Qeveria mund të heqë gjobat dhe kamatëvonesat që gjenerohen nga vonesat në deklarime për biznesin.
Për shkak të situatës emergjente nga koronavirusi, Ministria e Financave është duke shqyrtuar kërkesat e Shoqatave të Biznesit dhe Dhomave të Tregtisë, që nga shtyrja e afatit të pagesave, gjobave dhe kamatëvonesave, shtyrjen e pagesës të energjisë, ujit dhe taksave vendore.
Ministria e Financave pritet që shumë shpejt të konkretizojë marrjen e masave për biznesin për shkak të situatës të rënduar nga koronavirusi.
Burime në Ministrinë e Financave thanë për “Monitor” se gjenerimi i gjobave dhe kamatëvonesave për deklarime të vonuara, për shkak të situatës të jashtëzakonshme, mund të hiqen. “Ministria e Financave është duke shqyrtuar paketën e masave të propozuara nga shoqatat e biznesit, për të cilën do të shprehet shumë shpejt. Situata është e njëjtë për vështirësinë e kryerjes të pagesave, ashtu si për familjarët dhe bizneset”, pohuan burimet.
Shtyrjen e afatit të dorëzimit të bilanceve e kanë kërkuar me shkresë zyrtare drejtuar Ministrisë të Financave edhe Dhomat e Tregtisë dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj.
Data 17 mars është afati i fundit i pagesës së TVSH, pasi 14 marsi ishte festë zyrtare dhe si rrjedhojë, është dhe e hëna pushim. 20 marsi është afati i fundit i sigurimeve.
Financat bënë thirrje për pagesën e taksave përmes sistemit online të bankave, por Banka e Shqipërisë tha se vetëm 30% e bizneseve në vend e përdorin “home banking”, duke e bërë të domosdoshme për shumicën e tyre vajtjen në sportelet e bankës.
Ministria e Financave, ndër të tjera, mësohet se po orienton bizneset që të kryejnë pagesat nëpërmjet portalit e-Albania. Por, edhe nëpërmjet portalit mundësia, për të kryer pagesa është shumë e kufizuar, pasi është e domosdoshme që biznesi të përdorë “home banking”.
Numri i bizneseve që mund të përdorin edhe portalin është shumë i kufizuar, madje mbetet vetëm te bizneset e mëdha, ndërsa pjesa tjetër e ka të pamundur pagesën e detyrimeve.
Ky muaj është më i zëni me punë për kontabilistët, pasi në datë 31 mars është afati i fundit i dorëzimit online të bilancit të vitit paraardhës. Ndonëse bilanci dorëzohet online, bizneset janë ankuar se përgatitja e tij kërkon punë me dokumente fizikë, ndaj dhe kanë kërkuar shtyrjen e afatit të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.