“Merren me fushatë”. Sipërmarrja private analizon situatën: Korrupsion dhe gjoba
Tatimet pranojnë se në vitin 2012, rikontrollet ndaj biznesit janë rritur me 5.6 për qind
ARD KOLA
Administratat tatimore dhe doganore duket se janë duke përmbushur një tjetër plan, atë të fushatës elektorale dhe arkës për menaxhimin e votave, pasi për buxhetin të dhënat paraqiten dramatike. Të paktën, si tremujor i parë 2013, nga këto dy institucione të rëndësishme, të cilat janë në pikën më të ulët të administrimit fiskal, kemi një performancë tejet negative, me 5.3 për qind më pak të ardhura se tremujori i parë 2012. Historikisht, tremujori i parë paraqitet dobët dhe përmirësohet rrugës, por nëse e krahasojmë janar-mars 2013 me 10 vitet e fundit (sikurse duket nga grafiku), periudha e këtij viti është më negativja e të gjitha kohërave.
Situata e krijuar me rënien e të ardhurave, në masën e rreth 4.7 miliardë lekëve vetëm nga Tatimet dhe Doganat, padyshim që shqetëson edhe biznesin, të cilës i druhet një të ardhme të pasigurt. “Nëse sot jemi keq, atëherë masat për të dalë nga kjo pikiatë do të realizohet në kurrizin tonë”, thotë Alban Zusi, ekspert i tregjeve, si dhe kryetar i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë.
Përfaqësues të shoqatave të biznesit e analizojnë situatën me ndjenjë revolte, por të paktë janë ata që i thonë hapur, natyrisht i druhen hakmarrjes me gjobat. Nikolin Jaka thotë se gjendja është e papranueshme dhe se palët duhet të ulen në tryezë për të diskutuar marrjen e masave. “Anëtarët e Dhomës së Tregtisë raportojnë gjithnjë e më shumë humbje, kurse shteti nuk i paguan. Kemi gjykuar së fundmi se alternativa e vetme është ndërmarrja e një amnistie fiskale, por me të tjera rregulla”, thotë kryetari për Qarkun e Tiranës, Jaka.
Gjergj Buxhuku i Konfindustrisë thotë se, “plani i masave, pra paketa e fundit fiskale me rishikimin e disa taksave, konkretisht te TVSH-ja, duhet të hyjë sa më parë në fuqi për zbatim”.
Po çfarë po ndodh me ecurinë e të ardhurave, pse kanë rënë, nuk është në gjendje biznesi të paguajë taksat apo të ardhurat po keqadministrohen?
Sipas bizneseve, administratat e menaxhimit të taksave pothuajse janë shkrehur fare, mungon motivimi për punë dhe se fushata elektorale i ka përfshirë deri në pikën për të lënë pas dore funksionin ligjor: shërbimin ndaj sipërmarrjes private.
“Rënia e të ardhurave ka rënë kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit, rritjes së informalitetit dhe korrupsionit njëkohësisht. Shikojmë një demotivim të administratave në prag të zgjedhjeve, një farë shthurjeje të tatimeve dhe doganave. Bashkë me këta faktorë, kemi edhe politikën e gabuar të taksave sa u takon produkteve që dalin për eksport”, thotë Zusi.
Jaka e mbështet shqetësimin me gjobat e vendosura, sidomos pas amnistisë fiskale, proces ky i konsideruar i dështuar, pa ndikim pozitiv për biznesin dhe madje me pasoja. “Ne si Dhomë Tregtie kemi qenë të drejtpërdrejtë me kërkesat tona. Të fundit lidhen me gjobat, borxhet, pezullimin e pagesës së taksave që lidhen me detyrimin e anasjelltë dhe amnistia fiskale. I kam dërguar një letër me propozime konkrete Kryeministrit dhe ministrit të Financave”, shton më tej Jaka. “Për të ndalur vendosjen e gjobave dhe arbitraritetin e sistemit fiskal dhe tatimor, Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit u kërkojnë formacioneve politike miratimin dhe zbatimin me procedura të përshpejtuara të dy ndërhyrjeve ligjore. E para, kompensimin ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim-Fitimi në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shtetit u ka këtyre kompanive, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë për të shlyer; e dyta, aplikimi i ligjit të amnistisë fiskale për vitin ushtrimor 2011-2012”, thotë kreu i Dhomës.
Shqetësimi lidhet me gjobat, pasi sa më poshtë bien arkëtimet, aq më i madh është presioni për ndëshkimet arbitrare, fakt ky i ngritur disa herë në takimet që Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur ndaj Kryeministrit dhe ministrit të Financave. Presidenti i Dhomës Amerikane, David Anderson, nuk arrin të shpjegojë faktin e kontrolleve të shpeshta dhe të pajustifikuara nga ana e Tatimeve. Vet përfaqësuesit e Drejtorisë së Tatimeve pranojnë se gjatë 2012-s rikontrollet tatimore janë rritur me 5.6 për qind dhe kanë sjellë një rritje prej 21 për qind të të ardhurave nga tatimet në buxhetin e shtetit.
Në lidhje me gjobat, Buxhuku rikthen në vëmendje çështjen e Gjykatës Administrative. Sipas tij, për mbi tre vjet, ligji për funksionimin e gjykatës po qëndron në sirtarë dhe vetëm vënia në zbatim e një trupe të tillë gjyqësore do të vërë në ekuilibër të drejtat e palëve.
Klima e privatit
Pasiv – Në dy vitet e fundit, 2011-2012, sipas Tatimeve, rezultojnë se kanë kaluar në gjendjen pasive rreth 17 mijë biznese
Çregjistruar – Vetëm për vitin 2012, sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), kanë kërkuar të çregjistrohen rreth 2500 biznese
Sektorët – Bizneset e ndërtimit dhe prodhimit, si numër, rezultojnë në rënie me 6 dhe 1.5%% për pagesën e taksës TVSH dhe Tatim-Fitimi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.