ë paktën prej 4 vitesh, në të ashtuquajturën Zona D e minierës së Bulqizës, ka vijuar puna e jashtëligjshme. Kështu ka deklaruar një nga biznesmenët e kromit që ushtron aktivitetin e tij në këtë zonë, Myfit Duriçi. Deklarata e fortë është lëshuar gjatë një tryeze pune, organizuar nga kryebashkiaku i Bulqizës mes biznesmenëve dhe strukturave shtetërore në Qarkun e Dibrës. Tryeza e organizuar për zhbllokimin e transportit të kromit drejt Portit të Durrësit, evidentoi e nxori në dritë të gjithë problematikën që shoqëron aktivitetin minerar kromnxjerrës në këtë zonë. Kështu, biznesmenët në fjalën e tyre theksuan se problematika në mbarëvajtjen e punës kromnxjerrëse në Zonën D është shumë më e gjerë se problemi i transportit të mineralit për shoqërimin me faturë tatimore. “Nuk është problemi vetëm këtu, pasi absolutisht prej 4 vitesh, thanë ata në fjalën e tyre, nuk ka funksionuar ligji në tërësinë e tij për shfrytëzimin e galerive. Ka raste edhe të stimulimit të problemeve që s’duhet t’i themi këtu. Fatura e shoqërimit u ra dakord prej tyre, se duhet plotësuar me të gjitha elementet e saj, përfshirë edhe peshën dhe çmimin, i cili do të vendoset sipas kostos së nxjerrjes së kromit nga galeritë. Në Zonën D prodhohen mesatarisht 15 mijë tonë krom në muaj, ndërkohë që në eksport gjatë vitit janë shitur 88 mijë tonë krom, kur i bie që të shiteshin 190 mijë tonë. Nuk ka funksionuar asgjë, shteti është bërë aksioner me biznesin. Policia ishte bërë aksioner me biznesmenët e kromit, nuk ka funksionuar asgjë. Vjen kontrolli dhe nuk ka të përfshirë në ekip një përfaqësues biznesi”. Ndërkohë nga biznesmenët u kërkua që ata të organizoheshin në një shoqatë për t’u mbrojtur e zgjidhur më lehtë problemet e tyre. Ndërsa shefi i Komisariatit të Policisë Bulqizë, Niko Nikollaj, pjesëmarrës në këtë takim, u kërkoi biznesmenëve plotësimin me imtësi të dokumentacionit ligjor për ta, si dhe kërkoi shkëputjen e partneritetit të tyre me subjektet e paligjshme që operojnë në të ashtuquajturën Zona D. Gjithashtu, ai garantoi biznesmenët se kontrolli në vijimësi do të jetë gjithëpërfshirës, ku do të kontrollohet jo vetëm transporti drejt Portit të Durrësit, siç kemi operuar deri më tani, por do të shtrihet edhe në dokumentacionin për kërkim-zbulim apo shfrytëzim, pasi do të përballen me bazën ligjore që vepron në shtetin shqiptar. Për subjektet që disponojnë dokumentacionin e nevojshëm, puna do të vazhdojë 24 orë pa pushim. Pak ditë më parë, disa kamionë që transportonin krom janë bllokuar nga Policia e Bulqizës dhe nuk janë lejuar të niseshin drejt pikave të shpërndarjes. Burime pranë policisë bënë me dije se kamionët fillimisht duhet të peshonin sasinë e kromit në Qafë-Buall, dhe në fletën e shoqërimit duhet të kenë të vendosur edhe çmimin. Pronarët akuzojnë policinë se po merr kompetencat e një task-force, ndërsa kërcënuan me protesta në rast të ripërsëritjes.
gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.