Gjatë promovimit të aktivitetit tashmë tradicional “Java e Biznesit Kosovar”, drejtues të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), në Prizren bën thirrje për ndërgjegjësimin e qytetarëve sa i përket prodhimit vendas. Për shkak të motit të keq numri i kompanive prodhuese, por edhe i zejtarëve ishte më i vogël. Fushata sensibilizuese “Made in Kosova”, sipas organizatorëve nga AKB-ja, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, të institucioneve dhe të konsumatorëve për rritje të konsumit të prodhimeve vendore. Agim Shahini, kryetar i AKB-së theksoi se është në të mirë të vendit të konsumohen sa më shumë produkte vendore, pasi pikërisht kjo do të ishte mbështetja më e madhe që i jepet ekonomisë, duke ndikuar edhe në zbutje të papunësisë. Ai tha se kjo fushatë promovuese do të jetë për një muaj radhazi në të gjitha qendrat e Kosovës. “Duhet të ngremë vetëdijen qytetare në Kosovë rreth produkteve vendore , të cilat tashmë janë të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare, pasi prodhimet ‘Made in Kosova’ me sukses eksportohen edhe jashtë”, tha ai. Shahini ndërkaq tha se karvani rreth fushatës promovuese deri më tani që nga startimi i tij vite më parë, ka bërë mbi 100 mijë kilometra, gjë që sipas tij ka treguar rezultate mjaft të larta. “Do të jemi në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe vende të ndryshme të rajonit, në mënyrë që të bëjmë fushata të tilla promovuese sa i përket sektorit të prodhimtarisë”, tha ai duke shtuar se problem në vete është gjendja e dobët ekonomike në familjet kosovare, pasi që sipas tij qytetarët tashmë nuk po zgjedhin mes të mirës dhe të keqes por po e kërkojnë më të lirën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.