Pandemia ka shtyrë biznese dhe individë të jenë më inovatorë në krijimin e burimeve të reja të të ardhurave.
Zhvillimet e shumta teknologjike e kanë bërë, më të lehtë se kurrë, operimin e një biznesi në kushte shtëpiake, apo të izoluar nga kontakti fizik me kolegë dhe klientë. Tendenca që i dha hov zhvillimit të call center-ave në vitet 2000, tani ndihet më shumë se kurrë edhe në ekonominë shqiptare.
Por, pyetja që duhet të mundojë tregun dhe politikëbërësit në këtë moment është e njëjta si përherë: a është gati Shqipëria të përfitojë nga kjo tendencë botërore?
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka Botërore, Shqipëria mbetet një nga vendet e fundit në kontinent, qoftë për nga aksesi në internet, e qoftë për nga shpejtësia. Thuajse 30% e popullsisë ende nuk ka akses të rregullt në internet. Vetëm 20% ka akses nëpërmjet linjave fikse të shpejtësisë së lartë. Shpejtësia mesatare e internetit në Shqipëri lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, dhe është thuajse pesë herë më e ngadaltë se vendet kryesore të Europës.
Nëse zhvillimet teknologjike kanë mundësinë për të afruar bizneset shqiptare me klientë të huaj – pasi tregu shqiptar është sa i vogël, aq edhe i varfër për të qenë klienti kryesor i tyre – problemet e infrastrukturës duket se po kthehen sërish në pengesën kryesore të zhvillimit. Megjithëse qeveri të ndryshme, duke filluar që nga mesi i viteve 2000, pretendojnë se do ta kthejnë vendin në një qendër të zhvillimeve teknologjike në rajon, statistikat më bazike të infrastrukturës së internetit tregojnë se Shqipëria është shumë prapa në këtë fushë.
Po aq shqetësues është fakti se hendekun e investimeve publike të munguara nuk po e plotësojnë as investitorët privatë. Problemet e financave publike dihen, por më pak të prekura janë dinamikat dhe konkurrenca e munguar në tregun privat, që duhet të zhvillonte më tej sektorin e teknologjisë.
Arsyet janë të shumta, por është e qartë që edhe në këtë sektor vihen re problemet tipike të ekonomisë shqiptare: konkurrencë e pakët, përqendrim tregu, dhe kontrata publike që favorizojnë dukshëm disa prej aktorëve kryesorë. Zvogëlimi së fundmi në dy i kompanive që operojnë në sektorin e telekomunikacionit është rasti i radhës i një tjetër hapësire tregu, që do të vuajë nga konkurrenca e munguar, dhe si rrjedhojë, edhe nga investimet e pakta.
Megjithatë problemet nuk shfaqen vetëm në mungesën e infrastrukturës fizike, por, mbi të gjitha, edhe në mungesën e kapitalit njerëzor.
Zhvillimi i sektorit të teknologjisë kërkon një numër të madh individësh të kualifikuar në këtë fushë: programues, kodues, zhvillues, etj. Me gjithë përpjekjet e ndryshme, brenda dhe jashtë sektorit të arsimit, për të përmirësuar kurrikulat, apo për të ofruar trajnime mbi këto aftësi, numri i programuesve në Shqipëri mbetet i limituar. Zyra të ndryshme lokale shpesh raportojnë për humbje kontratash apo klientësh, për shkak se numri i programuesve që kanë në dispozicion nuk i lejon të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Sërish, arsyet janë të shumta. Pamundësia e sektorit të arsimit për t’iu përgjigjur sfidave të tregut nuk është e re. Shumica e zhvillimeve pozitive në këtë sektor, duke filluar me investimet në call center-a, kanë ndodhur pavarësisht problemeve të sistemit arsimor e jo falë tij, e janë bazuar në aftësi të përftuara në mënyrë autodidakte, siç ishte njohuria e gjuhës italiane.
Edhe në këtë rast ama, përtej mungesës së mbështetjes nga agjencitë publike, dinamikat e tregut po pengojnë edhe më shumë zhvillimin e sektorit. Për shembull, eksperienca e vendeve të ndryshme ka treguar se një rol kryesor në zhvillimin e IT-së ka luajtur sektori financiar dhe investimet në idetë premtuese të sipërmarrësve të rinj.
Një treg financiar i shëndoshë, likuid dhe kompetitiv, është kyç për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm. Fatkeqësisht ky nuk është rasti i Shqipërisë. Aksesi në financë për kompanitë e mesme dhe të vogla në Shqipëri ka qenë përherë problematik.
Rigjallërimi i kreditimit në Shqipëri, në dy vitet e fundit, megjithëse shpresëdhënës në pamje të parë, lidhet tërësisht me investime në ndërtim – një tendencë që është problematike për më shumë se sa një arsye, siç tregoi dhe kriza financiare e 2008-s. Orientimi i bankave lokale, kryesisht në kompani ndërtimore, nuk është rastësi.
Këto kompani janë përfituese të rregullta të kontratave të mëdha publike dhe përfaqësojnë investim më të sigurt. Por e gjitha ka një kosto: në vend që të investohet në sektorë inovatorë, të cilët sjellin vlerë të shtuar, burimet financiare të vendit po orientohen në një nga sektorët më “përtacë” të ekonomisë. E gjitha, sërish, për shkak të vendimeve të marra nga sektori publik.
Është e qartë se zhvillimet teknologjike përfaqësojnë një mundësi të artë për shumë sipërmarrës të rinj shqiptarë. Falë tyre, ata mund të kenë mundësi të bëhen pjesë e një tregu botëror, që vetëm pak vite më parë dukej një ëndërr për ta. Do të ishte mëkat që edhe kjo mundësi të shpërdorohej për shkak të problemeve kronike, të cilat kanë penguar zhvillimin e mëtejshëm të vendit në dekadat e fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.