Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se të gjithë personat fizikë dhe ata juridikë se të ardhurat që realizohen nga kriptovalutat, si të ardhura të ligjshme apo të paligjshme, për qëllime tatimore janë të ardhura të tatueshme.
Në Kosovë llogaritet se rreth 10 mijë operatorë të identifikuar, persona fizikë dhe juridikë janë duke u marrë aktualisht me kriptovaluta.
Ligj për ketë aktivitet ekonomik ende nuk ka në Kosovë.
Administrata Tatimore ka lëshuar në fillim të këtij muaji një njoftim, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.
ATK-ja ka thënë se do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura.
“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ka thënë ATK-ja.
Deri më tani, ATK nuk ka specifikuar se në bazë të cilit ligj do të duhet të paguhet tatimi mbi kriptovaluta, sa është numri i personave që merren me këtë veprimtari dhe a ka mekanizma për identifikimin e personave që merren me këtë veprimtari
Mirëpo, Administrata Tatimore edhe gjatë ditës së sotme ka treguar se kriptovalutat janë të tatueshme dhe duhet të paguhet për to.
Sipas ATK-së, detyrimet tatimore për të ardhurat nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat.
Lexo edhe këtë: Kosova detyron qytetarët të paguajnë tatim për kriptovalutat
“Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është person fizik, jo afarist apo person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Tatimin në të Ardhura Personale dhe për të ardhurat e realizuara. Ndërsa, statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe për të ardhurat e realizuara”.
ATK-ja thotë se nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen.
Në Kosovë ekziston Ligji për të ardhurat personale, në bazë të të cilit, personat që realizojnë fitime, janë të obliguar të deklarojnë tatimin mbi to.
Sipas këtij ligji, tatimi në të ardhura personale vjetore ngarkohet në katër shkallë.
Për të ardhura deri në 960 euro në vit, nuk paguhet tatim. Për të ardhurat nga 960 euro deri në 3,000 euro në vit paguhet 4 për qind, për të ardhurat nga 3,000 deri në 5,400 paguhet 8 për qind, kurse për të ardhurat mbi 5,400 euro – 10 për qind.
Inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku, ka treguar se autoritetet kompetente mund t’i identifikojnë personat që investojnë në kriptovaluta.
“Në një formë, këta [persona] janë të identifikuar, sepse blejnë dhe shesin në Kosovë edhe përmes bankave në mënyra legale. Ato para i nxjerrin në Kosovë. Në momentin që nxirren paratë, që është fituar në transaksion, duhet të paguhet tatim. ATK-ja mund ta verifikojë këtë. Kurse, ata që nuk i marrin përmes bankave apo marrin nga shtete të jashtme, ATK-ja nuk mund t’i vërejë dhe nuk mund t’i tatojë”.
Republika e Kosovës deri më tash nuk ka ndonjë ligj që rregullon tregun e kriptovalutave.
Kuvendi është në përgatitje të një projektligji të tillë, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale brenda territorit të Kosovës.
Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të tatimit, ligji synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Më të popullarizuarat janë Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.