Prodhimi i luleshtrydhes në vend po njeh rritje ndër vite. Sipas statistikave, sipërfaqja e mbjellë është rritur edhe në 2018. Sasia e prodhuar është dyfishuar nga viti 2016 në 2018, duke arritur mbi 4 mijë tonë. Fermerët ankohen për mungesë mbështetje nga qeveria, si në kërkesat për eksport, si në subvencione ndaj kushteve klimatike të viteve të fundit. Në 2018, për herë të parë, mund ta cilësojmë ‘biznesi i luleshtrydhes fierake’, nga ku ka qenë i gjithë prodhimi i kësaj frute…
Nga Deada Hyka
Fermerët në Shqipëri bien për një gjë dakord që luleshtrydhja është padyshim një investim i zgjuar me tre muaj të plotë prodhim, ndryshe nga disa vende të tjera, ku prodhimi zgjat vetëm 15 ditë. Megjithatë, edhe në këtë sektor ka problematika..
Klima e favorshme ka nxitur rritjen e prodhimit të luleshtrydheve. Njëkohësisht, kushtet atmosferike të muajve të dimrit, kanë ndikuar që shumë fermerë të tërhiqen nga tregu apo të operojnë me vështirësi në mungesë të subvencioneve. Megjithatë, vitin e shkuar, fermerët deklarojnë se kanë pasur një vit të frytshëm. Biznesi i luleshtrydhes tashmë, jo aq i ëmbël, është përqendruar vetëm në zonën e Fierit, duke nisur nga fillimi i vitit 2018.
Fermerët që merren me kultivimin e saj në njësinë administrative Frakull, në Bashkinë e Fierit, shprehen se për ta mbetet problem mungesa e subvencioneve. Kultivimi i luleshtrydheve mbetet një biznes i mirë për fermerët, pavarësisht vështirësive. Kërkesa për këtë produkt është e lartë, si në tregun vendas, edhe jashtë. Disa fermerë pohojnë se madje, nuk arrijnë të përmbushin kërkesat për eksport.
Edhe klima është e favorshme në kultivimin e luleshtrydhes në vend. Rritja e prodhimit me këto ritme është reflektuar në tregun e brendshëm, me një çmim të ulët. Një kilogram luleshtrydhe, ndryshe nga vitet e tjera, në muajin prill, e gjen në treg në Tiranë edhe 200-250 lekë.
Prodhimi
Në zonën e Fierit, veçanërisht në fshatrat Frakull dhe Kafaraj, brenda një afati prej 4 vitesh, është krijuar një “oaz” kultivimi të këtyre produkteve. Sipas shifrave të Ministrisë së Bujqësisë, rezultatet janë interesante, duke parë rendimentet që arrijnë mbi rreth 0.6 kg prodhim në rrënjë. Operatorë të fushës së bujqësisë deklarojnë se, me këtë biznes merren mbi 100 fermerë dhe ka një tendencë në rritje për çdo vit.
Prodhimi në vitin 2014 ishte 772 tonë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimi u rrit me 1.8 herë në vitin 2015, duke arritur 1425 tonë. Ndërsa në vitin 2016, prodhimi arriti 2856 tonë, duke u dyfishuar nga një vit më parë. Në vitin 2018, rritja nga një vit më parë ka qenë 12.7%, duke arritur mbi 4300 tonë prodhim.
Sa i përket sipërfaqes, në vitin 2015 janë mbjellë 45 hektarë me luleshtrydhe, nga 25 hektarë një vit më parë. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në vitin 2016, sipërfaqja ishte 91 hektarë. Në vitin 2018, sipërfaqja e mbjellë është përqendruar në zonën e Fierit, duke arritur në 111 hektarë, me një rritje të lehtë prej 5.5%, ndonëse zonat e tjera vitin e shkuar nuk kanë pasur fare prodhim.
Vitin e kaluar, kultivuesit e luleshtrydheve në fshatin Kafaraj në Fier u dëmtuan nga përmbytjet. Ky është një refren që përsëritet prej 4 vitesh. Serra të tëra janë shkatërruar, me humbje të konsiderueshme në tregun lokal dhe atë rajonal.
Një tjetër problematikë për ta kanë qenë edhe erërat e forta. Në vitin 2016, u erdhi në ndihmë USAID me një fond prej 750 mijë dollarësh për fermerët e prekur nga përmbytja e vitit 2015, me anë të të cilit ata mundën të rimëkëmben shpejt.
U rindërtuan dhe tre modele të reja serash moderne, që garantojnë jetëgjatësi dhe janë rezistente ndaj klimës. Nëpërmjet këtij programi asistence u krijua një pikë grumbullimi, me makineri paketimi, të cilat përmbushin standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore sipas kërkesave të tregjeve të eksportit. Po ashtu u trajnuan më shumë se 60 fermerë mbi praktikat e reja bujqësore për luleshtrydhen.
Pavarësisht vështirësive dhe dimrit të ftohtë vitin e kaluar, fermerët pohojnë se e kultivuan sërish luleshtrydhen, i cili ishte i mbarë për nga prodhimi. Por nuk thonë të njëjtën gjë për çmimin, që sipas tyre, luleshtrydhja vijon të jetë e nënçmuar.
Fermerët e zonës Karafaj, të kontaktuar nga revista “Monitor” thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë, përkundrazi janë munduar vetë t’i rikuperojnë dëmet e mëdha. Ata bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë situatë, që përsëritet çdo vit ose më shpesh. Fermerët tregojnë se, 2015 ka qenë viti i fundit që kanë marrë dëmshpërblim.
Astrit Lanaj, një fermer i zonës së Fierit, prej 7 vitesh merret me kultivimin e luleshtrydhes.
Ecuria ndër vite, – thotë ai – ka qenë e kënaqshme, duke u rritur, por me vështirësitë që i shoqërojnë. Z. Lanaj thotë se në fshatin Kafaj, thuajse të gjithë banorët merren me kultivimin e luleshtrydhes. Sipas tij, shumë fermerë janë tërhequr nga ky investim, sepse duke mos pasur subvencione, e kanë pasur të vështirë, që nga marrja e fidanit deri në hallkën e fundit të tregtimit. Astriti thotë se kostot kanë qenë të larta për të gjitha etapat e prodhimit, duke shtuar këtu edhe kostot e mirëmbajtjes dhe rirregullimit në rast të fatkeqësie natyrore.
Sa i përket tregtisë, z. Lanaj tregon se përveç tregut vendas që ka pasur kërkesë në rritje me kalimin e viteve, kërkesat u rritën edhe për eksportet. “Para tre viteve, nisa të dërgoj luleshtrydhe në rajon, Kosovë, Maqedoni, Serbi. Më pas, në Rusi. Këtë vit kemi shumë kërkesa nga Austria dhe Bosnjë- Hercegovina, por nuk arrijmë dot të plotësojmë sasinë”, – tregon Astriti.
Luleshtrydhja ‘mban me bukë’ shumë familje
Për shumicën e banorëve në zonën e Kafaraj, puna në serën me luleshtrydhe mbetet si mundësia e vetme e punësimit. ”Kam 4 vite që punoj. Jam kthyer nga emigracioni në Greqi. Tentova të punoja në tokat e mia duke mbjellë sera me domate, por prodhimi nuk më eci. Puna në këto sera është mënyra e vetme për të mbijetuar në këto kushte ekonomike. Nëse nuk ecën luleshtrydhja në zonë, ne rrezikojmë të mbetemi pa punë”, thotë Lulzim Zutaj, pronar i një sere me luleshtrydhe në Fier.
Tregtarët, të cilët janë edhe ndërlidhja kryesore mes prodhuesit dhe konsumatorit, thonë se në krahasim me vitin e kaluar, kjo periudhë ka pasur më shumë prodhim dhe çmimi është më i ulët. Një tregtar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë thotë për “Monitor” se ai shkon dhe furnizohet vetë në Fier dhe këtë vit, ka konstatuar se çmimi i produktit është më i ulët.
“Marr një arkë rreth 700 lekë dhe një kg luleshtrydhe këtë vit e kam tregtuar me 150-160 lekë. Kërkesa ka pasur edhe këtë vit, por një pjesë e mirë na prishet dhe detyrohemi të ulim çmimin ose ta hedhim”, – thotë tregtari në zonën e Komunës së Parisit.
Të tjerë tregtarë në Tregun Industrial pohojnë se prodhimi është i bollshëm, mirëpo kërkesat e tregut janë në rënie. “Situata është përkeqësuar. Së pari, prej informacioneve që qarkullojnë në media për hormonet, gjë që ndikoi negativisht edhe në punën tonë. Sot, prodhimin, pasi e marr nga fermeri e çoj në treg, me shpresën që ta shes të gjithin, me të cilat më duhet të mbaj familjen. Punoj prej vitesh në këtë zanat. Më parë ky produkt gjente shitje të madhe në fabrikat e përpunimit për prodhim reçeli. Por këtë vit s’kemi pasur kërkesa të tilla”, thotë Bardhyli, tregtar.
Një ndër arsyet që kanë dëmtuar shumë fermerë vendas ka qenë sasia e madhe e importuar nga Greqia – thotë më tej Astriti. Ai i bën thirrje shtetit që të mbështesë dhe të nxisë prodhimin vendas, si dhe të kufizojë importet, sepse fermerët dëmtohen në këtë mënyrë. “Prodhimi grek na dëmtoi, sepse tregtohet me bursën europiane dhe zhbalancoi çmime në treg. Javën e dytë të prillit një kg luleshtrydhe shkoi 100 lekë nga minimalisht 200 lekë që duhet të ishte që të nxirrnim kostot tona”- tregon Astriti.
Refren që përsëritet: hormonet!
Ndër vite, akuzat për përdorim hormonesh për kultivimin e luleshtrydhes kanë qenë të shumta, aq sa vitin e shkuar ka pasur edhe hezitim në masë për blerje.
Astrit Lanaj thotë se akuzat janë të pabaza. Për këtë arsye, fermerët dëmtohen pasi u shkon kot një sasi e madhe prodhimi. Ky është një tjetër faktor i tërheqjes nga tregu të shumë fermerëve.
“Fermerët janë të specializuar për prodhimin e luleshtrydhes, të paktën në zonën e Kafaraj që njihemi, fidanët kontrollohen sepse vijnë nga shtete europiane. Ne i marrim vetë jashtë. Inputet që përdorim kontrollohen në masën e duhur dhe certifikohen brenda standardeve europiane.
Ne nuk kemi përdorur kurrsesi hormone për prodhimin e tyre. Luleshtrydhja si bimë është vetëpllenuese, ekspertët e dinë këtë, ndaj nuk ka nevojë për hormone që të nxitet prodhimi”, – tregon z. Lanaj.
Gjeografia e prodhimit ndryshon
Për herë të parë në 2018, luleshtrydhja është mbjellë vetëm në Qarkun e Fierit. Ndryshe nga viti i mëparshëm, ku gjeografia e prodhimit përfshinte edhe rrethe si Lushnja, që ishte e dyta pas Fierit me 14% të prodhimit, ose e shprehur në peshë, ky qark prodhoi 391 tonë luleshtrydhe.
Të tjera qytete ishin Durrësi (15 tonë), Dibra (5 tonë), Elbasani (3 tonë). Shifrat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se vitin e shkuar, në rrethin e Fierit u mbollën mbi 6 mln rrënjë të reja luleshtrydhe, nga të cilat rendimenti ka qenë 0.6 kg/rrënjë.
I gjithë Qarku i Fierit ka prodhuar më shumë se 4 mijë tonë luleshtrydhe në 2018, të cilat kanë shkuar për konsum vendas dhe eksport, përkatësisht, 1.6 tonë për eksport, 250 tonë për përpunim (kryesisht për reçel), 2.5 tonë për shitje të freskët në tregjet vendase dhe 5 tonë për konsum familjar.
Fermerët e zonës Kafaj tregojnë se shifrat që raportohen për konsum familjar janë shpesh sasia që prishet ose mbetet stok dhe nuk tregtohen.
Tregtia e luleshtrydhes shqiptare
Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet, sidomos të zonës së Fierit, eksportohen edhe jashtë vendit. Më së shumti në rajon, Maqedoni, Bullgari, Mali i Zi etj. Një treg i furnizuar gati 90% nga importi, deri në vitin 2010, është shndërruar që nga 2014 në potencial për eksport, krahas furnizimit të plotë të tregut vendas. Sipas shifrave të 2015 dhe 2016, eksportet e luleshtrydhes shqiptare janë 10-fishuar, në peshë dhe vlerë. Në vitin 2015, janë eksportuar 94 tonë luleshtrydhe, ndërsa në 2016 bëhej fjalë për 981 ton.
Partnerët kryesorë tregtarë mbeten ata rajonalë, si Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Ndërsa në vitin 2016, janë shtuar edhe vende si Italia, Rumania, Bullgaria.
Panairi i Luleshtrydhes
Festa e Luleshtrydhes, në vitin e tretë të saj, u organizua këtë muaj në Frakull, nga Bashkia e Fierit. Në këtë panair morën pjesë më shumë se 50 fermerë, me prodhime vendase, gatimeve tradicionale dhe ëmbëlsira me luleshtrydhe, të gërshetuara me elementet festive dhe argëtuese. Ky vit ka qenë i mbarë për kultivuesit e luleshtrydheve në Frakull të Fierit, pasi një vit më parë, nga një dynym, kultivuesit morën 30 kg luleshtrydhe, këtë vit prodhimi kapi rekordin historik 100-150 kg për dynym.
Kësaj feste iu bashkua edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i shoqëruar nga kryebashkiaku Armando Subashi, deputetë të Qarkut të Fierit dhe qindra qytetarë të ardhur nga zonat përreth dhe Fieri. “Kjo festë është në kuadër të festave tradicionale lokale. Kjo është një arsye më shumë që Fieri të ketë sa më shumë vizitorë. Fieri po zhvillohet me shpejtësi në gjithë dimensionet turistike, duke ofruar jo vetëm bregdetin po dhe zonën kodrinore përqark bashkisë së vjetër duke ofruar shumë më tepër mundësi për agroturizëm”, u shpreh ministri Klosi. Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, theksoi rolin e fermerëve në krijimin e zonave me potencial edhe për turistët.
“Jemi kujdesur që nëpërmjet këtij promovimi të nxjerrim në pah të gjitha këto vlera, jo vetëm ato që kanë të bëjnë me produkte bujqësore dhe blegtorale, por dhe promovimin e vlerave kulturore, artistike dhe kulinare”, tha kryebashkiaku Subashi.
Një pjesë e fshatrave të Fierit kultivojnë prej vitesh luleshtrydhe, duke u bërë furnizuesit kryesorë të tregut vendas. Prodhimi në masë i luleshtrydheve të freskëta në Shqipëri, filloi vetëm para disa vitesh, por bëri që kjo frutë i vogël të kthejë sytë e Europës drejt Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.