Mungesa e parave në qarkullim dhe ulja e aftësisë paguese nga ana e biznesit vendas është reflektuar edhe nga shifrat më të fundit mbi llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, të botuara në raportin statistikor të muajit shkurt nga Banka e Shqipërisë (BSH).
Depozitat pa afat dhe llogaritë rrjedhëse në lekë në muajin shkurt kanë rënë 4% krahasuar me fundin e vitit 2011. Për janar-shkurtin e këtij viti ky zë ishte rreth 78.5 miliardë lekë.
Rënie kanë pësuar edhe depozitat pa afat dhe llogaritë rrjedhëse në euro, të cilat janë reduktuar me 5% krahasur me fundvitin e 2011. Niveli i tyre arriti në 82.4 miliardë lekë.
Biznesi i përdor kryesisht llogaritë rrjedhëse për të shlyer detyrimet mujore të tij, si pagesat e punonjësve, detyrimet ndaj shtetit apo ndaj të tretëve.
Rënia e këtij zëri i ka ulur kapacitetet e biznesit për të pasur likuiditete të nevojshme, fakt që është konfirmuar nga të gjitha organizatat e biznesit në vend, por edhe nga vetë Banka e Shqipërisë.
Vetëm pak ditë më parë BSH i bëri thirrje qeverisë që të shlyente detyrimet ndaj kompanive private, me qëllim rritjen e likuiditeteve dhe uljen e kredive të këqija në sistemin bankar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.