Nga Ilir Sinanaj
Teksa ndërtimi dhe sektorë të tjerë kanë hyrë në fazën e maturimit, shumë biznese po i kthejnë sytë nga bujqësia. Katër sipërmarrës shqiptarë, tregojnë për revistën “Monitor” përvojën e tyre në fushën e blegtorisë. Ekspertët paralajmërojnë: ia vlen të investosh, por duhet shumë kujdes
Z. Tonin Gjini ka rreth 21 vjet që merret me veprimtari sipërmarrëse, ndër të tjera edhe me ndërtime. Vitet e fundit ai ka zgjedhur të investojë në fushën e blegtorisë, pasi konstatoi se cikli i sipërmarrjeve të ndërtimit po përfundonte në Shqipëri. Sipas tij dy fusha të sipërmarrjes, në të cilat kanë gjithmonë hapësira për investime janë turizmi si edhe bujqësia e blegtoria. “Të vetmet sipërmarrje të cilat nuk kanë fund cikli janë turizmi dhe bujqësia me blegtorinë. Deri sa të jetë njerëzimi do të ketë si turizëm ashtu edhe bujqësi e blegtori. Atëherë duke parë që në fushën e ndërtimit po mbyllej cikli, pothuajse 70% e ciklit të ndërtimit po përfundonte në Shqipëri, dhe duke parë se orientimi i politikave shtetërore këto 2 deri në 3 vitet e fundit ishin drejt bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, vendosa të marr nismën për të investuar në sektorin e blegtorisë”, – shprehet Gjini.
Tendencën e sipërmarrësve shqiptarë, sidomos ndërtuesve për të investuar në bujqësi e konstaton edhe presidenti i Konfindustrisë Shqiptare, Hajredin Fratari. “Një pjesë e vogël i janë kthyer bujqësisë dhe blegtorisë dhe sipas të dhënave që ne kemi, ky sektor ka një rentabilitet rreth 18%”, thotë ai.
I njëjti fakt konfirmohet edhe nga kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku.
“Në fakt, secili kur bën një investim, mundohet ta mbajë sekret, paksa për të shmangur edhe ‘riskun’ e kopjimit të biznesit. Është fakt se shumica e sipërmarrësve gjithsesi janë ende të trembur dhe po presin që të gjejnë një orientim. Por nga të dhënat që kemi ka interes te sektori i agrobiznesit dhe mendoj se do të ketë zhvillim në të ardhmen”, thotë ai.
Një nga ekspertët më të njohur të bujqësisë në Shqipëri, z. Ismail Beka, pohon se ka një tendencë të biznesit privat që të investojë në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Kjo është më e dukshme sidomos te ndërtuesit, që kanë burime të lira monetare dhe po e shohin bujqësinë si një alternativë interesante dhe si një vend ku mund të investosh pa probleme, ndryshe nga sa ndodhte shpesh me ndërtimet.
Ja çfarë thonë sipërmarrësit për blegtorinë
Bujqësia dhe blegtoria janë dy veprimtari, të cilat e kanë shoqëruar njeriun që në fillimet e qytetërimit dhe do të vazhdojnë të jenë baza e ekonomisë. Me progresin e teknologjisë, këta dy sektorë të rëndësishëm, në vendet e zhvilluara kanë përparuar, duke rritur rendimentin e prodhimit. Për sa i përket Shqipërisë, këto vitet e fundit, një numër i rëndësishëm sipërmarrësish duket se po u rikthehen përsëri këtyre sektorëve, duke bërë investime të guximshme.Po cilat janë sfidat që kanë investimet në bujqësi dhe blegtori për sipërmarrësit shqiptarë? Në lidhje me këtë çështje, katër sipërmarrës shqiptarë, tregojnë për revistën “Monitor” përvojën e tyre në fushën e blegtorisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.