Një investim i guximshëm, dinjitoz dhe “largpamës” duket të jetë nisma e fundit për ndërtimin e një fabrike moderne të përpunimit të qumështit
Një takim i rastësishëm mes dy shokëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës, në degën e zooteknisë, rreth katër vjet më parë ishte pikënisje për investimin prej 6 milionë eurosh në ndërtimin e fabrikës së përpunimit të qumështit, “Primalat”, që u inaugurua pak ditë më parë.
Dy ish-studentët, Sami Gjergji, administrator i kompanisë së prodhimit të vezëve “Floryhen” me përvojë 20 vjeçare në biznes dhe Vigan Dervishi, akademik që prej më se 20 vitesh punonte në laboratorët shkencorë të Parisit, vendosën të bashkonin kapitalet dhe profesionalizmin, në një fushë “që duket se është e tyre” dhe ku hapësirat ishin të mëdha për shkak të importit të lartë. Sot ëndrra e tyre është bërë realitet, me një fabrikë të përpunimit të qumështit, të pajisur me një teknologji moderne, sipas standardeve evropiane të cilësisë, duke ecur me hapa më të shpejtë se vendi drejt integrimit në Bashkimin Europian. Sipas Ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, i pranishëm në inaugurim, këto standarde janë të nevojshme për tu aplikuar pas marrjes se statusit kandidat për në BE. “Së pari duhet të vlerësojmë këtë investim në fushën e përpunimit të qumështit që sjhell për herë të parë në Shqipëri teknologjinë e paketimit “tetra pack” dhe teknologjinë e sterilizimit UHT. Së dyti futja e teknologjie të tilla sjell vendosjen në treg të kërkesës për standardet më të larta të higjienës dhe sigurisë ushqimore dhe kjo vendoset nga prodhime “Made in Albania”, nga prodhime brenda tregut shqiptar. Me marrjen e statusit të kandidati për në BE, aplikimi i standardeve më të larta në këtë industri nuk është më një aspiratë e jona që duhet ta arrijmë në vite, por është një aplikim dhe detyrim konkret për ta aplikuar dhe arritur me një agjendë shumë të shpejtë. Sigurisht pasja në treg e produkteve të tilla është një demonstrim i standardit më të lartë. Rëndësinë e tretë të këtij investimi do ta vija për faktin që ai demonstron atë reflektimi të madh që është bërë në mbarë botën, sidomos në kushtet e krizës financiare. Është me të vërtetë për tu lavdëruar ky refleksion që kanë pasur investitorët dhe janë për tu përshëndetur bankat shqiptare për mbështetjen që i kanë dhënë këtij investimi. Prodhimi i qumështit në Shqipëri është rritur nga vitit në vit, ndoshta segmenti më problematik ka qenë procesi i përpunimit. Fenomeni ende i papëlqyeshëm i tregtimit të qumështit me bidona plastikë vijon të mbetet në periferi të qyteteve. Industria e qumështit këto vite ka bërë përparime. Janë mjaft fabrika qumështi që plotësojnë çdo standard të kërkuar, por kjo fabrikë sjell atë standard që vinte nga importi, dhe ne e kemi sot në Shqipëri, që është paketimi “tetra pack”, – tha ministri Genc Ruli.
Megjithëse fabrika “Primalat” është përuruar dhe ka filluar punë në kulmin e krizës ekonomike, drejtuesit e saj janë të bindur për suksesin që do të kenë. Fakti që në Shqipëri, rreth 70% e qumështit UHT vjen nga importi, është një shtysë e fortë për sipërmarrësit që të investojnë në krijimin e markave vendase, të cilat kanë epërsi ndaj konkurrentëve të huaj, në çmim dhe në shije.
Gjysma e investimit prej 6 milionë euro është mundësuar nga fondet e veta dhe gjysma përmes kredive nga Raiffeisen e Pro Credit Bank, duke dëshmuar në këtë kohë të vështirë, kur bankat pothuajse kanë frenuar kredidhënien në vend, se projektet e mira financohen.
Për të qenë sa më produktivë dhe eficentë në kosto, administratorët nuk kanë “kursyer” aspak në teknologji. Çdo makineri e pajisje është e teknologjisë më të fundit të vitit 2010 dhe ku arritja e standardeve të larta të sigurisë ushqimore është kujdesi kryesor i drejtuesve të fabrikës. Falë teknologjisë dixhitale, qumështi kalon direkt nga botet e fshatarëve përmes tubave, ku madje matet edhe përqindja bakteriale si dhe sasia e tij, në tanket e fabrikës. Më pas ai përçohet në makineritë përpunuese ku sterilizohet dhe kthehet në lloje të ndryshme qumështi apo nënprodukte të tij.
“Falë teknologjisë, e kemi shumë të thjeshtë që të identifikojmë menjëherë cilësinë e qumështit. Nëse ka përqindje të lartë bakteriale, qumështi kthehet mbrapsht, duke mos cenuar cilësinë e produkteve tona”, thotë drejtori i fabrikës “Primalat”, Vigan Dervishi, i cili tashmë ka braktisur laboratorët gjenetikë të Parisit dhe i është përkushtuar biznesit në vendin amë.
E ngritur në Sukth, pranë qytetit të Durrësit, fabrika ka nisur prodhimin dhe shpërndarjen e prodhimeve në tregun vendas dhe atë kosovar.
Larmi produktesh dhe investime të reja
Aktiviteti i “Primalat” është mbështetur nga kompania multinacionale “Tetrapak” në makineri dhe paketim, në përputhje me standardet ndërkombëtare të ushqimit.
Kompania prodhon dhe shpërndan në pikat e shitjes rreth 20 tonë qumësht UHT dhe nënprodukte të tij në një ditë, duke ofruar larmi artikujsh, si lloje të ndryshme qumështi me 0,5%, 1.5% dhe 3.5% përqindje yndyre si dhe djathë, salcë kosi, kos, gjalpë, etj.
Ndërkohë që ka edhe një gamë të gjerë të llojeve të qumështit, që nga ai për baret dhe tek ai i pasuruar me kalcium, që ndihmon në shëndetin e moshave të ndryshme.
Por larmia e produkteve nuk do të mbetet me kaq.
Sami Gjergji tregon për “Monitor” se planet e investimit do të vazhdojnë, ku synohet futja e produkteve të reja në treg, të cilat do të zëvendësojnë ato të importit.
“Po punojmë me Bankën Botërore për ngritjen e një linje të re për prodhimin e tri produkteve të reja të qumështit me lëng frutash dhe çokollatë. Ndërkohë jemi në bashkëpunim edhe me ‘Tetrapak’ për realizimin e një investimi prej afro 300 mijë eurosh për ngritjen e linjës së prodhimit të panës së kuzhinës dhe pastiçerisë”, thotë administratori i “Primalat”, Sami Gjergji.
Planet nuk përfundojnë këtu. Një tjetër projekt është prodhimi i paketimeve prej 330 ml të qumështit dhe dhallës për fëmijët e shkollave, të cilat mund të jenë ushqim shumë i përshtatshëm në ambientet mësimore. Në paketën e produkteve për fëmijë është edhe prodhimi i milk-shake, një investim që do të kërkojnë rreth 1 milion euro.
“Kemi shumë projekte të reja për të realizuar dhe nuk kemi ndërmend që këto t’i bëjmë të vetëm. Në grup do të përfshihen edhe investitorë të rinj, sepse kemi synimin për t’u rritur dhe për të ecur përpara. Kemi interesime nga BERZH, kompani të mëdha turke dhe izraelite, por jemi ende në tratativa”, thotë drejtuesi i sipërmarrjes, i cili i qëndron larg mentalitetit të pjesës më të madhe të biznesit shqiptar, që duan me çdo kusht të kenë gjithë kontrollin në një kompani.
Por pak lëndë e parë
Në një kohë kur investimet në industrinë e përpunimit të qumështit po rriten, fabrikat po vuajnë mungesën e lëndës së parë, qumështit. Copëzimi dhe moszhvillimi i bujqësisë ka limituar sasinë e qumështit të prodhuar në fermat e vogla vendase. Në këto kushte, industrialistët e kanë të vështirë të sigurojnë sasinë e duhur të lëndës së parë dhe po gjejnë si alternativë “shndërrimin” edhe në fermerë.
Fabrika “Primalat” punon sot me 30-40% të kapacitetit të saj dhe me gjithë përpjekjet për të rritur grumbullimin nga fermerët, nuk arrin të plotësojë kuotat e prodhimit.
“Por kjo nuk më demoralizon, sepse në çdo sektor, është industria ajo që orienton dhe nxit prodhimin. Dhe ne këtë jemi duke bërë”, thotë z. Gjergji.
Kompania ka nisur bashkëpunimin me fermerë të zonës, por edhe në Lushnjë, Fier dhe Shkodër, nga ku furnizohet me qumësht, duke i ofruar gjedhë “cilësorë”, të cilët prodhojnë sasi të mëdha.
“Fakti është që fermerët shpenzojnë për t’i ushqyer lopët, por vjelin pak prej tyre. Ne jemi duke i ofruar lopë që konsumojnë po aq ushqim, por që prodhojnë shumë më tepër, duke i shërbyer kështu vetes, por edhe fermerëve”, thotë Vigan Dervishi, drejtori i fabrikës.
Por ndërkohë, kompania ka nisur tashmë investimin në bashkëpunim me BERZH-in për ngritjen e një ferme me 500 lopë, përmes së cilës do të sigurohet më shumë qumësht dhe do të rritet kapaciteti përpunues në fabrikë me mbi 25%.
Gjedhët jo vetëm do të shfrytëzohen për përpunimin e qumështit, por edhe do të mbarështohen për t’u shpërndarë më pas te fermat e tjera, nga ku furnizohet “Primalat”.
Përmes këtij investimi, kompania do të arrijë të përpunojnë mbi 30 tonë në ditë, nga 20 tonë që prodhon aktualisht.
Objektivi i sipërmarrësve të “Primalat” është i qartë: kërkohet që të konkurrohet ashpër në tregun vendas, e sidomos kundrejt importit.
Në këtë drejtim, hapësirat janë të mëdha. Sipas të dhënave nga operatorët, Shqipëria konsumon rreth 400-450 tonë qumësht në ditë dhe nënprodukte të tij. Nga kjo sasi, rreth 100 tonë është qumësht UHT dhe kërkesa për të po rritet vazhdimisht nga konsumatorët, sidomos në qytetet e mëdha, ku kujdesi për sigurinë ushqimore është më i lartë. Ndërkohë konsumohet rreth 200 tonë qumësht i freskët.
“Fakti që konsumatorët po drejtohen tek UHT është një nxitës i mirë që ne të jemi agresivë, sidomos kur importi është shumë i madh”, thotë z. Gjergji.
Kompania e ka nisur tregtimin e produkteve të saj në Shqipëri dhe Kosovë njëherësh, ndërkohë që po planifikon hyrjen edhe në Mal të Zi apo Maqedoni, në ato zona ku jetojnë shqiptarët.
Eksporti në vendet europiane mbetet një plan më i largët, pasi nevojat e tregut vendas janë ende shumë të mëdha.
Industria, rriten investimet dhe konkurrenca
Me investimet e bëra së fundi, kapaciteti i përpunimit të qumështit në vend llogaritet rreth 25 mijë litra/orë në total. Krahasuar me prodhimin në ferma prej rreth 10 milionë hektolitrash në vit, kapacitetet janë shumë më të larta, aq sa për të plotësuar kërkesën e një tregu tri herë më të madh se Shqipëria. Në vend prodhohen rreth 1.2 milionë tonë qumësht në vit, por ky prodhim ka ende një sfidë për të arritur te konsumatori, e cila lidhet me gjithë zinxhirin e përpunimit dhe tregtimit të tij. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në pesë vitet e fundit pothuajse është dyfishuar numri i fabrikave të përpunimit të qumështit, stabilimente të mëdha të standardeve të larta teknologjike dhe njëkohësisht të fabrikave të vogla dhe të mesme, që kanë standardet e duhura teknologjike dhe të sigurisë ushqimore. Fabrika të përmasave të tilla janë të përshtatshme në këto zona, për arsye se mbulojnë kapacitetet prodhuese të fermave blegtorale të vetë zonës dhe nga ana tjetër, profilizohen në prodhimin e produkteve tipike të zonës, djathin, bulmetin etj. Ka shumëllojshmëri të prodhimeve të qumështit në treg dhe rritet konkurrenca mes prodhuesve.
Edhe eksportet janë pjesë e objektivave të përpunuesve. Dhe, vitin e kaluar, filluan shenjat e para të eksportit. Sipas të dhënave doganore, gjatë 2011-s eksportuan rreth 2 mijë hektolitra, ndërsa eksportet e viteve të kaluara ishin të padukshme. Tregu i parë i synuar ishte ai i Kosovës. Por, përpunuesit mendojnë se mund të eksportojnë edhe në vende të tjera në Ballkan.
Ambiciet e tyre për të eksportuar duken disi të tepërta në sytë e specialistëve të blegtorisë, për sa kohë, rrjeti i furnizimit është shumë i paorganizuar. Madje, raporte të organizmave ndërkombëtare për blegtorinë tonë vënë në dukje shkallën e lartë të përmbajtjes mikrobike në qumështin e fermave shqiptare. Kjo së bashku me koston janë pengesë e madhe për eksportet e qumështit. Një zgjidhje më e thjeshtë për industrinë (të paktën për një periudhë afatshkurtër) është importi i lëndës së papërpunuar dhe rieksporti i qumështit të paketuar. Sipas ekspertëve të tregtisë, kjo nuk është zgjidhja më e mirë, pasi normat e fitimit do të ishin shumë më të kufizuara, për shkak të kostove të dyfishta të transportit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.