Për çfarë shërbejnë kompanitë. Konkurrenca dhe jo korporatizmi, është përgjigjja ndaj problemeve të kapitalizmit
Në Perëndim, kapitalizmi nuk po funksionon ashtu si duhet, shkruan The Economist. Ka shumë vende pune, por rritja është e ngadaltë, pabarazia është e lartë dhe mjedisi po vuan. Shumë shpresojnë se qeveria duhet të veprojë në raste të tilla, duke zbatuar reforma që përmirësojnë situatën, por fatkeqësisht politika në shumë shtete është e paqëndrueshme, ose e bllokuar.
Përballë situatës në fjalë, kush do ta marrë në dorë drejtimin? Një numër i madh njerëzish mendojnë se janë bizneset ato që mund ta zgjidhin situatën dhe të rregullojnë problemet ekonomike dhe sociale. Edhe drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha në botë bien dakord me këtë gjë. Së fundmi, më shumë se 180 prej tyre, duke përfshirë edhe drejtuesit e kompanive Walmart dhe JPMorgan Chase, rrëzuan tri dekada besimi të së kaluarës, duke thënë se qëllimi dhe premtimi i firmave tani nuk është më vetëm për t’u shërbyer pronarëve të tyre, por edhe klientëve, stafit, furnitorëve dhe komuniteteve.
Motivet e CEO-ve janë pjesërisht taktike. Ata shpresojnë të parandalojnë sulmet ndaj biznesit të madh nga ana e Partisë Demokratike. Por ndryshimi është edhe si pasojë e një tronditjeje në qëndrimet ndaj biznesit në të dyja anët e Atlantikut. Stafet e punës të përbëra nga punonjës të rinj në moshë, dëshirojnë të punojnë për firmat, të cilat mbajnë një qëndrim ndaj çështjeve morale dhe çështjeve më të rëndësishme të politikës aktuale. Politikanët e bindjeve të ndryshme duan që firmat të hapin vende pune dhe të financojnë investime të ndryshme në vendet e tyre.
Por, sado që të mirëkuptohet, kjo formë e re e kapitalizmit kolektiv mendohet se do të rezultojë të jetë më e dëmshme në krahasim me ato të së kaluarës. Ajo rrezikon krijimin e një klase të re CEO-sh të papërgjegjshëm. Ky është edhe kërcënimi ndaj prosperitetit afatgjatë, i cili është kushti themelor që kapitalizmi të ketë sukses.
Që kur bizneseve iu dha përgjegjësi e kufizuar në shtete si në Britani dhe në Francë në shekullin XIX, ka pasur argumente se çfarë mund të presë shoqëria në këmbim të këtij vendimi. Në vitet 1950 dhe 1960, Amerika dhe Europa eksperimentuan me kapitalizëm menaxherial, në të cilin firmat gjigante bashkëpunonin me qeverinë dhe sindikatat dhe u ofronin punëtorëve sigurinë në punë dhe fitimet prej saj. Pas stanjacionit të viteve 1970, vlera e aksionerëve filloi të rritej, teksa firmat kërkuan të maksimizojnë pasurinë e pronarëve të tyre dhe, në teori, në këtë mënyrë të maksimizonin edhe efikasitetin.
Vlera e sindikatave ra, ndërsa vlera e aksionerëve pushtoi Amerikën, pastaj Europën dhe Japoninë, ku ajo ende është duke fituar terren. Duke e vlerësuar nga niveli i fitimeve, ajo ka rezultuar të jetë shumë e suksesshme në Amerikë, ku dhe shënoi një rritje nga 5% të PBB-së në 1989 në 8% të PBB-së aktualisht. Por ajo është duke u sulmuar kohët e fundit dhe një pjesë e këtij sulmi ka të bëjë pjesërisht me rënien e etikës së biznesit, duke filluar nga bankierët, të cilët kërkojnë shpërblime dhe kredi në të njëjtën kohë, e deri te shitja e miliarda pilulave me opioid, për të gjithë ata që kanë krijuar varësi ndaj tyre.
Ankesa kryesore është se vlera e aksionerëve po prodhon rezultate të këqija ekonomike. Firmat e listuara publikisht akuzohen për një sërë padrejtësish, që fillojnë nga obsesioni i tyre rreth fitimeve afatshkurtra e deri në shpërfilljen e investimeve, shfrytëzimin e stafit, pagat e ulëta dhe dështimin për të minimizuar efektet anësore që bizneset e tyre krijojnë, si për shembull, ndotjen ndaj mjedisit. Megjithatë, jo të gjithë kritikat e mësipërme janë të sakta. Investimet në Amerikë, për shembull, janë në përputhje me nivelet historike në raport me PBB-në dhe më të larta se ato të viteve 1960. Firmat e së nesërmes, si Amazon dhe Netflix, janë shumë të famshme.
Disa prej kritikave të mësipërme janë gjithashtu të vërteta. Pjesa dhe rëndësia e punonjësve në vlerën e firmave të krijuara ka rënë ndjeshëm. Si pasojë e reagimit të ashpër popullor dhe intelektual ndaj vlerës së aksionerëve ka ndryshuar edhe vendimmarrja e korporatave. CEO-t janë duke përqafuar nisma sociale, të cilat miratohen njëzëri si nga konsumatorët ashtu edhe nga stafi i tyre. Disa prej kompanive më të mëdha po vendosin kapital për arsye të ndryshme nga efikasiteti: Microsoft po investon 500 milionë dollarë amerikanë në ndërtimin e shtëpive të reja në Seattle.
Presidenti Donald Trump krenohet me bosët e firmave të fuqishme, të cilët kanë vendosur të investojnë në ndërtimin e fabrikave të ndryshme. Disa politikanë shpresojnë të shkojnë edhe më tej. Elizabeth Warren, pretendentja demokratike për Shtëpinë e Bardhë, dëshiron që firmat të regjistrohen në pronësi të shtetit, në mënyrë që nëse ato abuzojnë me interesat e klientëve, stafit apo komunitetit ku ato operojnë, të mund t’u hiqen licencat.
E gjithë kjo paraqet një sistem në të cilin biznesi i madh përcakton dhe ndjek qëllime të gjera shoqërore dhe jo vetëm interesin e tij të ngushtë vetjak.
Këtu duket se gjithçka shkon më së miri, por nuk duhet të harrojmë faktin se kapitalizmi kolektiv vuan nga dy pengesa të mëdha: mungesa e përgjegjshmërisë dhe mungesa e dinamizmit. Le të analizojmë fillimisht mungesën e përgjegjshmërisë. Nuk është e qartë se si CEO-t duhet të dinë se çfarë kërkon “shoqëria” nga kompanitë e tyre. Mundësitë më të larta janë që politikanët, grupet e ndryshme të fushatave dhe vetë CEO-t të vendosin, duke përjashtuar kështu njerëzit e thjeshtë dhe duke mos u dhënë atyre mundësinë për të shprehur mendimin. Në 20 vitet e fundit, industria dhe financat janë mbizotëruar nga firmat e mëdha, kështu që një numër i vogël drejtuesish jopërfaqësues të biznesit do të përfundojnë me fuqi të jashtëzakonshme për të vendosur objektivat për shoqërinë, që shkojnë shumë larg interesave primare të kompanisë së tyre.
Problemi i dytë është dinamizmi. Kapitalizmi kolektiv qëndron larg ndryshimit. Në një sistem dinamik firmat duhet të braktisin të paktën disa aksionerë: numri duhet të tkurret në mënyrë që të rialokohet kapitali dhe punëtorët nga industritë e vjetruara tek ato të reja. Nëse, për shembull, themi se si problemet në lidhje me klimën duhet të zgjidhen sa më parë, atëherë firmat e naftës do të jenë të detyruara të përballen me shkurtime të mëdha të vendeve të punës. Kjo situatë ka ndodhur edhe në të kaluarën, ku një prej gjigantëve të prodhimit të makinave, General Motors, nxori jashtë përdorimi një numër të madh makinash si pasojë e problemeve që kishin me sigurinë në rrugë.
Mënyra për ta bërë kapitalizmin të funksionojë më mirë për të gjithë nuk është të kufizojnë në maksimum përgjegjshmërinë dhe dinamizmin, por t’i përmirësojnë që të dyja. Kjo kërkon që objektivat e kompanive të përcaktohen nga pronarët dhe jo nga drejtuesit apo personat që merren me fushatat. Disa mund të jenë të fiksuar rreth objektivave afatshkurtra dhe rezultateve tremujore, por kjo zakonisht ndodh sepse ato janë të drejtuara keq. Të tjerë mund të zgjedhin objektiva që kanë lidhje me bamirësinë.
Pjesa më e madhe e pronarëve dhe firmave do të zgjedhin të rrisin objektivat afatgjatë, pasi kjo është në të mirë të biznesit. Kjo kërkon që firmat të përshtaten edhe me preferencat e shoqërisë, të cilat janë në ndryshim të vazhdueshëm. Nëse konsumatorët duan një produkt të caktuar, ato duhet t’ia ofrojnë atë. Nëse të sapodiplomuarit në universitete shmangin ndërmarrjet joetike, punëdhënësit duhet të tregohen të kujdesshëm në kulturën e kompanive të tyre.
Një mënyrë për t’i bërë firmat më të përgjegjshme do të ishte zgjerimi i pronësisë. Përqindja e familjeve amerikane të ekspozuara ndaj tregut të aksioneve (në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes fondeve) është vetëm 50%. Sistemi tatimor duhet të inkurajojë zgjerimin e pronësisë. Përfituesve të fundit të skemave të pensioneve dhe fondeve të investimeve duhet t’i jepet mundësia që të votojnë në zgjedhjet e ndërmarrjeve; dhe kjo fuqi nuk duhet t’i jepet nga disa baronë në industrinë e administrimit të pasurive.
Përgjegjësia funksionon vetëm nëse ekziston konkurrenca. Kjo ul çmimet, rrit produktivitetin dhe siguron që firmat të mos jenë në gjendje të gjenerojnë fitime jashtëzakonisht të larta për një periudhë afatgjatë. Për më tepër, kjo i nxit kompanitë që të parashikojnë aq sa kanë mundësi preferencat e klientëve (të cilat ndryshojnë vazhdimisht), punonjësve dhe rregullatorëve, nga frika se mos një firmë tjetër konkurrente më të mund ta arrijë një gjë përpara saj.
Fatkeqësisht, që nga vitet 1990, konsolidimi i ka lënë dy të tretat e industrive në Amerikë më të përqendruara. Ekonomia dixhitale, ndërkohë, duket se priret drejt monopolit. Nëse fitimet do të ishin në nivele normale, dhe punëtorët e sektorit privat do të përfitonin, atëherë pagat do të ishin 6% më të larta. Nëse do të shikonim me vëmendje listën prej 180 kompanive që folëm pak më sipër, do të vinim re se një pjesë e madhe e tyre bëjnë pjesë në industri që janë oligopole, përfshirë këtu kartat e kreditit, TV kabllore, shitjen me pakicë të ilaçeve dhe linjat ajrore, të cilat i taksojnë konsumatorët më shumë sesa duhet dhe që mbi të gjitha kanë një reputacion të gabuar mbi shërbimin ndaj klientit.
Sigurisht që një ekonomi e shëndetshme dhe konkurruese kërkon një qeveri efektive, e cila të zbatojë rregullat e antitrustit. Fatkeqësisht një politikë që funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme nuk ekziston sot për sot, por fuqizimi i shefave të bizneseve të mëdha për të vepruar si një nga zëvendësuesit më të përshtatshëm, nuk është përgjigjja e duhur. Bota perëndimore ka nevojë për inovacion, një nivel pronësie më të zgjeruar dhe firma të ndryshme që përshtaten shpejt me nevojat e shoqërisë. Ky është lloji i kapitalizmit për të cilin kemi nevojë.