Burime uji si kristali, lëndina të gjëra me boronicë, rrethuar me kurora kreshtash, liqene si pasqyra, përrenj që rrëkëllimin e kanë muzikë, me stane mes pishash, Bjeshkët e Tropojës nuk janë asgjë tjetër veçse parajsa mbi tokë.
Nga Blerina Hoxha
Kur e vizitova për herë të parë Tropojën para 15 vitesh, nuk e mendoja kurrë se, udhëtimet drejt këtij qyteti do të ishin rutina ime e pushimeve. Sa herë udhëtoja, planifikoja ngjitje në majat e Alpeve, Bjeshkëve të Markovçës dhe Dobërdolit, por gjithmonë shtyhej për herën tjetër, pasi gjithmonë kishte një udhëtim të shkurtër po aq të bukur rreth luginës së Valbonës, liqenit të Ponarëve dhe bjeshkëve pak më të ulëta.
Por kur nisja e tregoja gjithë vrull sa bukur kisha kaluar në ato udhëtime, miqtë atje më thoshin: “Asgjë nuk ke parë, nëse nuk ke qenë në bjeshkë”. Lugina e Valbonës është mahnitëse për këdo që e ka vizituar, por vendasit as nuk e krahasojnë me bukuritë e bjeshkës. “Po nuk ke bjeshkue e po nuk pate bapostermë në dimër nuk pse me jetue”, po na thoshte Zoja, një grua mbi të 70-at, e cila çdo vit i kalon së paku tre muaj atje.
Më në fund, erdhi dita e udhëtimit. Kisha një lloj emocioni që nuk e përjetoja as në udhëtimet e mia jashtë vendit. U nisëm herët në mëngjes, së bashku me Kujtimin, një mikun tonë i cili banon në qytet dhe me makinën e tij, një fouristradë e përshtatshme për rrugën. Ai do të ishte guida jonë, por na këshilloi që, këtë herë, të udhëtonim me makinë për shkak se, nuk kishim shumë kohë në dispozicion, na duhej të ktheheshim brenda ditës.
Drejt Çeremit
U nisëm drejt Luginës së Valbonës, të cilën edhe e vizitoj dy-tre herë në vit, dhe çdo herë më duket ndryshe, jo nga bukuria, por nga ndërtimet kuturu në çdo shpat e korije. Diku një bujtinë si Capitol-Hills, tjetra me gur, diku beton, HEC-e dhe gurore, Valbona po pëson një urbanizim të pakontrolluar.
E ligështuar nga kjo pamje, pa vënë re, shfaqet shumë shpejt rruga për Çerem, nga ku nis ngjitja në bjeshkë. Nga rruga e asfaltuar deri në fshat lart janë 9 kilometra që mund të përshkohen edhe nga një makinë normale. Shoqëruesi ynë na kujton se aksi ka qenë i pakalueshëm pothuajse para pak vitesh, por e rregulloi kompania që po ndërton HEC-et në Valbonë. Në të gjithë gjatësinë e saj, rruga është një tunel mes ahishtesh, arrash, lajthish dhe mollësh të egra dhe vjen si gjarpëruese drejt kreshtave të Alpeve.
Ka kaluar pak më shumë se gjysmë ore dhe shfaqet fshati në të cilën duken tek-tuk disa bujtina, të rregulluara. Kujtimi thotë se, se familjet që jetojnë këtu nga 10 gjithsej, po i kthejnë shtëpitë në bujtina, pasi ka shumë kërkesë për turistë. Këtë vit është pandemia, por vjet mbi 5000 turistë kanë kaluar në bjeshkë. Çeremi është një fshat i banuar gjatë gjithë vitit në bjeshkë dhe gjendet në një luginë, jo shumë e gjerë, afër kreshtave të larta e rrethuar me pishë e pyje të dendur.
Ata që e kanë parë filmin “Heidi”, do të mendonin se xhirimet janë bërë këtu. Kullota për bletë e bagëti këtu është e pashoqe – na thotë Kujtimi teksa vazhdojmë ngjitjen. Në çdo metër udhëtim, kreshtat sa vijnë e afrohen, duke lënë fshatin Çerem, jemi afruar në rrëzë të bjeshkës. Habitem se rruga për automjete është e mirë. “Është bërë para 5-6 vjetësh, kur qeveria donte të bënte unazën e bjeshkëve – po na shpjegonte Kujtimi. – Më përpara këtu shkoje vetëm me mushkë e kuaj, tani makinat shkojnë deri në Sylbicë”.
Pamja sa vjen e bëhet magjike, teksa shfaqen stanet e para të Markovçës. Nuk kanë kaluar as dy orë nga udhëtimi ynë dhe tani jemi në lartësinë 2000 metra. Është e rrallë që në këtë lartësi, ka edhe pisha, edhe burime uji pa fund. Rruga kalon përmes luginës, ku në të dy anët e saj janë ngritur stane, jo një e dy, por me dhjetëra. Dhe jo ato stanet me drunj e gurë sa për tu mbrojtur nga shiu, por shumica shtëpi me dy-tre kate, dhe me të gjitha kushtet. Markovçja është një nga luginat në “pronësi” të një fisi të Vuthajve në Mal të Zi.
Të gjitha fiset kanë pjesën e tyre në bjeshkë, si qëmoti dhe sot e kësaj dite bjeshkojnë secili në pjesën e vet. Stanet janë në mes të luginave me boronica dhe livadheve me bar. Duket se më shumë banorë ka në bjeshkë se në fshat poshtë. Kujtimi thotë se, se nga korriku deri në shtator, shumica rrinë në bjeshkë se, përveçse e kanë si kurë ajrin e pastër, grumbullojnë shumë boronicë dhe mbledhin bulmet. Fitojnë shumë.
Nipi i tij, i cili këtë vit ka mbaruar universitetin, i ka fituar 10 mijë lekë në ditë me boronicë. “Me bjeshkën i ka hequr shpenzimet e shkollës. Ata në Çerem më poshtë, të gjithë ishin të shkolluar, me punë e pozita të mira, kanë çarë shumë në jetë” – na thotë Kujtimi. Doemos, në atë ajër të pastër, aftësitë nuk kanë si të mungojnë, – mendova me vete.
Përmes majave
Kur kalon bjeshkën e Markovçës dhe ngjitesh në qafë, lart 2300 metër mbi nivelin e detit, për të kaluar pak poshtë në Bjeshkën e Torkuzit, pamja është më shumë se përrallë. Kreshtat ku bora nuk shkrin janë para syve. Vetëm natyra e ofron një magji të tilla, sa të mahnit më shumë se çdo mrekulli që e krijon dora e njeriut. Ajri është aq i freskët, sa të jep një ndjesi dehje, madje disa sëmurën se nuk e përballojë ndryshimin e fortë.
“Të zë bjeshka” – i thonë. Kur nisëm zbritjen poshtë një rrafshinë, u shfaq para syve tanë bash në majat të alpeve. Rruga përmes, e rrethuar me pisha e boronica, i lidh Bjeshkët e Torkuzit, Balcinës, Koshoticës, Dobërdollit, Ujezës dhe Sylbicës.
Nuk kisha parë një peizazh kaq mahnitës kurrë më parë. Por shoqëruesit më kujtojnë se, kjo nuk është më e bukura, duhet të ikim në Sylbicë, ajo është më e bukura, por duhen më shumë ditë. Sot do të qëndrojmë në Torkuz, përballë nesh është lugina e Dobërdolit, një nga më të mëdhatë në Alpe. Nga larg ndrijnë çatitë e staneve me llamarinë.
Rexhepi, i cili po rri prej dy muajsh në stanin e tij atje, thotë se në Dobërdoll janë edhe tri bujtina, dhe rrugës për atje ka lokal, kur mund të pish një kafe turke e të çlodhesh.
Rruga kalon përgjatë kufirit me Malin e Zi. Në të djathtë janë stanet e Buçpapajve dhe në të majtë janë trojet shqiptare në Mal të Zi, Vuthajt, Plava dhe Gucia. Madje edhe pas ndarjes e kufirit, ka bjeshkë në territorin shqiptar që u përkasin Çelajve të Vuthajve andej kufirit. Komisioni Ndërkombëtar në vitin 1913 e vuri kufirin përmes fiseve shqiptare, duke ndarë pa asnjë logjikë fiset nga kullotat e bjeshkëve.
Qe atëherë, shumë fise mbetën me bjeshkë jashtë kufirit. Një bjeshkatar nga Torkuzi, i cili e ka ngjitur stanin me kufirin, tha se një plak i moçëm ka hyrë me forcë në një nga mbledhjet e Komisionit Ndërkombëtar dhe e ka bindur atë që bjeshka e Torkuzit të mos i jepej Mali të Zi dhe e ka fituar të drejtën. “Asht dasht me qen trim e i zgjuar në atë kohë. Por shumë fise siç tha dhe EdithDurham në kohën kur u nda kufiri kishin synim me iba keq njani-tjetrit dhe nuk u bashkuan për të dhënë argumente komisionit ndërkombëtar që i ndau fiset ma te moçme shqiptare anej e këndej kufirit.
Harta e Shqipërisë që njohim sot e thepisur ne Vermosh do të vinte në vijë të drejtë përgjatë alpeve, një pjesë e të cilave iu dhanë Malit të Zi. Bjeshka e parë Markovçja, që sapo lamë pas, është në kufirin shqiptar, por ajo është kullotë e Çelajve që jetojnë në Vuthaj. Sot e kësaj dite, ato kanë stanet e tyre dhe kullosin në tokat e tyre çdo vit, edhe pse shtëpitë i kanë andej kufirit.
Si po urbanizohen bjeshkët
Që ku shtegu i bjeshkëve u kthye në rrugë makinë, trafiku në zonë është rritur. Çdo vit kalojnë mijëra turistë dhe ndërtohen stane si shtëpi çdo vit. Të parët kur dilnin në bjeshkë, ngriheshin që me natë dhe arrinin në errësirë në stan, por tani të sjell makina për tri a katër orë. Kjo është një gjë e mirë, por në perspektivë krijon dëme. Ndërtimet pa kriter po lulëzojnë çdo ditë. Në vend të staneve me grumbuj gurësh dhe me dërrasa, tani blloqet, tullat, hekuri dhe betoni po pushtojnë bjeshkët.
“Gjithsekush që ka ikur nga Tropoja, do më pas stanin e tij. Me kalu 10 ditë atje në kohë të boronicave, është ëndrra e çdo banori. Luginave, stanet janë si fshatra dhe po zgjerohen çdo ditë. Tani më shumë njerëz ka në bjeshkë, se në qytet. Kjo është dukshme pasi rrotat e makinave kanë lënë gjurmë gjithkund, dhe mbeturinat gjithashtu.
Edhe pse një grup guidash dolën dhe pastruan në mënyrë vullnetare shtigjet e alpeve nga plehrat, disa kanoçce birrë aty pranë, tregojnë për gjurmë të freskëta vizitorësh. Sivjet ka më pak njerëz, por plehra më shumë, pasi këto i krijojnë shqiptarët dhe vendasit, të huajt janë të kujdesshëm, – thotë Rexhepi. – Një grua, e cila banon me familjen e saj në Durrës, shërben gjatë gjithë verës në stanin e saj kafe turke për turistët. Vitin e kaluar i ka fituar rreth 10 mijë euro nga ky biznes”.
Boronica, burim fitimi
Pothuajse të gjithë ata që dalin në bjeshkë, fitojnë aq sa për të mbuluar jetën e 6 muajve. Fitimet vijnë kryesisht nga vjelja e boronicës, grumbullimi i bulmetit dhe ndonjë shërbim për turistët, edhe pse këtë vit nuk ka.
Shkurta fiton 10 mijë lekë në ditë për rreth një muaj, gjatë vjeljes së boronicës. Vitet e kaluara, fitonte edhe më shumë, por këtë vit më pak, pasi nuk pati prodhim.
Mungesa e reshjeve gjatë dimrit e ka penguar rritjen e frutës. Një kilogram boronicë e njomë, e papastruar, kushton 300 lekë. Një njohës i zonës grumbullon mbi 30 kilogramë në ditë. Ata e konsiderojmë të mirë çmimin e këtij viti, pasi më përpara, ua shisnin edhe 1 euro atyre të Malit të Zi. Në Tropojë, vetëm tre orë larg livadheve të boronicës, çmimi dyfishohet në 600 lekë. Boronica e bjeshkëve gjithmonë ka kushtuar lirë. Askush nga vendasit, edhe ata që janë rritur duke i mbledhur dhe tani janë biznesmenë brenda dhe jashtë vendit, nuk kanë menduar të investojnë në një magazinë apo njësi përpunimi, që ta rrisë vlerën e kësaj frute magjike për shëndetin.
Ndryshimet klimatike dhe vjelja abuzive e kanë dëmtuar bimën, e cila nuk po jep më prodhim si dikur. Por gjithsesi, edhe në këto kushte boronica nuk i le pa fitime bjeshkatarët. Për vizitorët, një vakt me boronicë dhe kos tëf reskët deleje është një shije unike. Përveç boronicave, ka plot lule dhe bimë mjekësore, çaj mali, që edhe ato shiten. Djali 13-vjeçar i një familje, tha se “1 milion lekë (100 mijë lekë) i fitojmë vetëm me çaj, plus edhe fitimet me boronicën. Në shtator, zbresim e mbledhim gështenja, me këto jetojmë” – tha djaloshi, “stani” i të cilit ishte një vilë trekatëshee.
Bimë të tjera mjekësore janë dëllinja e zezë, molla e egër, sherebela, lule bliri, trumza, luleshtrydhet (dredhëzat dhe medrat), trëndafili i egër, aguliçja, qingela, lule shtogu, salepi, sanza, lule basani, rrënjët e hithrës, kokrrat e shtogut, rigoni, bar pezma njëmijë gjethëshe, lule kamomili, thundërmushka, kulumbria, mëllaga, zhumbricat, shpatorja, ushejza pa kërcell e shumë të tjera. Por më fitimprurëse është boronica, rritet në kullota alpine rreth 1200 – 1800 metra mbi nivelin e detit.
Çdo vit mblidhen rreth 70 tonë boronicë, 40 tonë dëllinjë e zezë, 30 tonë mollë e egër dhe 20 tonë trëndafil i egër. Tropoja nuk ka kapacitete të zhvilluara për përpunimin e bimëve mjekësore dhe kryesisht ato shiten të njoma. Pavarësisht nga situata aktuale, bimët mjekësore janë një burim i konsiderueshëm të ardhurash dhe një sektor i rëndësishëm për të ardhmen.
Bulmeti, nuk ka asnjë baxho
Askund në Shqipëri, bulmeti dhe mishi nuk e kanë shijen e Tropojës. Delet dhe dhitë që kullosin në lartësi mbi 2000 metër, gjithfarë lloj lulesh dhe ujë bjeshke, prodhojnë bulmet të shijshëm. Një prodhim i tillë në ditët e sotme duhet të certifikohej dhe të shitej me çmime të larta. Por jo vetëm kaq, bulmeti i bjeshkëve nuk del fare në treg. Bjeshkatarët shesin shumë pak në bujtina, ndërsa prodhojnë për vetëkonsum.
“Një pjesë e mirë prishet kur zbresim në fshat” thotë Ajshja, një grua e cila e kalon verën në stan. Edhe pse fshatrat e Tropojës bjeshkojnë më shumë bagëti e grumbullojnë shumë bulmet, askund në Tropojë nuk ka një baxhë që të grumbullojë dhe shesë për turistët bulmetin e zonës.
Gjatë gjithë vitit, zona vizitohet nga mijëra turistë, të cilët kërkojnë të blejnë djathë, por askund nuk ka një biznes baxhë ku ta blesh atë. Madje në supermarket në qytet e ke më të lehtë të gjesh djathë Gjirokastre se Tropoje. Dhe kjo jo për faj të tregtarit, por malësorët e kanë për turp të shesin bulmetin. Ata parapëlqejnë ta falin tek miqtë e të afërmit, pasi kurrë nuk kanë ba tregti me bylmet dhe tani nuk kanë pse e bëjnë një gjë të tillë. Por duke vepruar kështu, ata i kanë hequr vetes një pjesë të madhe të të ardhurave nga shitja e një prej produkteve më unike që ata kanë.
Hapësira e gjerë e kullotave alpine ofron kapacitet të mjaftueshëm për zhvillimin e blegtorisë. Në llojet e kafshëve të mbarështuara në shkallë rrethi, vendin kryesor e zënë: gjedhi, delet dhe dhitë. Vitet e fundit, vihet re një rënie e përgjithshme e numrit të krerëve dhe ndër arsyet kryesore janë mungesa e baxhove dhe e tregjeve për tregtimin e produkteve si mishi, qumështi, gjalpi, djathi dhe leshi i bagëtive dhe emigrimi i lartë i të rinjve.
Alpet, pjesë e Rrugës Dinarike
Bjeshkët shqiptare janë pjesë e shtegut Dinarik të Alpeve që përshkon dhe lidh Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë – Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë. Shtegu u krijua dhe certifikua midis viteve 2010 – 2015 si një lloj eksplorimi natyror e kulturor.
Udhëtimi ofron një rrugë autentike nëpërmjet disa prej vendbanimeve të mbetura të Europës së Vjetër dhe një korridor nëpër një begatie pasurish natyrore dhe kulturore Udhëtimi përfshin majat më të larta të rajonit, zhytet në lugina, kalon anash liqenesh e lumenjsh dhe ecën përgjatë rrugëve me kalldrëm të fshatrave të largët. Mund të përshkohet për tre muaj, tri ditë ose tri orë, në varësi të gjatësisë së rrugës që një udhëtar ka kohë për të eksploruar.
Shtegu gjarpëron dhe shpaloset si një mozaik që bashkon epokat dhe perandoritë me trashëgiminë, gastronominë, muzikën dhe traditat e sllavëve të jugut, shqiptarëve, grekëve, ilirëve, romakëve, bizantinëve, osmanëve, venedikasve dhe austro-hungarezëve.
Pjesë e Shtegut Dinarik janë “Majat e Ballkanit” që kalojnë nëpër rajonet malore më tërheqëse të Ballkanit Perëndimor deri në lartësi që shkojnë 2,300 metra mbi nivelin e detit. Në këto maja duket sikur koha ka ndalur. Për 20 vjet me radhë, ato kanë qenë më shumë pjesë e “legjendave” dhe të paktë kanë qenë ata që kanë arritur t’i prekin dhe t’i shijojnë nga afër këto bukuri.
Është pikërisht kjo kulturë autentike, me shumë adrenalinë brenda, që e bën përvojën mes shtigjeve ndërkufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi vërtet unike. Një fakt, i cili tërhoqi jo pak vëmendjen e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC), i cili gjatë Samitit të 13 Botëror ndau edhe çmimet për “Turizmin e së Nesërmes”. Shtegu “Maja e Ballkanit” konkurroi për kategorinë e menaxhimit të destinacionit përballë dy të nominuarve të tjerë “Sentosa Development Corporation” nga Singapori dhe “Tourism Council” nga Butani. Zonat shqiptare që përfshihen në këtë projekt janë Thethi, Valbona, Rragami, Çeremi, Bjeshkët e Dobërdollit.
Pak më të ulëta se Korabi, Alpet Shqiptare ua marrin të gjitha maleve të Shqipërisë për nga lartësia mesatare, ashpërsia dhe kompaktësia. Të shumta janë majat mes 2.000 dhe 2.600 m, e gjithashtu edhe kullotat alpine mes 1,700 e 2,200 m lartësi.
Të ndara nga lugina të thella, tani që ngjajnë si gryka përpirëse, me gjelbërim pyjesh, të rrethuar nga muret e zhveshura dhe të hendekshme, nga qafa të rrezikshme dhe maja të thepisura, Alpet Shqiptare formojnë një skenë madhështore dhe frymëzuese, që nuk do vonojë të bëhet pika qendrore turistike e Shqipërisë. Në të kaluarën, e vështirë ishte hyrja për në këto male, jo aq sa për terreni sa për popullsinë (shumica baritore) krenarë dhe të egër, xhelozë për pavarësinë e saj.
Në jugperëndim në fakt bien deri në Ultësirën e Shkodrës, nga qendra mbërrijnë në rrjedhën e Drinit, në lindje ulen drejt Tropojës më e butë dhe në veriperëndim Alpet lidhen me malësitë karstike malazeze.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Perveç ketij pershkrimi te bukur per bjeshket e Tropojes , mendoj se ju keni harruar te beni nje guide te tille edhe ne bjeshket e majes se Hekurave qe kufizojne zonen e Krasniqes me zonen e thelle malore te Nikaj – Merturit , te cilat kulmojne sipas meje me fshatin me te bukur te krejt Veriut te Shqiperise qe quhet CURRAJ I EPERM . Ky fshat qe ndodhet thuajse ne mes te zones se Nikajve , ka formen e nje lugine te gjere ne lartesine 1500 m mbi nivelin e detit , pershkohet nga veriu ne jug nga lumi i… Read more »