Mungesa e strategjisë kombëtare për sportin, buxhetet e vogla, vështirësitë për sponsor janë disa nga problemet që luftojnë mundësinë e zhvillimit të sportit shqiptar si biznese…
Nga Deada Hyka
Ngjiti shkallët pranë Operës Shqiptare me shpejtësi dhe më kërkoi të falur për vonesën prej disa minutash. Nuk ka arsye të nxitosh, – i thashë – garën që kishe, e fitove dhe sot je kampione e Europës.
Buzëqeshi dhe e vetmja gjë që më erdhi natyrshëm t’i them, ishte: Luiza na përlote me lotët e tu në momentin e finales. Asaj iu mbushën sërish sytë me lot. Dhe teksa biseda nisi, kuptova se nuk ishin lotët e vetëm që kishte derdhur.
Kësaj here ishin për fitoren e merituar, por Luiza Gega mban në shpatulla lot e djersë prej 14 vjetësh. Të gjitha këto nga sforcot që i duhet të jetë një sportiste shqiptare, rrugë të cilën e nisi me atlete të marra borxh, sakrifica në familjen ku u rrit me 5 fëmijë dhe shumë punë, vërtet shumë punë.
Të qenët sportist nuk është e lehtë askund në botë, por mbështetja ekonomike në nivelet e duhura, struktura të mirëfillta, strategji qeveritare – këto janë mungesa kryesore në realitetin shqiptar.
Për diçka duhet të biem dakord. Nuk “bëhesh” olimpist brenda natës. Një vend ka nevojë për burime të konsiderueshme ekonomike për të rritur rezultatet shëndetësore dhe për të investuar në trajnime dhe infrastrukturë afatgjatë.
Por vetëm pasuria nuk mund të sjellë medalje, siç mund të shihet në rastin e vendeve të vogla, por të pasura si Luksemburgu apo Monako. Një komb ka nevojë edhe për një grup të madh popullsie, nga e cili mund të merret talenti.
Mbështetja e shtetit
Shqipëria vuan nga standardizimi, menaxhimi i mirë dhe formalizimi i të gjithë tregut, jo vetëm të futbollistëve, por edhe të çmimeve të referencës: për sponsorët dhe reklamimet.
Fondi aktual nga buxheti i shtetit për sportin shqiptar është 900 mijë euro. Në një krahasim rajonal, Kosova ka mbështetje më të madhe nga shteti, përkatësisht 11 milionë euro këtë vit. Buxhetin në vitin 2022 për vendin tonë është ulur me 750 milionë lekë.
Erlind Pëllumbi, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit risjell në vëmendje se, sportistë nga Federatat kanë përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare ku kanë marrë edhe medalje. “Nëse na japin më shumë mbështetje, mund të arrijmë më shumë suksese”, – shprehet ai.
Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, u shpreh se Shqipëria e ka të nevojshme hapjen e basteve sportive por duhet rregulluar që përqindja të shkojë për buxhetin e federatave të sportit. Sipas tij, kryeministri duhet të jetë i vëmendshëm me pushtetin vendor. “Bashkitë janë ato që ndërtojnë sportin dhe terrenet. Vetëm autoriteti i kryeministrit mund të bëjë që bashkitë të rikthejnë vëmendjen nga sporti”, – tha ai.
Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes, u shpreh se të gjitha aktivitetet ndërkombëtare ata i kanë organizuar me para nga xhepi i tyre dhe ky është një element negativ për performancën, në arritje.
Gjergj Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, ka sugjeruar që bizneset në Shqipëri, të japin një kontribut për sportin. “Sikur të gjithë bizneset në Shqipëri të paguanin nga 50 euro, do të ishim shumë lart. Rrit çmimin e cigares, merr miliona. Shteti mund t’i gjejë fondet për të ndihmuar sportin”, -tha ai.
Presidenti i Federatës së Boksit, Florend Kalivopulli, tha se ka marrë oferta për të organizuar aktivitete ndërkombëtare në Shqipëri, por u shpreh se nuk i ka pranuar, pasi nuk arrihet të bëhet organizimi me fondet e ulëta.
Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, u shpreh se problemi më i madh është udhëzimi dhe mbështetja e pushtetit vendor.
Diskutimi i basteve
Ndonëse diskutohej prej kohësh, në gusht 2022, të gjitha Federatat i dërguan një peticion qeverisë, në të cilin kërkonin rihapjen e basteve.
Të kryesuara nga Armando Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, në peticion specifikohej që, rihapja e basteve sportive duhet të përfshijë transparencë fiskale totale, baste sportive online të rregulluara me ligj. Ato duhet të kryhen nga operatorë ekonomikë të certifikuar, ku të përfshihen operatorë globalë seriozë, të vendoset limiti i moshës, apo një kufi maksimal monetar.
Sipas informacioneve të marra nga komunikimet me Federatat, rregullimi me ligj i basteve sportive, në funksion të sportit, është një praktikë e ndjekur nga shumë shtete perëndimore. Ata shtojnë se, në këto shtete, të ardhurat nga bastet sportive përdoren për zhvillimin e sportit, infrastrukturës sportive, si dhe për të mbështetur rininë, gjë që Shqipërisë i mungon dhe i duhet.
Sipas peticionit, vendimi për mbylljen e lojërave të fatit në dhjetor 2018 ishte i drejtë për kohën, pasi ishin të përhapura vend e pa vend. Por, bastet sportive vazhdojnë të jenë në informalitet dhe si pasojë, të ardhurat nga kjo veprimtari, sipas tyre, t’i shkojnë krimit.
Pak javë më vonë, kryeministri Rama lajmëroi se bastet do të rihapen.
“Që të mos kemi asnjë iluzion dhe asnjë keqkuptim, ne nuk do kthehemi në asnjë mënyrë te sallat, te lojërat, te batërdia e lojërave të fatit, as për baste, as për makineta e as për dreq e shejtan. E vetmja konsideratë që ne po bëjmë është ajo për bastet sportive online dhe për asgjë tjetër”, – u shpreh kryeministri Edi Rama më 31 gusht, në një dëgjesë publike me përfaqësues të federatave sportive.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2018, të ardhurat nga lojërat e fatit llogariteshin afro 40 milionë euro. Ndërkohë që në 2019-n, paratë e mbledhura nga ky aktivitet ranë në 7.6 milionë euro për shkak të ndalimit me ligj të thuajse gjithë industrisë së bixhozit, me përjashtim të kazinove dhe Lotarisë Kombëtare.
Viti më i keq rezulton 2020, me vetëm 6 milionë euro të ardhura nga lojërat e fatit, ndërkohë që në 2021, kontributi është dyfishuar për shkak të hyrjes në lojë të tri kazinove të tjera.
Fshati Olimpik Shqiptar
Projekt ambicioz, por pa plan konkret dhe as detaje, ishte fjalimi i kryeministrit Rama një vit më parë për të krijuar një Fshat Olimpik Shqiptar, ku të jetë infrastruktura e administratës së Federatave, të ketë godinën e Komitetit Olimpik, me zyrat e Federatave dhe me gjithë aksesorët e nevojshëm që flasin gjuhën e të gjitha sporteve.
Një fshat olimpik ku të jetë basketbolli, volejbolli, peshëngritja, atletika, mundja dhe aty mundësisht duhet të shtohet elementi i notit e me radhë, sipas informacioneve të marra nga Ministria e Sporteve.
Në Shqipëri kemi një numër të konsiderueshëm klubesh sportive, skuadra sportive, grupe sportive në shumë disiplina që sot operojnë në një sistem të pastrukturuar, duke marrë në konsideratë, sipas deklaratave të tyre, që mungon Strategjia Kombëtare për funksionimin e tyre.
Sipas deklaratave të kryeministrit Rama, ka ardhur koha që të gjitha këto klube, apo skuadra, organizime, të formalizohen dhe të krijojnë një hartë të plotë të së gjithë veprimtarisë sportive dhe njëkohësisht, një sistem përgjegjësish nga federatat, të cilat janë kyçe për të monitoruar aspektin teknik, Komitetin Olimpik dhe vetë strukturat përkatëse të qeverisë.
Më tej, plani ende jo i detajuar apo i vënë në letër, parashikonte:
-Konkretizimi brenda shkollës, brenda sistemit arsimor parauniversitar dhe universitar i skuadrave sportive, duke ndërtuar edhe një kalendar kompeticioni garash, kampionatesh të fëmijëve dhe të të rinjve, qoftë në nivelin lokal apo kombëtar.
-Riiventarizimi i të gjitha palestrave në një databazë të vetme, ashtu dhe të gjitha terreneve sportive të hapura në një bazë të dhënash të vetme, bashkitë të vënë në dispozicion të gjitha hapësirat potenciale për ndërtimin e fushave të reja sportive apo mjediseve të reja sportive, ashtu sikundër do të bashkëpunojmë në këtë program me Komitetin edhe për ndërtimin e objekteve të reja të infrastrukturës sportive.
-Sfida është te kapitali njerëzor dhe kapaciteti i kujdestarëve, i mentorëve, trajnerëve.
-Diskutimi i kushteve të licencimit të trajnerëve, i certifikimit të tyre në vazhdim, kurseve të përditësimit me të rejat e sportit në fjalë.
-Monitorimi i gjithë këtyre proceseve, nëpërmjet një sistemi monitorimi.
-Rritja e mbështetjes për federatat, të jetë sa për 3 vjet fondi i gjithë këtyre federatave të sportit.
-Rritja e kapaciteteve të federatave, duke i rritur stimulin.
Ndikimi i pandemisë
Pandemia ka ushtruar presion të madh mbi sportin. Garat dhe ngjarjet e mëdha janë zhvilluar pa mbështetës dhe tifozë dhe buxhetet jetike të sponsorizimit janë tkurrur në mënyrë drastike.
Shpenzimet kryesore
-Shpenzimet më të mëdha janë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit, si dhe gjurmimin e talenteve.
-Fluturime Charter
-Hotel, për çdo grumbullim jashtë Shqipërisë
-Për çdo grumbullim brenda, grumbullim dhe shpërndarje e lojtarëve
-Mjekë, fizioterapistë
-Dietë ushqimore e personalizuar për sportistët
Burimi: Komunikimi me trajnerë
Sipas faqes së njohur të botës së futbollit, Transfer Market, nga të dhënat e përditësuara të këtij viti, Kombëtarja e Shqipërisë kushton 46.88 mln euro, mbështetur në vlerën e tregut të secilit prej lojtarëve.
Financimi i shtetit
– Sportistët pjesëmarrës në veprimtaritë kombëtare të përcaktuara në rregulloret kombëtare dhe në veprimtari ndërkombëtare, për përgatitjen e tyre, përfitojnë trajtim ushqimor në natyrë, ose në vlerë, si dhe trajtim mjekësor.
– Trajtimi ushqimor është 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj. Trajtimi mjekësor dhe riaftësimi i sportistëve është deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.
– Trajtimi ushqimor dhe mjekësor mbulohet plotësisht ose pjesërisht nga klubet sportive, me fondet e pushtetit vendor, nga fondi grant ose të ardhura të tjera të ligjshme.
– Trajnerët e kontraktuar me kohë të pjesshme pranë klubeve sportive/shumësportesh do të paguhen në masën 500 (pesëqind) lekë për orë stërvitore dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) lekë në ditë për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj.
– Federatat dhe klubet mund të grumbullojnë ekipet e tyre përfaqësuese për veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlera ditore për akomodimin dhe ushqimin është 7 000 (shtatë mijë) lekë (4 000 lekë ushqimi + 3 000 lekë fjetja) në ditë, sipas nevojave që ato kanë, dhe mbulohet nga buxhetet e federatave apo klubeve, sipas marrëveshjes ndërmjet palëve.
Tatimi
Sipas një projektligji të depozituar në Kuvend, “Për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, shumat e sponsorizuara për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar”. Në këtë mënyrë, në rast se një subjekt financon me 10 milionë lekë një ekip sportiv, ai do të shmangë nga taksat trefishin e kësaj shifre.
Pra, nuk do të paguajë tatimin prej 15 përqindësh për 30 milionë lekë. Ky është një përjashtim i ri fiskal në favor të sporteve, por që njëkohësisht mund të konsiderohet si selektiv, duke qenë se lejon një gjë të tillë vetëm për kompanitë e mëdha.
Përjashtimi nga taksat ekziston në ligjin shqiptar edhe për veprimtari të tjera, si kultura, apo organizata të ndryshme, por mbulon vetëm sasinë e financuar nga subjektet në masën 100%. Ndërkohë, për sportin duket se bëhet një favorizim i dukshëm, duke qenë se shifra trefishohet.
Ligji/ Financimi i Sportit në Shqipëri
Ligji në fuqi specifikon se, Federatat sportive, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Organizata Kombëtare Antidoping financohen me fonde të dhëna nga buxheti i shtetit në formë transferte, të parashikuara në buxhetin e shtetit, si dhe nga burime të tjera të ligjshme, e përcaktuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për Financat dhe ministrit përgjegjës për Sportin, e rishikuar ose jo brenda vitit.
Nga ana tjetër, Ministria përgjegjëse për Sportin financon federatat joolimpike me projekte nga buxheti i saj në formë transferte për veprimtari të propozuara prej tyre, duke pasur në konsideratë ndikimin social, ekonomik dhe mjedisor. Ministria përgjegjëse për Sportin mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë dhe administrimin e transfertës së buxhetit të shtetit në të gjitha organizatat sportive që kanë përfituar nga fondet publike.
Shoqatat sportive mund të përfitojnë financime edhe nga organet e pushtetit qendror ose vendor, në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet transfertave dhe nga burime të tjera. Shoqëritë sportive mund të përfitojnë financime edhe nga organet e pushtetit qendror ose vendor, në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet transfertave dhe nga burime të tjera.
Klubet sportive mund të përfitojnë financime nga organet e pushtetit qendror ose vendor, në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet transfertave dhe nga burime të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.