“Bjellorusët dhe ukrainasit janë befasuar nga oferta turistike shqiptare”

05/12/2020 10:06 PM 0 komente

Flet Arben Çipa, Administrator “SipaTours” Saranda

 

Bjellorusët dhe ukrainasit kanë sjellë përfaqësuesit e tyre, duke zhvilluar turet që i shërbejnë hartimit të paketave për sezonin veror 2021.

Arben Cipa, administrator i “SipaTours”, Sarandë, shprehet se ky grup turistësh, që erdhën spontanisht në vend, pasi nuk lejoheshin të udhëtonin askund për shkak të numrave të lartë të COVID-19, janë befasuar nga oferta turistike.

 

Si paraqitet muaji shtator për Sarandën sa i takon turizmit, duke qenë se në një pjesë të bregdetit ka pasur frekuentim?

Shtatori ka qenë i vakët. Strukturat kanë qenë hapur, por nuk flasim për shifra inkurajuese. Deri në datën 26 shtator, situata ishte modeste, e përkufizuar nga lëvizja e turistëve vendas dhe atyre të Kosovës. Në këtë sezon veror, siç u vu re, përveç turistëve nga Ukraina dhe Bjellorusia, kishte dhe vizitorë individualë nga Serbia.

Bjellorusët kanë operuar në mënyrë të organizuar deri në datë 11 tetor, ndërsa deri më 22 tetor kanë vazhduar të sjellin operatorët e tyre turistikë në ato që quhen “studytour” dhe gjatë të cilave shihen destinacionet dhe përgatiten ofertat.

 

Po me kontratat çfarë ka ndodhur? A keni negociata me grupe si polakët dhe nordikët që kanë qenë aktivë ndër vite?

Si polakët, edhe turistët nga vendet skandinave, po operojnë njëlloj me negocimet, pasi është hera e parë që të gjithë përballemi me një situatë si pandemia. Kemi negociuar për kontratat, sipas çmimeve në parim.

Kjo do të thotë se kemi përcaktuar se me çfarë tarife do t’i marrin dhomat, por nuk ka pagesë paraprake. Këtë pjesë do ta rishikojmë në mars, nëse situata është pozitive dhe të gjitha do të kalojnë automatikisht në kontrata me garanci duke bërë dhe pagesat. Kjo është një klauzolë që po përdoret në masë në kushtet e pandemisë.

Kontratat për vitin tjetër me nordikët janë ato ekzistuese trevjeçare. Tregu polak ka kontrata të reja. Për atë belg dhe anglez, ne si agjenci kemi pasur kontrata të bëra dy vjet më parë, por janë anuluar, për shkak të pandemisë, pasi hyn në fuqi klauzola e forcës madhore.

 

Cila ka qenë përshtypja e turistëve këtë verë? Po flasim për grupe si ukrainasit apo bjellorusët…

Kemi marrë përshtypje shumë të mira falë edhe programeve që kemi pasur. Pjesa më e madhe e turistëve nga Ukraina dhe Bjellorusia janë befasuar në përgjithësi nga ajo që kanë gjetur në Shqipëri. Janë turistë që erdhën spontanisht, pasi asnjë nga vendet e tjera nuk i lejoi të udhëtonin për shkak të numrit të lartë të infektimeve. Vihet re se u pëlqen të shpenzojnë për ture dhe kanë mbetur të kënaqur nga produkti i ofruar. Po kështu, është një grup që përshtatet me realitetin tonë.

 

Cilat kanë qenë turet më të pëlqyera nga kjo kategori?

Turi ditor më i pëlqyer ka qenë ai i Gjirokastrës, domethënë klasiku, dhe më pas Butrinti, “JeepSafari” apo lëvizja me anije.

 

A mendoni se mbyllja e këtij sezoni garantoi vijim për vitin tjetër, apo një pjesë e strukturave do të shkojnë drejt mbylljes?

Këtë vit, të gjithë e përballuam, por nëse do të përsëritet atëherë do të shihen problemet reale. Saranda ka pasur një zënie të dhomave rreth 40% në mesatare. Hotelet e mira kanë shkuar në ditët e pikut deri në 60% zënie apo frekuentim, ndërsa ato që kanë qenë më dobët, diku tek 25% zënie të dhomave.

 

Një grup i rëndësishëm turistësh këtë vit ishte nga Kosova. A mendoni se ka vend për një qasje të re të marketimit në këtë treg?

Ky vit ka qenë edhe më i mirë nga mënyra sesi u organizua ardhja e turistëve nga Kosova, ku përveç ardhjes individuale, pati edhe shumë agjenci që u angazhuan. Është menduar në nivel shoqatash dhe bashkish që të bëhen binjakëzime me pjesën e Kosovës, duke na çuar drejt shkëmbimit të përvojës dhe të turistit në të dy anët. Vera në Sarandë dhe dimri në qytete të Kosovës. Sigurisht me situatën e koronavirusit, që nuk është pozitive tek asnjëra palë, këto angazhime nuk mund të jenë shumë konkrete dhe të marrin vëmendje.

Por, ndoshta në një moment të dytë, duhen parë më seriozisht. Mendoj që gjithsesi pjesa e shpenzimeve për pushime si nga shqiptarët drejt Kosovës, ashtu edhe shtetasit e Kosovës drejt vendit tonë do të kufizohet nga situata ekonomike, që nuk është shumë e favorshme. Nëse gjërat rregullohen nga marsi, pres rikuperim të shpejtë në turizëm dhe të gjithë sistemet të vihen në lëvizje, pasi nuk është një krizë ekonomike, por epidemike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of