Sa e lehtë është të blesh një shtëpi në qendër të kryeqytetit dhe kundrejt çfarë kostoje?
Sipas të dhënave të muajit prill të agjencisë së njohur Numbeo, Tirana renditet e parafundit në rajon për çmimin e m2 të një apartamenti në qendër të qytetit. Sipas këtyre të dhënave, çmimi mesatar për m2 brenda në qytet është 1365.57 euro për Tiranën, e cila duket se e ka më të lartë vetëm se sa Shkupi me 1207.96 euro/m2.
Të gjithë kryeqytetet e tjera kanë çmime mesatare më të larta se sa në vendin tonë, duke realizuar kështu këtë renditje, ky kryeson Beogradi me 1893.87 euro/m2, ndjekur nga Podgorica me 1640 euro/m2, Sarajeva me 1577.71 euro/m2 dhe Prishtina, sërish më e shtrenjtë se sa ne, me 1407.14 euro/m2.
Ndërsa, sipas të njëjtës agjenci, për apartamentet jashtë qendrës së kryeqyteteve, Tirana renditet e fundit për nga çmimi, duke mbajtur kështu thuajse të njëjtën renditje kundrejt qyteteve të tjera në rajon, të cilat duket se kanë çmime më të larta se sa ne.
Jashtë qendrës së Tiranës, çmimi mesatar për m2 e një shtëpie kushton 573.45 euro, me diferencë të madhe me renditjen më të ngushtë që është Sarajeva me 843.64 euro/m2. Kryeson në këtë listë me çmimin më të lartë Podgorica me 1116.67 euro/m2, ndjekur nga Beogradi me 1086 euro/ m2.
Është shtëpia investim? Ekspertët: PO
Na kanë thënë se të blesh një shtëpi përbën një investim të mirë që në do e vlerësonim më kalimin e kohës dhe pikërisht, që na mundëson një kalim të qetë në moshën e tretë, ku supozohet se kredia ( një mënyrë për ta blerë) tashmë është paguar.
Psh. ju bëni para duke e shitur shtëpinë në një kohë më të vonë, duke blerë një tjetër më të vogël dhe duke mbajtur pjesën e mbetur të parave.
Nga ana sipërfaqësore, të blesh një shtëpi është investim i mirë, por bën sens vetëm kur e krahason me qiranë, sepse kur ju merrni diçka me qira, ju nuk merrni një kthim real të parave tuaja të shpenzuara për të apo një vendi për të jetuar muajin tjetër.
Kur ju investoni në një shtëpi ju prisni që vlera e saj të rritet me kalimin e kohës dhe zakonisht, kjo ndodh, por ky nuk është një rregull i vendosur. Patundshmëria shpesh jep surpriza.
Ing. Xheni Jahja nga “Tirana Real Estate” pohon se investimi në patundshmëri, deri tani në Shqipëri, është një hap i sigurt në kapitalizmin e pasurisë të të interesuarit.
“Momentalisht bankat nuk ofrojnë interesa të favorshme për kapitalet, kështu që shtëpia mbetet një investim i mirë” – deklaron znj. Jahja, duke shtuar se edhe investime të tjera ku qytetari shqiptar mund të jetë aksioner është thuajse zero.
Investimi me blerjen e një shtëpie, ka qenë investim i mirë dhe mbetet, pohon ekspertja, pasi sipas saj, në të ardhmen ky investim gjeneron para në trajtën e qirasë apo edhe duke përfituar nga rritja e çmimit të pronësisë.
“ Ky fenomen është shumë i dëgjuar në Tiranë më tepër, ku vlera e shtëpive ka ardhur duke u rritur dhe pas disa vitesh, personi që blen një shtëpi arrin të rrisë vlerën e investimit.
Ing. Jahja shton edhe se ky investim bëhet akoma më bindës, përderisa taksat mbi banesat apo pronat e dyta, apo të treta nuk aplikohen dhe duket se këto taksa nuk do të aplikohen për një të ardhme të afërt.
Rreziqet nga blerja
Gjithsesi, edhe ekspertët e patundshmërisë në botë pohojnë se duhet të jeni realist dhe të vendosni se cilët janë faktorët në favorin tuaj, që investimi për to të rikthehet. Ka edhe raste kur “përfundon” me një shtëpi, që në fund kushton më pak se investimi fillestar apo kur mbi investimi në shtëpi nuk arrin të rimerren në formën e qirasë.
Kur merret vendimi për të blerë një shtëpi, një hap fillestar i sugjeruar nga ekspertët është studimi i fizibilitetit të terrenit ku ndodhet shtëpia, gjë që mungon në Shqipëri.
Një element i dytë do të ishte padyshim vërtetimi i cilësisë së punimeve, të cilat do të përbënin një ndër elementët kryesorë, që edhe personi që do kryejë blerjen do të mund t’i “kursejë” vetes shpenzime të mëtejshme, por edhe pas disa vitesh, në rast shitjeje, do të mund të jetë përfitues.
Megjithatë, ajo çfarë ekspertët pohojnë më tepër rreth riskut do të ishte rënia e çmimeve në një të ardhme të afërt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.