Flet Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”
Këtë vit, Shqipëria nuk mundi të ketë turizmin e organizuar me nordikët, çekët apo polakët, që kishte filluar të lulëzonte prej disa vitesh. Shkak ishte pandemia. Pavarësisht këtyre mungesave, duket se dy grupe të tjera turistësh e kanë vizituar me dëshirë Shqipërinë dhe disave u ka pëlqyer aq shumë, sa u rikthyen dy herë brenda sezonit.
Blerim Norja, drejtor i përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, pohon se të tilla raste mes turistëve nuk kanë munguar, gjë që flet shumë mirë për turizmin dhe imazhin e Shqipërisë.
Koha e mirë e zgjati sezonin veror disi edhe në kushte pandemie. Ju si e cilësoni sezonin që lamë pas?
Situata ka qenë e mirë në tetor dhe fundjavat kanë pasur frekuentim të lartë. Shtetasit nga Kosova kanë vijuar të na vizitojnë dhe mund të themi që ka pasur një okupancë (zënie të dhomave të hotelit) në masën 50% në fundjava. Gjatë javës, situata është më e qetë dhe vijnë vetëm ata që kanë çështje biznesi apo konferencash.
Shtatori ka qenë me një zënie dhomash 90-95% në 15-ditëshin e parë, kurse në të dytin, treguesi zbriti në 70%. Sezoni në totalin e vet rezultoi shumë më i mirë sesa e prisnim. Humbja më e madhe ka qenë në maj dhe qershor, pasi ishin edhe kufizimet, ndërsa në korrik, gusht dhe në 15-ditëshin e parë i shtatorit, fluks ishte i lartë.
Cilat grupe turistësh kanë pasur frekuentim më të lartë në hotelet tuaja?
Te struktura që kemi tek Mali i Robit, 90% kanë qenë turistë nga Kosova ndërsa 10% polakë. Te hoteli në zonën e Durrësit, ka qenë diku te 60% ukrainas dhe bjellorusë dhe 40% nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Cila ka qenë preferenca e turistëve në lidhje me paketat?
Polakët kanë zgjedhur të vijnë me paketat ‘all inclusive’ (të gjitha të përfshira) dhe këtë e kanë një politikë të panegociueshme. Kurse turistët nga Bjellorusia dhe Ukraina kanë parapëlqyer paketën mëngjes dhe hotel. Këta të fundit janë befasuar pozitivisht nga Shqipëria dhe ne patëm rastin e tetë familjeve nga këto vende që u rikthyen dy herë brenda sezonit. Me të vërtetë, kjo më ka kënaqur shumë nga ana profesionale.
Po sa u takon kontratave a keni pasur negociata me agjencitë e huaja dhe rezervime paraprake për strukturat tuaja hoteliere?
Në shtator, pati një dyndje kërkesash nga kompanitë polake, çeke, ukrainase për të bërë kontrata me hotelet, por për aq kohë sa situata është e paqartë nuk mund të premtohet shumë. Formati i kontratave është që bëhet një paraprake dhe në mars rishikohet për ta konfirmuar apo për ta anuluar në bazë të situatës. Sa u takon kontratave ekzistuese, për shembull, me nordikët është shtyrë për në vitin 2021 dhe nëse vazhdon e njëjta situatë, ndoshta dhe mund të anulohet. Nëse gjërat normalizohen, teorikisht ne do të presim turistë nordikë dhe polakë në hotel.
Tani që sezoni është mbyllur, a do të vazhdoni të mbani hapur hotelin për vjeshtën dhe dimrin, apo nuk shihni leverdishmëri?
Për momentin, ne kemi vetëm 20% staf më pak sesa në verë. Kemi ende lëvizje me konferencat e bizneseve. Janë ata të Kosovës dhe duke qenë se aty nuk lejohen këto lloj aktivitetesh i kanë zhvendosur në vendin tonë. Gjatë dimrit, ne do ta mbajmë hapur hotelin.
Zakonisht kemi pasur aktivitetet për festat e fundvitit, por nuk dimë se çfarë do të ndodhë dhe nëse do të ketë më shumë kufizime. Kemi rezervime nga Bullgaria, që interesohen nëse ka masa shtesë për teste apo kufizime qarkullimi, por deri tani nuk kemi asnjë ide se çfarë do ndodhë.
Po lidhur me Kosovën, a do të keni ndonjë qasje të re sa i takon promovimit në paketave në këtë treg?
Ne kemi ndryshuar komplet tërësisht strategji nga momenti që e shohim si grupin kryesor të turistëve që kishim këtë vit. Kemi bërë një program marketimi të hotelit, duke shpresuar për më shumë klientë nga Kosova.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.