Pas problemeve të shfaqura me funksionimin e sistemit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) mbrëmjen e djeshme dhe paraditen e sotme, pas orës 4 pasditen e 4 gushtit është rikthyer normaliteti, konfirmuan burime të bankës për Monitor.
Klientët e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), më të madhes në vend, kanë pasur probleme të aksesojnë shërbimet e saj në Shqipëri dhe Kosovë, si për tërheqjen e parave nga automatet, ashtu dhe kryerjen e pagesave online.
Sipas Bankës, situata u shkaktua pasi problemi hardware shkaktoi një ndërprerje afatshkurtër në sistemin bankar.
“Pas ndërprerjes së funksionimit të sistemin tonë bankar, shkaktuar nga problemi hardware, të gjitha kontrollet tona kanë përfunduar duke siguruar sërish shërbim plotësisht funksional. Degët tona kanë filluar t’u shërbejnë klientëve tanë të vlefshëm. Sot dhe nesër (04.08.2021 – 05.08.2021) të gjitha degët tona do të shërbejnë deri në orën 20:00 për të kompensuar shërbimin e ndërprerë.
Hyrja në shërbimet bankare përmes kanaleve tona digjitale gjithashtu do të vihet në shërbim gradualisht përgjatë ditës. Ne ju falënderojmë për durimin dhe mirëkuptimin tuaj dhe ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar”, tha banka në një njoftim të dytë.
Banka njoftoi se degët e saj do të jenë të hapura sot deri në orën 20 të mbrëmjes.
Banka e Shqipërisë tha me herët se u informua menjëherë nga BKT mbi situatën (një problem i natyrës teknike) dhe ekipi i mbikëqyrjes së saj ka marrë dhe mbajtur kontakt të vazhdueshëm me bankën përgjatë gjithë kohës. “Nga informacioni më i fundit që kemi nga BKT, cdo gjë është sistemuar, të gjitha ATM dhe POS janë plotësisht funksionale ndërkohë që pritet që të gjitha degët do te hapin dyert brenda ditës së sotme. Kjo është njoftuar dhe nga vetë Banka në të gjitha kanalet e komunikimit. Ndërkohë, BSH do te vijoje te mbetet ne mbikëqyrje te pandërprerë te situatës, deri ne zgjidhjen përfundimtare të saj”, thanë burime nga Banka e Shqipërisë, që mbikëqyr aktivitetin e bankave të nivelit të dytë.
BKT është banka më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave. Në fund të muajit qershor banka kishte 25.8% të totalit të aktiveve, 24.8% të depozitave dhe 15.5% të portofolit të huave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.