Stilisti është një ndër profesionet më në zhvillim në nivel global. Duke qenë në vorbullën e një elementi që ndryshon, apo riciklohet sikurse moda, stilistët përballen me sfida në rritje me kalimin e viteve. Në Shqipëri, ky profesion shpesh është ngatërruar me rrobaqepësin. Ajo për të cilën stilistët shqiptarë ankohen është zhvlerësimi i punës krijuese, tregu i vogël për të qenë sipërmarrës të mëdhenj dhe fuqia e ulët blerëse…
Nga Deada Hyka
Dita e Enada At’Nikolla nuk nis si rutina e përditshme e një personi që duhet të shkojë në punë. Është e mërkurë, mëngjes, dhe Enada lëviz nëpër atelienë e saj me kafenë në dorë, duke ndjekur në imtësi çdo detaj që ka të bëjë me porositë e fundit. Të gjitha nga të ashtuquajturit “VIP” shqiptarë, të fushës së showbiz, por edhe më tej. A e ngre Enada zërin ndonjëherë? Sipas saj, kjo gjë është normale në përditshmërinë e punës së saj. Mirëserdhët në jetën plot tension të një stilisti shqiptar. Një punë ëndërr për shumë nga fashionistat që frymëzohen prej tyre, por njëkohësisht profesion me sfida në një terren të vështirë si ai shqiptar.
Profesioni i një stilisti shqiptar, që mban emrin dhe markën respektive, ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Kërkesa për veshje të stiluara, edhe pse fillimisht e paqartë, sipas tyre, ka ekzistuar gjithmonë. Ajo është rritur pas vitit 1999, duke u bazuar te stilistët pionierë të kësaj fushe në Shqipëri. Një biznes që në botë qarkullon miliarda, në Shqipëri sapo ka kaluar fazën e parë të zhvillimit. Faza tjetër është konsolidimi i emrave, gjë që ndodhi pas vitit 2010. Stilistët e parë shqiptarë e kanë krijuar emrin dhe markën e tyre dalluese prek pak vitesh, krahasuar me kolegë rajonalë apo botërorë.
Në këtë fazë të zhvillimit të industrisë së modës shqiptare, siç duan ata ta cilësojnë, mendohet se emri që kanë krijuar i ka ndihmuar jo vetëm të shesin “shtrenjtë”, por dhe të diversifikojnë produktet e tyre, të mos mbeten vetëm në veshje. Një tjetër profesion, i lindur vitet e fundit, së bashku me stilistët, është edhe ai i këshilluesit të modës. Jo krijues, por këshillues për të veshur të tjerët, kryesisht VIP-a në evente, dalje televizive, programe apo show, si dhe videoklipe, në rastin e këngëtarëve. Stilistët pohojnë njëzëri: në këtë biznes, ai që shet është emri, për të cilin duhet shumë punë.
Kur hapi atelienë e saj në vitin 2006, nuk e pa si një biznes fitimprurës, por si dëshirë dhe pasion për profesionin që zbuloi te vetja, gjë që e shtyu të rrezikojë në këtë rrugë të re. Anila Ikonomi është tashmë emër i njohur në fushën e modës shqiptare. Fillimi për të ka qenë i vështirë, por me kalimin e viteve, emri punon për ty.
Rezarta Skifteri, një stiliste e cila vesh personalitete të njohur shqiptarë, si dhe personazhe në fushën e biznesit, thotë se kostoja më e madhe e sipërmarrjes së saj është puna. Për të, puna e stilistit deri në krijimin përfundimtar të produktit, ka një mori hallkash për t’u respektuar dhe që secila, kërkon një punonjës. Ajo pohon se puna në stafin e saj është zinxhir, çdo hallkë e së cilës është e rëndësishme, pa secilën prej tyre, nuk ka produkt.
“Në Shqipëri është më e vështirë se jashtë, ku stilistët, dizajnerët arrijnë të bëhen sipërmarrës të mëdhenj, me staf të madh etj. Në vendin tonë, nuk kemi një treg aq të madh ku dizenjot e tua të materializohen për një treg më të gjerë. Ne punojmë kryesisht për spektaklet televizive, pasarelat dhe pjesa e njerëzve të thjeshtë që porosisin për ngjarje familjare të ndryshme”, – tregon Rezarta. Stilistja shton se profesione të tilla në vendin tonë kanë nevojë për një shtysë dhe mbështetje. Në një treg kaq të vogël, konkurrenca ndihet, sidomos te të rinjtë që duan të hapin biznes në këtë fushë. Rezarta shton se, në shumë raste, nuk i duhet shumë kohë për të ideuar veshjet, sidomos kur ke frymëzim, por për t’i sjellë në jetë si produkte duhet kohë dhe punë e konsiderueshme.
Shpesh, për stilistët kostoja më e lartë është investimi, jo vetëm në emrin e tyre, por edhe te klientët. Nëse një njeri i famshëm bëhet i njohur për një atribut të caktuar, qoftë këngëtar, aktor etj., stilistët priren që të jenë të gatshëm të merren me dizajnin e tyre, pasi çdo dalje televizive apo në rrjete sociale, është një mundësi e mirë promovimi. Kjo ndodh, sipas tyre, në fazën e parë të punës së një stilisti. Sepse për t’u veshur nga stilistët më me emër, ndodh e kundërta: VIP-at i kërkojnë ata.
Ardi Asllani është një prej emrave më të njohur të modës në Shqipëri. Në një punë prej dy dekadash, Ardi ka dizenjuar veshjet e shumë artistëve në emisione, videoklipe, filma dhe teatër. “Do të doja shumë që në Shqipëri, gjërat të funksiononin siç veprohet në tregun ndërkombëtar, që dhe stilistët shqiptarë të kishin mundësi të krijonin koleksionet e tyre, por kjo është e pamundur dhe nuk të çon dot tek të gjithë”, – thotë ai.
Ardi Asllani është shembulli që investimi për emrin kthehet pas të paktën një dekadë punë dhe moda që ai përçon, është bërë objekt tërheqjeje për shumë, sidomos të njohur në fusha të ndryshme. Kjo ka ndihmuar që ai të krijojë markën e tij në këtë sektor.
Sipas Ardit, Shqipëria është ende larg të qenët një vend ku mund të organizojë “fashion week” (java të modës) si kudo tjetër në botë, pasi tregu është i vogël dhe krijimet jo të personalizuara apo të porositura, do të ishin një kosto e madhe për stilistët shqiptarë.
“Nëse do të kishim punuar si treg rajonal, duke mos u shtrirë në Itali, pasi ata kanë modën e tyre, por në bashkëpunim me Maqedoninë, Kosovën, Serbinë apo Bosnjë-Hercegovinën, tregu do të ishte më i gjerë e kështu koleksionet e stilistëve do të kishin gjetur vend. Në Shqipëri mbetemi gjithmonë në formën e veshjes me porosi”, – thotë ai.
Atelietë shqiptare kanë tashmë një klientelë të përcaktuar. Femrat janë padyshim ato që kërkojnë të jenë më të veçanta me veshjen e tyre dhe u drejtohen stilistëve, për të pasur veshje ‘posaçërisht’ për to. Por tendenca ka ndryshuar. Joni Peçi është një nga shembujt e stilistëve shqiptarë, që solli qasje edhe për meshkujt.
Sipas tij, janë kryesisht meshkujt e moshës 30-50 vjeç që preferojnë veshjet e stiluara. Megjithatë, me kalimin e viteve ka ndryshuar thuajse ka rënë miti i gjinisë për porosi veshjesh. Tanimë, shton Joni, ngjarjet familjare apo edhe dasmat, janë arsyet kryesore që nxisin meshkujt që të porosisin veshje, kryesisht kostume.
Sipas stilistëve të tjerë, adoleshentët zënë një vend të vogël në punën e tyre dhe në të shumtën e rasteve, kërkesa nga kjo grupmoshë është për mbrëmjen e maturës. Ndërsa klientela thuajse është diversifikuar, kërkesat e çdo klienti sipas stilistëve, janë personale dhe nuk përngjajnë me njëra-tjetra. Sipas tyre, stilistët vetë priren që të japin sugjerime edhe pse femrat shqiptare e kanë të vështirë të “binden 100%”. Pjesa më e madhe e tyre vijnë me një model të gatshëm Instagram, nga fashionistët e njohur jashtë.
Shqiptarët në ‘Oscar’
Në shkurt të vitit të shkuar, gjatë ceremonisë së çmimeve ‘Oscar’, për herë të parë, tre stilistë shqiptarë ishin të pranishëm me krijimet e tyre. Sipas kritikëve të modës, modelet ishin mirëpritur dhe vlerësuar, gjë që mendohet se ndikon më tej në zhvillimin e një stilisti.
Rrjetet sociale
Stilistët shqiptarë paguajnë shuma të mëdha për të realizuar një “photoshooting”, kosto së cilës i shtohet edhe prania e një modeli, reklamimi i mëtejshëm në media apo gjetkë. Reklama më e mirë që stilistët kanë, është vetë personazhi që i vesh. Për evente të ndryshme, stilistët, duke ndjekur modele botërore, të zhvilluara tashmë ndër vite, vendosin të veshin një “VIP” që do të reklamojë veshjen e tyre në atë tapetin e kuq, sado modest të Shqipërisë. Kjo gjë ka parë zhvillim edhe më të madh, sidomos me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale. Në fillim Facebook, tashmë Instagram, janë mjetet më të mira të marketingut që stilistët po përdorin.
Sa më shumë ndjekës të ketë një VIP, aq më mirë është për stilistin.
Praktikisht, në terma të reklamimit të tyre, disa stilistë po gjejnë një linjë të re të ardhurash online. Rrjetet sociale i kanë vënë stilistët në garë si influencues. Disa prej tyre, zgjedhin të veshin persona publikë, pothuajse aq të ‘mëdhenj’ sa edhe talenti që zotërojnë. Këta njerëz publikë shpesh u bëjnë tag “ekipeve të tyre” në postimet në rrjetet sociale dhe stilistët përfitojnë nga kjo formë e famës për të zhvilluar karrierën e tyre përtej veshjes së klientëve dhe në mundësi më të gjera si partneriteti i markës dhe nënshkrimi i kontratave me ekipe të mëdhenj.
A ka modë të mirëfilltë në Shqipëri?
Sipas stilistëve të kontaktuar, efekti global i hapësirës publike, pushtetit të kompanive të mëdha të modës dhe reklamimit nëpërmjet publikimit të modeleve të caktuara, kanë krijuar edhe në këtë industri, si në të gjitha pjesët e tjera të jetës, parafabrikimin e ideve dhe stilit të veshjes.
Sipas tyre, në vendin tonë është vështirë të përballesh me njerëz që kanë një stil të veçantë veshje, pasi modelet botërore të personave publikë në fusha të ndryshme, janë dominues dhe mbi të gjitha ndikues në stilin e veshjes për shqiptarët. Për këtë, ka dhënë kontribut të madh edhe ndjekja në rrjetet sociale. Ata theksuan se në Shqipëri ka njerëz që mundohen të prodhojnë disa tendenca unike të të veshurit dhe stilit, por pavarësisht këtij fakti, thelbi i tyre i veshjes është i pamundur të shkëputet nga ‘kallëpet’ që reklamohen nga emrat e njohur të modës, sportit apo showbiz-it botëror.
Mendësia në këtë biznes
Sipas stilistëve, ‘lufta e parë’ ka qenë përballja me mendësinë e shqiptarëve, që stilistët janë thjesht rrobaqepës. Kjo gjë e ka zhvlerësuar punën e tyre prej vitesh, duke qenë se janë përpjekur që të operojnë me çmime të leverdishme, që nuk arrinin kurrë të përmbushin listën e gjatë të kostove. Nga ana tjetër, sipas Joni Peçit dhe Ardi Asllanit, në Shqipëri ky nuk është cilësuar kurrë si një profesion për burra, edhe pse tani ka shumë të tillë.
“Në vitet që unë kam nisur, stilistët e famshëm kryesisht ishin të ndarë, kush qepte për gra ishte grua e kush për burra, ishte burrë. Fatmirësisht kohët ndryshuan, kjo gjë solli shumëllojshmëri dhe ndjekje të hapave botërorë. Sfida të tjera më pas janë përditshmëria, përballja me njerëz të ndryshëm. Ka një problem me njerëzit që kur shkojnë te stilisti apo parukeri kanë tendencën të bëjnë ekspertin e fushës.”- pohon Ardi Asllani.
Një pjesë e konsiderueshme e atelieve të modës në Shqipëri kanë nisur të operojnë prej vitesh me qiranë e produkteve që krijojnë. Sipas Drilona Boçit, administratore e “Altar” në Tiranë, kërkesat për qira në stilimet e Valdrin Sahitit ishin të larta.
“Në fillim, atelieja jonë në Tiranë u mundua që të sillte konceptin e asaj mëmë në Prishtinë, porosi individuale nga klientët, si dhe modele të aksesueshme në dyqan, në rast se dikush nuk ka kohë dhe dëshiron të marrë një fustan të stiluar. Mirëpo, vumë re që kërkesa për qira ishte e lartë. Kërkojnë kryesisht mosha të reja, femra, për evente të ndryshme, duke nisur nga ditëlindjet, ngjarje familjare dhe më tej”, -tha Drilona.
Edhe atelietë e tjera të kontaktuara pohojnë se çmimi për qira i një krijimi të një stilisti të njohur është disi i kripur. Në rast se një fustan kushton 1000 euro, çmimi për qira fillon nga 40 mijë lekë për një event.
Programet televizive
Moda është një biznes nga ana vizuale ndaj dhe emri duhet skalitur në mendjen e njerëzve. Një ndër elementet që ndihmon në skalitjen vizive të krijimeve, në rastin konkret janë emisionet televizive. Sa më i ndjekur të jetë emisioni, aq më shumë përfiton stilisti. Prezantuesit kujdesen që të falënderojnë gjithnjë stafin që, sipas tyre, ‘ka bërë të mundur veshjen e tyre’; këtë gjë e bëjnë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale dhe kjo mendohet se është një ‘gol’ për stilistin që mbulon këtë fushë. Kudo në botë, veshja në televizione është një ndër fushat më fitimprurëse për stilistët. Funksionon në dy forma: veshje me sponsorizim, prezantuesi vishet me këtë markë dhe përmend emrin e stilistit në emisionin televiziv. Forma e dytë është nënshkrimi i kontratave që stilistët veshin stafin, kanë kurator mode etj., që është forma më e përdorur në tregun botëror të televizioneve.
E ardhmja
Sipas stilistëve, në Shqipëri ekzistojnë dy lloj nivele klientësh, ai i lartë dhe i ulët. Që të mund të flasim për një vlerësim më të madh të punës së tyre, duhet që të arrihet niveli i mesëm. Hyrja e Shqipërisë në BE, sipas stilistëve, do të zgjeronte këtë treg. Stilistëve do t’u duhet një punë të paktën 10-15-vjeçare për t’iu afruar sadopak kulmit të biznesit të modës si në Europë apo në botë.
Çmimet
Çmimi për qira i një krijimi të një stilisti të njohur është disi i kripur. Në rast se një fustan kushton 1000 euro, çmimi për qira fillon nga 40 mijë lekë për një event.
Televizioni prestigjioz Fashion TV, i cili mendohet si hapësira më e madhe e promovimit të krijimeve të stilistëve, njëkohësisht, ndikuesi për zhvillimin e biznesit të tyre, ka bashkuar këtë vit stilistët më të mirë nga Shqipëria e Kosova, në një sfilatë e cila u organizua në Duplex Premium në Prishtinë. Stilistët nga Shqipëria ishin Enada At’Nikolla, Rrezarta Skifteri, Bora Kokëdhima dhe ata nga Kosova Blerina Kllokoqi – Rugova, Yllka Brada, Drenusha Xharra dhe Diana Qerimi.
Model / Shqiptare por suksesin e biznesit e arrin jashtë
Katerina Boci është stilistja shqiptare me klientelë për t’u pasur zili nga mjaft stiliste të njohura në botë. Ajo e ka nisur karrierën e saj dhe ka hapur atelienë e parë personale në vendin e lindjes, Shqipëri.
Në vitin 2001, ajo emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe u bë menjëherë e njohur në zonën e Detroitit për modelet e saj të veshjeve, të cilat ishin me stil mjaft të dallueshëm, duke shitur me fitime të mëdha dhe duke krijuar shumë shpejt një klientelë të sofistikuar private, si dhe në butikë si Kleinfeld në Nju Jork, Roma Sposa dhe Alessandra Bridal në Miçigan dhe Sposaitalia në Kanada.
Pasi u diplomua në Institutin SITAM në Padova, Itali, Boci hapi atelienë e saj në Shqipëri. Në vitin 2007, Boci hapi studion më të madhe të modës në Miçigan. Në ndërtesën mbi 2,000 mijë metra katrorë, ajo pret klientë të shquar me shije të mira në fushën e modës. Shumë çmime shënohen në karrierën e Katerina Boci, një pjesë të të cilave i ka fituar si stilistja më e mirë “Best Designer” nga “Hour Detroit Magazine”, “Strut Magazine” etj. Por stilimet e saj janë paraqitur edhe brenda revistave e gazetave të njohura si “The New York Times”, “Hour Detroit”, “Style” dhe “Inside Weddings”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.