Pushimet zyrtare të Kinës kanë mbaruar, por jo problemet e firmave të saj
Është shumë e vështirë t’i mbash fabrikat hapur, në një kohë kur të gjithë punëtorët kanë mbetur në fshatrat e tyre. Banera të kuq dhe kode gjigantë QR, kanë mbuluar portat e hekurta të një kompleksi agjencish rekrutimi në Waigaoqiao, një rajon në verilindje të Shangait. “Skanojini kodet nëpërmjet aplikacionit WeChat dhe filloni punën”, citohet në një baner tjetër, shkruan The Economist.
Nëse ky do të kishte qenë një vit si të gjithë vitet e tjera, në ditën e parë të punës, pas përfundimit të festave zyrtare të Vitit të Ri hënor, ambientet e këtij kompleksi do të gumëzhinin nga njerëzit që ishin rikthyer në punë pas festave. Por, këtë vit, ato ishin krejtësisht të shkreta. Një firmë, “Yongbing Labor”, është rihapur. Por shefi i saj tha se vetëm 3 persona kishin bërë kërkesë për të filluar punë atje, krahasuar me mbi 100 persona që aplikuan në ditën e parë të punës gjatë vitit të kaluar.
Ndoshta mungesa e punëkërkuesve ishte një element pozitiv sepse ai tha se nuk kishte arritur të gjente punë as për ata tre persona që kishin aplikuar për punë. Në fakt, ai nuk kishte marrë asnjë kërkesë nga ndonjë fabrikë tjetër dhe ishte duke menduar që ta mbyllte firmën për pjesën e mbetur të javës. Askush nuk priste që biznesi të rifillonte si zakonisht edhe këtë vit. Kina po lufton me koronavirusin, që u zbulua në dhjetor në qytetin qendror të Wuhanit dhe që është përhapur me shpejtësi jo vetëm në mbarë vendin, por edhe në shtete të tjera të botës.
Shumë qeveri vendore e kishin zgjatur në dhjetë ditë periudhën zyrtare të festave të fundvitit, në një përpjekje për të kontrolluar sa më shumë të mundeshin përhapjen e këtij virusi. Por kur kjo periudhë përfundoi, të gjithë zyrtarët dukeshin më të shqetësuar se kurrë më parë.
Një prej shqetësimeve të tyre më të mëdha sa i takon koronavirusit, ishte dëmi që mund t’i shkaktonte ai ekonomisë së vendit, por edhe gjetja e mënyrave sa më pak të dëmshme për të rikthyer punëtorët në vendet e tyre të punës, pa pasur frikë nga përhapja e shpejtë e patogjenit. Në shumë vende, ata i nxisnin njerëzit që të punonin nga shtëpitë e tyre. Shkarkimet në masë të aplikacioneve për videokonferenca sugjerojnë se një gjë e tillë po zbatohet nga shumë kompani, por nga ana tjetër shumë firma të tjera vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Rrugët e qyteteve krysore të vendit janë të shkreta. Sipas të dhënave zyrtare, shumë pak njerëz janë rikthyer në vendet e tyre të punës. Numri i personave që kanë udhëtuar më 9 shkurt, ditën e fundit të festave (për shumicën) dhe që zakonisht ka qenë një prej datave me numrin më të lartë të udhëtimeve, shënoi këtë vit një rënie me 85 për qind më pak në krahasim me një vit më parë. “Huatai Securities”, një ndërmjetës, vlerëson se, nga personat që punonin në disa prej qyteteve kryesore të Kinës përpara festave të fundvitit, vetëm 15-30% janë kthyer nga udhëtimet e tyre të pushimeve.
Shangai dhe Pekini, ndër të tjera, kanë ndaluar nisjet dhe mbërritjet e udhëtimeve me autobusë në distanca të gjata, një prej mënyrave më të përdorura të trasportit publik nga ana e punëtorëve që vijnë nga fshatara të largët për të punuar në disa prej qyteteve kryesore kineze. Në shumë qytete, përfshirë Shangain dhe Shenzenin, kompanitë kanë nevojë për marrjen e një leje zyrtare për të rifilluar punën. Ndërkohë që shumë pak leje janë dhënë. Përveç firmës “Yongbing Labour”, janë hapur edhe rreth 120 firma të tjera nga 4 000 të Zonës së Tregtisë së Lirë në Waigaoqiao.
Për të marrë lejen për rifillimin e punës, të gjitha këto biznese duhet të jenë të pajisura me maska për fytyrë për të gjithë punonjësit e tyre. Ky është një urdhër që nuk mund të vihet në diskutim, por duke qenë se atë duhet ta zbatojnë të gjitha firmat që dëshirojnë të rifillojnë punën, është vënë re një mungesë e madhe e tyre në treg dhe jo vetëm në atë kombëtar, por edhe në rang mbarëkombëtar, citon “Gavekal Dragonomics”, nga një firmë konsulence.
Disa firma të tjera, përfshirë “Foxconn”, që prodhon iPhone të Apple-it, kanë filluar të prodhojnë maskat e tyre. Disa kompani që kanë marrë lejen për të rifilluar punën po përballen me vështirësi të shumta. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, vetëm një në dhjetë nga punëtorët e “Foxconn” ishte në punë në fabrikat e tij në Zhengzhou dhe Shenzhen ditën e parë pas pushimeve. Kjo sepse një prej procedurave që po ndiqet në Zhengzhou, kryeqytetin e provincës Henan, është se të gjithë ata që vijnë në këtë qytet nga fshatra të largët, duhet të qëndrojnë në karantinë për një periudhë 14-ditore.
Edhe punëtorët që shkojnë për të punuar në Shangai nga fshatra të largët, dhe që kanë udhëtuar nëpërmjet transportit hekurudhor, presin t’i nënshtrohen një procedure të tillë të ngjashme. Disa vende kanë miratuar masa akoma edhe më drakoniane. Wuxi dhe Yangzhou në provincën Jiangsu, e cila kufizohet me Shangain, kanë ndaluar hyrjen e udhëtarëve nga shtatë provinca. Yiwu, një qendër për tregtarët me shumicë në provincën Zhejiang, fqinji tjetër i Shangait, duket se ka ndaluar të gjithë personat që vijnë nga qytete të tjera. Ndërsa Wenzhou ka anuluar çdo udhëtim me tren jashtë qytetit.
Masa të tilla kufizuese kanë alarmuar qeveritë e nivelit më të lartë. Zhejiangu ka akuzuar disa qytete se i kanë përshkallëzuar në mënyrë spontane masat kontrolluese dhe u ka thënë atyre që të ndalen sa më parë të jetë e mundur. Qeveria e kryeqytetit u ka thënë rajoneve të ndryshme që të mos kërkojnë nga kompanitë leje për të miratuar rifillimin e bizneseve të tyre.
Por zyrtarët vendas po vazhdojnë të gabojnë sa u takon masave që duhet të marrin në drejtim të kujdesit, nga frika se mos ndëshkohen për lejimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. Stanjacioni në ndrejtim të prodhimit është një tjetër problem, të cilit i druhen zyrtarët, nga frika se mos kjo do të ndikojë në rritjen e nivelit të papunësisë. Liu Kaiming nga Instituti i Vëzhgimit Bashkëkohor, një OJQ në Shenzhen, thotë se shumë punëtorë me jakë blu mund të humbasin vendet e tyre të punës nëse kufizimet në drejtim të udhëtimeve apo të karantinave nuk do të hiqen sa më parë të jetë e mundur.
Javën e kaluar, Zyra për Punëtorët Migrantë, një agjenci qeveritare, u tha firmave se ato nuk mund të ndërprisnin kontratat me punëtorët e tyre, nëse puna po pezullohej për shkak të “masave emergjente” të ndërmarra në lidhje me koronavirusin. Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, premtoi javën e kaluar se qeveria do të bënte çmos për të parandaluar “pushimet në masë nga puna”.
Qeveritë lokale po bëjnë përpjekje të shumta në drejtim të reduktimit të taksave, duke hequr kështu dorë për shembull nga tarifat e qirave. Por shumica e bizneseve thonë se ato tashmë po vuajnë shumë më tepër sesa gjatë periudhës së vështirë, kur u përhap virusi SARS, i cili goditi vendin në vitin 2003. “Bernstein”, një firmë kërkimore, tregon se shitjet nga Yum China, një gjigant në fushën e restoranteve, pësoi një goditje shumë të madhe. Tani, gati një e treta e restoranteve të tij janë të mbyllura dhe shitjet tek ato që janë ende të hapura kanë rënë me pothuasje gjysmën e tyre.
Ndërkohë që shumë punëtorë kanë vendosur që të mos kthehen në vendet e tyre të punës. Në periferi të Baoding, një zonë afër Pekinit që është një prej burimeve më të mëdha për nga numri i punëtorëve për qytetin, Chen Yixiu, një 26-vjeçare që punonte në një dyqan lulesh në kryeqytet, thotë se ajo ka vendosur të mos rikthehet në punë, nga frika e marrjes së koronavirusit, për më tepër që nëse një gjë e tillë ndodh, ajo dhe punëtorë të tjerë si puna e saj nuk janë të siguruar nga kompanitë ku ato punojnë.
Znj. Chen është sekptike edhe në drejtim të premtimeve të qeverisë se kjo e fundit do të mbulojë të gjithë trajtimin e saj në rast të një infektimi të mundshëm. Të tjerat janë thjesht parashikime të zyrtarëve se një numër i lartë punëtorësh do të rikthehen në vendet e tyre të punës gjatë ditëve në vijim.