Sistemi bankar shënoi rritje pavarësisht konsolidimit, pastrimit të kredive të këqija, si dhe zhvlerësimit të Euros në krahasim me Lekun. Është mungesë informacioni të pretendohen pritshmëri shumë të larta rritjeje nga sistemi bankar, në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e aktorëve të këtij sistemi ka pasur në plan daljen nga tregu.
Flet Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ABI Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2018?
Në vitin 2018, ABI Bank shënoi rritjen më të lartë në sistemin bankar pas bashkimit me NBG. ABI raportoi dhe rritje organike shumë pozitive, që bie më pak në sy, për shkak të pastrimit rekord të kredive të këqija në nivelin e 4%, si dhe transformimit të klientelës të mbartur nga banka e blerë në vitin 2015 me klientë që përputhen më shumë me kulturën e kredisë të ABI Bank.
Jemi shumë krenarë, për faktin që në një periudhë të shkurtër kohore kemi blerë dy banka me humbje dhe i kemi kthyer në banka fitimprurëse. Ky fakt dëshmon për rolin pozitiv që një investitor i huaj me përvojë ka në sistemin bankar.
Ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë e sistemit bankar në Shqipëri në 2018-n. Sistemi bankar shënoi rritje, pavarësisht konsolidimit, pastrimit të kredive të këqija, si dhe zhvlerësimit të Euros në krahasim me Lekun. Është mungesë informacioni të pretendohen pritshmëri shumë të larta rritjeje nga sistemi bankar, në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e aktorëve të këtij sistemi ka pasur në plan daljen nga tregu.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?
Ne do të vazhdojmë të pastrojmë bilancin e ish-Banka NBG Albania, do të rritemi organikisht dhe do të jemi të hapur për mundësi të tjera rritjeje akuizitive, që vijnë si vazhdim i procesit të konsolidimit të sistemit bankar. Prezenca e Tranzit në treg dhe marrëdhënia e Tranzit me ABI Bank është shumë domethënëse, pasi ndihmon shumë në planin e biznesit tonë.
Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në Euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?
Mendojmë që ky plan është një hap në drejtimin e duhur dhe synon mundësimin e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në sistem, në një masë më të konsiderueshme. Depozitat në Euro do të vazhdojnë të rriten përderisa normat e interesit në Shqipëri janë dukshëm më të larta se ato në Itali dhe Greqi, për më shumë, kur ekonomitë e këtyre dy vendeve nuk japin gjasa përmirësimi dhe bankat në të dyja vendet vazhdojnë të raportojnë përqindje shumë të lartë kredish të këqija. Dua të theksoj, se nuk e shikoj si një fenomen negativ mbi likuiditetin e sistemit bankar në Shqipëri. Përkundrazi, kostoja e këtij mbi likuiditetin është e papërfillshme në kontekstin e rëndësisë së këtij likuiditeti për sistemin bankar shqiptar.
Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?
Turizmi është një faktor shumë i nënvlerësuar për mendimin tim. Raporte të ndryshme theksojnë se gjatë vitit 2018 erdhën midis 5 – 7 milionë turistë. Ky bum turizmi nuk është vetëm në Shqipëri, por dhe në Greqi, Mal të Zi dhe Kroaci. Përpara se të krijonim ABI, biznesi im ishte turizmi në Ballkanin Perëndimor dhe bashkë me partnerët tanë e njohim mirë potencialin e turizmit në ekonominë e një vendi të vogël. Mendoj se ndikimi i turizmit në Shqipëri sapo ka filluar të ndihet.
Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që turizmi po fillon të bëhet i ndjeshëm, pavarësisht nga nënraportimi i të ardhurave reale që ky sektor sjell në ekonomi. Është një mur tjetër likuiditeti i paprecedentë dhe një e mirë me të cilën nuk jemi mësuar ende. Në qoftë se Mesdheu Jugor dhe Lindor vazhdon të ketë tensione sociale nga Pranvera Arabe, likuiditeti i Euros do të shtohet. Ne vazhdojmë të jemi ‘long’ në Lek dhe nuk shohim asnjë arsye për të ndryshuar këtë pozicion. Turizmi në vende të vogla si Shqipëria ndikohet vetëm nga tensione sociale. Në qoftë se nuk do të ketë tensione sociale, ekonomia dhe leku do të vazhdojnë të forcohen.
Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?
ABI ka qenë në pararojë të këtij konsolidimi dhe është një biznes që ne e njohim dhe e parashikonim. Është fakt, që intensiteti i konsolidimit ishte më i lartë se parashikimet tona, por përvoja e investitorëve të ABI ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e rëndësishme. Interesi në shitje është sistemik dhe nuk ka mbaruar. Rezultatet e transformimit janë gjë tjetër, pasi do të shihen rast pas rasti në 2-3 vitet e ardhshme. Transformimi është biznes tjetër nga bankimi dhe balancimi i të dyjave në të njëjtën kohë është sfidë me vete. Kultura e blerësit dhe shitësit ndikojnë shumë dhe mendoj që do të ketë fitues dhe humbës nga ky proces.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Përfundimi i suksesshëm dhe rënia dakord për Reformën në Drejtësi është shumë i rëndësishëm. Kjo sfidë do të vazhdojë të jetë domethënëse në vitet në vazhdim. Një tjetër sfidë e rëndësishme afatmesme është menaxhimi sa më i qetë i zëvendësimit të aktorëve ekzistues të sistemit bankar, sidomos kur ky zëvendësim përfshin pronësi lokale. Është një trend fare normal rajonal dhe botëror, ku përfshihen pronarët vendas ekzistues dhe perspektivë, ente rregullatore, media dhe politika. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët lokalë të jenë vigjilentë, por gjithashtu në mirëbesim ndaj kësaj dinamike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.