Ky produkt, që gjithnjë e më shumë po konsumohet i përpunuar, në industrinë e ëmbëlsirave ka një rritje vjetore mesatare prej 4% në vitet e fundit. Struktura e tregut ka pothuajse të njëjtat “ngjyra” të disa viteve më parë. Prodhuesi kryesor është Amerika, ndërsa në eksporte kryeson Spanja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurojnë mbi 30% të totalit të prodhimit global të luleshtrydhes. Sipas të dhënave zyrtare, luleshtrydhet janë fruti i katërt më i rëndësishëm i prodhuar në SHBA, për nga vlera e prodhimit, pas rrushit, portokajve dhe mollës. Prodhimi amerikan i luleshtrydheve është i përqendruar mbi të gjitha në zonat jugore dhe bregdetare të Kalifornisë, për shkak të klimës së përshtatshme. Florida dhe Oregoni janë dy shtetet e tjera më të mëdha prodhuese. I gjithë prodhimi i Floridës është për tregun e freskët. Florida është prodhuesi më i madh në SHBA për stinën e dimrit.
Eksportet e SHBA-së janë të drejtuara kryesisht në Amerikën e Veriut dhe pjesa më e madhe e tyre shkon në Kanada. Meksika është furnizuesi (eksportuesi) kryesor në Amerikë.
Tregtinë ndërkombëtare të këtij produkti e kryeson Spanja. Në pesë vitet e fundit, luleshtrydhet spanjolle kanë mbushur tregjet e huaja. Në vitin 2010, industria spanjolle e “arit të kuq”, siç e quajnë ekspertët, solli 396.7 milionë euro nga shitjet jashtë vendit. Spanja e ka pozicionuar veten si burimi kryesor i këtij prodhimi për pesë kontinente. Që nga viti 2007, ajo është eksportuesi kryesor në botë i luleshtrydheve.
Përmes procesit të kultivimit intensiv, Spanja mbledh disa të lashta në vit, duke mbuluar kërkesën globale. Shitja e luleshtrydhes së prodhuar në Spanjë llogaritet si një burim i mirë të ardhurash jo vetëm për prodhuesit, por edhe për shpërndarësit, supermarkete dhe logjistikë, ku llogariten më shumë se 50 mijë të punësuar.
Në Spanjë, nëntë të dhjetat e prodhimit lënë vendin për t’u tregtuar në supermarketet e disa vendeve të BE-së. Që nga 2007, Gjermania ka marrë më shumë se një të tretën e prodhimit. Pas saj vjen menjëherë Franca.
Fushat jugore spanjolle, veçanërisht në provincën e Huelva, janë aktorët kryesorë në këtë treg. Për më tepër, edhe 50% të luleshtrydheve që Maroku eksporton në Europë janë të prodhuara nga kompanitë spanjolle, të cilat operojnë në mbretërinë e Alawite.
Në botë ka më shumë se një mijë lloje luleshtrydhesh, por ato të cilat kanë etiketën spanjolle janë liderët në eksportet botërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.