Biznesi Kosovë-Shqipëri, kërkohet eliminimi i barrierave në eksport

29/01/2021 11:48 AM 0 komente

Kosova dhe Shqipëria po vazhdojnë të kenë mes tyre ende barriera tregtare. Për ketë çështje Oda e Afarizmit e Kosovës dhe Autoriteti Kombëtar Ushqimit në Shqipëri kanë zhvilluar një takim. Bizneset e Kosovës janë ankuar se eksporti i mallrave në Shqipëri po bëhet me shumë probleme.

Obligimi i bizneseve që kanë numër të madh të artikujve që për çdo lloj të produktit, edhe pse kanë përbërjen e njëjtë por dallojnë në peshë t’i kërkohet raporti i analizave me vulë të njomë, si pjesë e eliminimit të barrierave tregtare si dhe procedurat burokratike ishin disa nga pikat kyçe të cilat u diskutuan në takimin mes OAK-së dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri.

Në kuadër të këtij takimi u diskutuan kërkesat e bizneseve prodhuese të produkteve ushqimore që të mos kërkohet Raporti i Analizës për produktet, në rastin kur produkti është i njëjtë, mirëpo ndryshon vetëm në gram apo në formë, meqenëse kjo gjë jo vetëm që po iu merr kohë por ka edhe kosto shtesë financiare, përderisa gjatë eksportit në vendet e tjera kërkohet vetëm certifikata e cilësisë.

“Pra të mos ketë nevojë të bëhen analizat për të gjitha produktet, por Raporti i Analizës së njërës të vlejë edhe për produktet tjera me përbërje të njëjtë. Kjo do të ndikonte në kursim të shpenzimeve, por edhe të kohës për palët”, u tha ndër të tjera në takim.

Me këtë rast OAK theksoi se sfidat me të cilat prodhuesit e produkteve ushqimore të Kosovës po përballen gjatë bashkëpunimit me Shqipërinë, lirisht mund të themi që nuk i hasin me asnjë nga shtetet tjera në të cilat eksportojnë, madje kritere të tilla nuk u kërkohen as edhe nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, andaj një gjë e tillë po vështirëson operimin e bizneseve jashtë vendit.

Gjatë këtij takimi, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, Naser Krasniqi theksoi që barriera të tilla nuk aplikohen për bizneset nga Shqipëria, andaj është e rëndësishme që vendet tona të thjeshtësojnë sa më shumë procedurat dhe krijojnë lehtësira gjatë bashkëpunimit.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani, theksoi që është e domosdoshme që marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë të ratifikohen në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që të zbatohen me përpikëri dhe të tejkalohen burokracitë e panevojshme.

Ndërsa, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi shpalosi në detaje marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë, e të cilat nuk po zbatohen në praktikë, duke theksuar që operatorët ekonomik po hasin në vështirësi për shkak të këtij fakti.

Në këtë takim gjithashtu pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit nga bizneset: Artidon Gashi nga Egi Group dhe Adnan Ibrahimi nga Silca Group të cilët shpalosën rastet konkrete me të cilat ballafaqohen gjatë eksportit të produkteve ushqimore në Shqipëri, duke kërkuar përkrahje dhe lehtësira në këtë drejtim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of