Të mirat: Risia kryesore ka të bëjë me sistemin operativ që do të ketë ky BlackBerry, me emrin e koduar BBX OS
Të këqijat: Ekrani jo i gjerë
Të përgjithshme: Ka një pamje tërësisht të rinovuar dhe nuk ka asgjë të ngjashme me standardet e mëparshme të vendosura nga RIM
çmimi: Nuk është bërë ende publik
Kompania kanadeze RIM, pas bilanceve të fundit financiare jo edhe aq për t´u vlerësuar, po synon rimëkëmbjen, pasi po propozon një seri interesante prodhimesh të reja.
Në këtë kuadër, kreu i teknologjisë së njohur si The Verge publikoi pak ditë më parë imazhet e para të prototipit më të ri të BlackBerry. Modeli nuk do të hidhet në treg përpara verës së vitit të ardhshëm dhe do të quhet London.
Risia kryesore ka të bëjë me sistemin operativ që do të ketë ky BlackBerry me emrin e koduar BBX OS. Modeli i ri BlackBerry London është i pasur me një sërë elementesh teknikë. Ka një pamje tërësisht të rinovuar dhe nuk ka asgjë të ngjashme me standardet e mëparshme të vendosura nga RIM.
Në pamje të parë të lë përshtypjen se është i ngjashëm me celularin BlackBerry Porsche, që u hodh në treg pak kohë më parë. Besohet se pamja e jashtme është kuruar nga e njëjta skuadër e Porsche, por këto janë vetëm thashetheme, pasi asgjë nuk konfirmohet zyrtarisht.
Për sa i përket anës teknike, BlackBerry London do të jetë i pajisur me procesor dual-core TI OMAP që operon në frekuencën 1,5 GHz. Fotokamera kryesore do të jetë 8 megapiksel, ndërsa ajo ballore 2 megapiksel.
Në dispozicion të përdoruesve do të vihet 1 GB memorie RAM dhe 16 GB memorie e dedikuar për arkivime. Do të ketë trashësi 9 milimetra. Modeli London raportohet se do të ketë ekran 3.7 polësh dhe një tastierë me rrëshqitje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.