Sipërmarrja e vështirë i librit

29/11/2019 10:06 PM 0 komente

Shqetësimi i shtëpive botuese edhe këtë vit janë vështirësitë ekonomike, me të njëjtën kërkesë, uljen e TVSH-së dhe sfidën e tkurrjes së leximit…

 

Gjatë Panairit të 22-të të Librit në kryeqytet, mjafton që të ndalje në stendat e shumta të librit që të dëgjoje “ankesat” e përhershme të botuesve: taksa më të ulëta në prodhim, si në tregun europian që është vetëm 5%, shtimi i librarive, përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes, bashkëpunim më të ngushtë me shkollat, fakultetet, që të mund të flasim për një industri të mirëfilltë të librit. Këtë vit, botuesit theksonin marketimin e librit, si një nevojë në rritje, përqafonin idenë e shitjes online shumë më tepër se vitet e mëparshme, duke mos harruar subvencionimin për bibliotekat publike. Shqetësimet e tyre nuk përfundojnë këtu.

Ajo çfarë përbënte risi këtë vit ishte numri i lartë i titujve të rinj, nën siglën e emrave të njohur të jetës publike në vend. E në mesin e ‘rrëmujës’ për një autograf më shumë, botuesit shprehnin shqetësime të hershme që lidhen me tkurrjen e leximit në tërësi, gjë që vërehet më tepër në brezin e ri dhe bënin sërish thirrje për subvencione apo lehtësi fiskale në botim.

 

Treg i vështirë

Sektori i tregut të librit, një fushë që nuk ka të bëjë me mbijetesën, por me argëtimin, shfaq tendenca rënëse për sa kohë që ka kriza apo pasiguri. Shpeshherë, sipas botuesve, sa herë ka ngjarje politike apo çështje të ngjashme, lexuesit priren të mos shpenzojnë në atë që konsiderohet “jo thelbësore”.

Këtë fakt, e vuan libri. Nga ana tjetër, botuesit ritheksuan shqetësimin se duhet të ketë një politikë më të favorshme fiskale për ta, duke marrë shkas nga ajo europiane, që në prodhim taksa është vetëm 5%, ndërsa në Shqipëri shumë më e lartë. Kërkesa për ulje takse është një refren që shtëpitë botuese e përsërisin në panair çdo vit. Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari. Të pakta janë në Tiranë, ende më rrallë (ose fare) në rrethe të tjera.

Botuesit thonë se libri, edhe pse për të investohet që të jetë cilësor, është lënë në mëshirë të fatit. Me librari që po rëndohen nga amortizimi, duke mos pasur mundësi të mbajnë shumë libra, lexuesi humbet çfarë ka tjetër dhe nuk di ku të drejtohet apo e humb interesin rrugës. Një fakt për këtë është fluksi i vizitorëve në Panair dhe shitjet e shumta gjatë ditëve të tij. Botuesit shprehen se panairi nuk është vetëm nxitës në aspektin ekonomik, që përmes uljeve, fton njerëzit të blejnë libra. Panairi është mjedisi i vetëm që përfshin shumë libra njëkohësisht dhe njerëzit vijnë të shohin libra, sepse në librari nuk munden ta bëjnë. Libri nuk është i ekspozuar siç duhet në librari dhe kjo e fundit ka investimin minimal për të qenë një e tillë.

 

INSTAT: Leximi, në krizë

Lajmi i vitit të shkuar mbi shifrat e lexueshmërisë, nga statistikat kulturore të INSTAT, bëri jo pak bujë. Këtë vit, kursi ka nisur të ndryshojë disi, drejt përmirësimit, ndonëse ka ende një rrugë më të mirë për të ndjekur sipas botuesve. Ata pohojnë që titujt nuk mungojnë, botime cilësore këtë vit ka shumë, por brezi i ri është i lidhur me teknologjinë dhe ende nuk ka tregues që një e-book do të përqafohej nga ta.

Megjithatë, si një dritë në fund të tunelit, INSTAT përllogarit se në tremujorin e tretë 2019, që përfshin edhe periudhën e pushimeve, numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është 32.435, pothuajse dyfish më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Bibliotekën Kombëtare, në tremujorin e tretë 2019 janë afishuar 544 tituj të rinj dhe 1.708 ekzemplarë të rinj

Në tremujorin e dytë 2019, numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është 37.026, duke shënuar një rritje me 63,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Bibliotekën Kombëtare, në tremujorin e dytë 2019 janë afishuar 1.118 tituj të rinj dhe 3.699 ekzemplarë të rinj.
Në tremujorin e parë 2019, numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare ka qenë 30.669, duke shënuar një rritje me 64,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

 

Shoqata e Botuesve, theksi te format e bashkëpunimit

Panairi i këtij viti kishte rreth 100 ekspozues – botues, institucione kulturore, përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Sipas kreut të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, kishte përfaqësi edhe nga institucionet e huaja në Shqipëri, që kanë lidhje me librin e me kulturën. Një tematikë e diskutuar këtë vit, sipas tij, është letërsia thriller si një risi në letërsinë shqipe. Burime nga botuesit kanë pohuar më herët se, librat thriller janë ndër më të shiturit, bashkë me librat manualë.

“Kemi shumë probleme e mangësi, për të cilat duhet të punojmë të gjithë së bashku. Gjej rastin t’i bëj edhe një herë një ftesë publike Ministrisë së Kulturës, të punojmë më shumë së bashku për të përmirësuar punën e librit. Korridori i librit është një korridor që na çon në Europë. Kjo është e sigurt, me librin do të ecim përpara. Kjo është rruga e vetme që ka Shqipëria, lexuesit, të rinjtë dhe të rejat, e ardhmja e Shqipërisë, që duhet të kenë edhe institucionet, ta mbështesin librin që të ecim përpara” – u shpreh z. Ymeri.

E pranishme në ditën e çeljes së panairit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Duke pranuar se Ministria e Kulturës nuk ka qenë ndihmuese shumë në aspektin ekonomik, ministrja pohoi se, është një punë e vështirë, sidomos kur flasim edhe për librin. “Besnikët e librit kanë hasur jo pak probleme në këto 22 vjet, por gjithsesi, keni çuar përpara një rrugëtim traditë që është për t’u mbështetur” – u shpreh ministrja. Z. Ymeri nuk la larg vëmendjes edhe çështjen e barrës fiskale, për të cilën ka përsëritur prej vitesh kërkesën e të gjithë botuesve. “Një detyrim i Ministrisë së Kulturës është që, së bashku me ne të këmbëngulim për të ulur në minimumin e vendeve europiane TVSH mbi librin, e cila është anormale dhe shumë e lartë. Kërkojmë që të jetë në kufirin 4 – 6% dhe me cikël të mbyllur” – tha ai.

Kreu i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë theksoi se duhet gërshetuar dhe mbështetur kontributi i të gjithë aktorëve të librit në vend, duke vepruar si horizontalisht me të gjitha strukturat publike apo private, por edhe në mënyrë të tërthortë.

 

Tregu botëror

Me një vlerë 151 miliardë dollarë amerikanë, botimi i librave evoluoi gradualisht në shekullin XXI. Sidoqoftë, librat elektronikë janë shumë të rëndësishëm në një numër relativisht të vogël të tregjeve. Në vend të parë, për libra elektronike, renditet Shtetet e Bashkuara të Amerikës (13% e tregut të librave), ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (11.5%), dhe Gjermania (5%) duke u zhvilluar së fundmi. Tregu i e-librave në BE ka nisur të zhvillohet më tepër vitet e fundit dhe në 2016, ai përfaqësohej vetëm me 1.6% të tregut të përgjithshëm të librave.

Në të vërtetë, e-librat përballen me sfida specifike si mbrojtja nga pirateria, huazimi dhe çështjet e të drejtave të autorit. Më e rëndësishmja, kompanitë dixhitale shumëkombëshe vendosin të krijojnë selinë europiane në vende të veçanta të shteteve anëtare, për regjistrimin e taksave më të favorshme dhe / ose nivele më të ulëta të taksës.

Ndryshe nga sa ndodh me librat e shtypur, librat elektronikë nuk mund të gëzojnë ulje të tarifave të TVSH-së, pasi ato janë klasifikohen si “shërbime të furnizuara me energji elektrike”. Ndërsa niveli mesatar i TVSH-së për librat e shtypur në të gjithë BE është 7,6%, për librat elektronikë ajo qëndron në 19.9%, duke e vënë në një dizavantazh. Komisioni Europian tashmë ka pasqyrim të regjimit të TVSH-së, duke përfshirë konsultimin e aplikimit të TVSH-ve të reduktuar.

Në Europë, botuesit janë pjesë e një tregu shumë konkurrues të mediave. Sektorët botues kryesisht me gazeta, revista, libra. Në vitin 2010, shtëpitë botuese në BE ishin rreth 90,000 të tilla. Bizneset e mëdha (punësimi 250 ose më shumë) përbëjnë rreth gjysmën e sektorit (49.3%). Mesatarisht, në Europë janë botuar 500,000 tituj elektronikë dhe shumica e tyre shiten në Mbretërinë e Bashkuar. Italia është një treg në rritje, në dymbëdhjetë muajt e fundit, 8.2% e të gjithë popullsisë ka lexuar së paku një e-libër, e cila është e barabartë me rreth 4.5 milionë njerëz.

 

Botuesit shqiptarë: Nuk ke nevojë t’i djegësh librat për të shkatërruar kulturën. Vetëm bëjini njerëzit që të ndalin leximin e tyre. (Ray Bradbury)

 

Titujt që sugjerohen…

Vrulli teknologjik dhe përfshirja e shumë njerëzve në to, aksesi në rrjete sociale, të gjitha këto e bëjnë marketingun dixhital një mënyrë për tërheqjen e lexuesve-klientë.

Albert Gjoka nga platforma e shitjeve online të librave “Bukinisti”, thotë për MONITOR, se ka mbi 10 mijë përdorues, pra klientë dhe kjo shifër dëshmon nevojën në rritje të shitjes së librave, jo më në kanalet tradicionale.
Me shifrat që rriten çdo vit, si dhe duke kuptuar shijet e lexuesve shqiptarë, në sajë të blerjeve, Bukinist sugjeron titujt e rinj të këtij viti, në bashkëpunim me botuesit shqiptarë:

Gjatë këtij viti janë hedhur në qarkullim rreth 800 tituj të rinj nga shtëpitë botuese shqiptare. Ky është një numër ende relativisht i ulët krahasuar me vitet e kaluara. Gjatë këtij viti është rritur numri i botimeve si në aspektin sasior edhe në atë cilësor, të librit për fëmijë. Po ashtu, po vihet re një fenomen i ri, – ardhja në një kohë të shpejtë e botimeve që hidhen në qarkullim edhe jashtë vendit.

Letërsia e huaj mbetet më e kërkuara në platformën tonë. Pas saj, vijnë librat e biznesit dhe zhvillimit personal. Marketingu i librit nuk është ende në faza të zhvilluara. Futja e TVSH-së 6% për librin ka pasur ndikime negative në treg, humbje për shkak të aplikimit të saj edhe për gjendjen stok, dhe me kosto shtesë në menaxhimin e enteve botuese.

Gjatë këtij viti librat më të shitur janë: “Becoming” nga Michel Obama; “Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez’ “Inteligjenca emocionale”, Daniel Coleman 21, “Leksione për shekullin XXI” dhe “Sapiens” nga Yuval Noah Harari; “Friend Request” nga Laura Marshall; “Seritë e Kapiten Brekushit” të Dav Pileky dhe “Ditari i Gregut” të Jeff Kiney.

Ndër librat e botuara në vite, vazhdojnë të jenë topseller-a absolutë librat e Paulo Coelhos, Khaled Hosseini, Paulina Simons dhe Harper Lee. Ndër autorët shqiptarë, Ismail Kadare dhe Fatos Kongoli mbeten të preferuar nga lexuesit tanë. Tek librat e biznesit më të shiturit janë: “Mendo dhe bëhu i pasur” i Napoleon Hill; “Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” e Vasil Naçit, “Shëndeti dhe suksesi përmes meditimit” nga Radovan Starc dhe Hetem Ramadani “Fillo me pse” nga Simon Sinek; “Zgjoni gjigantin tuaj të brendshëm” të Anthony Robbins.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of