BKT: Optimistë për një përmirësim të ekonomisë dhe sektorit bankar në 2021

07/05/2021 10:10 PM 0 komente

Intervistë me Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)

 

Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm i BKT, thotë për revistën “Monitor” se kriza e gjeti bankën në kushtet më të mira të mundshme dhe kjo e bëri më të lehtë përballjen me pasojat e pandemisë.

Sipas tij, kriza solli disa sfida në këndvështrimin operacional, por zhvillimi më pozitiv ishte rritja e qëndrueshme e përdorimit të kanaleve dixhitale nga klientët. Z. Pencabligil shprehet optimist për një përmirësim të ekonomisë dhe aktivitetit të sektorit bankar në vitin 2021, duke shtuar se për BKT, sfida kryesore do të jetë ruajtja e fitimeve të larta.

 

Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj në vitin 2020? Cilat do të veçonit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?

Kriza na gjeti në një situatë financiare ideale: me kapitalizim të fortë, likuiditet të lartë dhe një portofol huaje relativisht të vogël. Si rezultat, e mbyllëm vitin 2020 më të fortë dhe me rezultate financiare më të mira krahasuar me konkurrentët. Megjithatë, në këndvështrimin operacional, viti i kaluar ishte shumë sfidues, për shkak të kufizimeve dhe faktit që sektori bankar u shpall si “biznes thelbësor”.

Ana tjetër e medaljes ishte që klientët rritën përdorimin e kanaleve elektronike dhe në veçanti, të platformës sonë të lëvizshme, BKT Smart. Ata e kuptuan se për shumicën e transaksioneve nuk kishin nevojë të vinin në bankë dhe se mund ta bënin këtë me aparatet e tyre celulare, duke përfituar më shumë komoditet dhe me siguri të plotë.

 

Në këndvështrimin tuaj, cilat ishin ndryshimet më të rëndësishme që solli pandemia në mënyrën e të operuarit, ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?

Në krahun e huadhënies, ne u përpoqëm më shumë të kufizonim dëmet dhe të ndërmjetësonim për linjat e kredisë me garanci sovrane, të vendosura në dispozicion nga qeveria. Nga ana tjetër, ne shohim një zhvendosje domethënëse dhe të qëndrueshme të klientëve tanë drejt kanaleve të bankingut dixhital. Ky është një zhvillim më se i mirëpritur.

 

Cilët sektorë apo segmente të kredituar prej jush janë prekur më shumë nga kriza ekonomike? A prisni një përkeqësim me përmasa shqetësuese të cilësisë së portofolit të kredisë dhe, nëse po, kur mund të ndodhë kjo?

Natyrisht që turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të patën pasoja negative nga pandemia. Presim që portofoli i kredisë të pësojë një lloj përkeqësimi me kalimin e kohës, por mendoj se i kemi të gjitha kapacitetet financiare për ta absorbuar një përkeqësim të tillë. Vlerësimet tona tregojnë se vendi do të arrijë imunitetin e tufës deri në verë dhe situata do të normalizohet.

 

Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit në vitin 2021?

Ne kemi një optimizëm të kujdesshëm për vitin 2021, me zbutjen e efekteve të pandemisë dhe me rimëkëmbjen e ekonomisë. Sfida jonë kryesore është të ruajmë atë përfitueshmëri të lartë që pritet prej nesh.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of