Blerja e produkteve dhe shërbimeve online, nxitja kryesore për t’u pajisur me kartë krediti

26/03/2019 4:24 PM 0 komente

Flet Denisa Duka, Senior Specialist për kartat dhe e-banking në Union Bank

Vit pas viti, numri i kartave të kreditit dhe i transaksioneve të blerjeve online ka shënuar rritje në Shqipëri. Nxitje kryesore për rritjen e numrit të përdoruesve të kartave të kreditit kanë qenë kryesisht blerjet online të produkteve dhe shërbimeve.

Megjithatë, edhe për vitin 2018, numri i kartave të kreditit ishte më i ulët se në Kosovë, ku dukshëm ky treg është më i zhvilluar. Sipas të dhënave të Union Bank, moshat e reja janë përdoruesit më të shpeshtë të kartave të kreditit, mbi 75% e poseduesve i përkasin moshës 20-40 vjeç. Si dyqanet online në rrjetet sociale po “rikthejnë” në modë Cash-in

Si ka qenë ecuria e kërkesës për t’u pajisur me karta krediti?

Numri i kartave të kreditit ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe këtë e tregojnë më së miri edhe shifrat e mëposhtme në tabelën 1. Me gjithë rritjen e shënuar deri në fund të vitit 2018, vendi ynë ka ende më pak karta se Kosova, e cila e mbylli vitin 2017 me 173,471 karta krediti, treg më i zhvilluar se yni në këtë drejtim.

Mund të thuhet me siguri që ka një rritje të interesit të shqiptarëve për të pasur një kartë.

Fillimisht – kontakti i parë me një kartë bankare është ai me kartën e debitit. Çdo personi, të cilit i kalon paga në bankë, pajiset edhe me kartën e debitit. Ajo çka vihet re është përdorimi masiv i kartës vetëm për të tërhequr pagën në bankomat-ATM dhe më pak për të paguar me të blerjet e kryera në dyqane.

Ndërsa kërkesa për një kartë krediti më rrallë ndodh që të vijë nga ana e klientit dhe ata që e bëjnë janë ata: që kanë jetuar jashtë vendit, kanë dëgjuar për kartën nga miq apo të njohur, kanë parë një produkt në internet të cilin mund ta paguajnë vetëm me kartë apo udhëtojnë shpesh jashtë vendit.

Kryesisht është punonjësi i bankës që informon klientin mbi kartën, si funksionon, ku mund të përdoret dhe avantazhet. Pra mbetet ende si nismë e bankës.

Për të shtuar numrin e kartave, shpesh nga bankat kryhet promocion në televizion apo rrjete sociale, reduktohen apo zerohen komisionet vjetore të mirëmbajtjes së kartave apo ofrohen edhe bonuse për klientët që marrin për herë të parë një kartë.

Kartë tashmë mund të ketë kushdo. Nëse para disa viteve, kartat zotëroheshin nga një kategori elitare, që kishin një nivel të caktuar të ardhurash, tashmë ato janë produkt më se i zakonshëm dhe mjet normal pagese.

 

 

Sa është mosha mesatare e përdoruesve të shpeshtë?

Nëse i referohemi të dhënave të Union Bank, por që nuk përbën një rast përjashtimor, pra trendi është i njëjtë edhe në banka të tjera, zotëruesit dhe përdoruesit më të shpeshtë të kartës, 75% e kartëmbajtësve i takojnë grupmoshës 20 deri në 40 vjeç, shifër kjo e pritshme.

 

 

Sa përdoren kartat e kreditit për blerje online

Një nga nxitjet kryesore të një klienti për t’u pajisur me kartë krediti, krahas përdorimit të saj në udhëtimet jashtë vendit, është pikërisht blerja e produkteve apo shërbimeve online.

Janë më se të njohura blerjet online të veshjeve/aksesorëve të ndryshëm, të produkteve elektronike, të librave në faqet e mirënjohura Asos, Marks & Spencer, Amazon, Ebay, Ali Express etj.. Po ashtu, sa vjen e rritet rezervimi i biletave të udhëtimit po online, rezervimi i hotelit, i makinës me qira.

Sipas një vendimi të qeverisë, në gusht të vitit 2016, për të nxitur blerjet brenda vendit, limiti i blerjes së artikujve online të pataksuar me tarifë doganore u ul në mënyrë drastike nga 150 euro në 22 euro. Kjo e shtrenjtoi blerjen e artikujve të ndryshëm online, duke nxitur blerjet në vlera më të vogla për t’i shpëtuar tarifës doganore.

Të dhënat statistikore sa i takon tregut shqiptar mungojnë në këtë drejtim.

Nëse u referohemi blerjeve online brenda vendit, ato janë relativisht të kufizuara. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë (tabela 3), vetëm në vitin 2013, kompanitë vendase mundësuan shitjen a produkteve / shërbimeve të tyre online.

Ndërkohë që në fund të vitit 2018 janë 78 kompani që operojnë në tregun shqiptar që produktet e tyre mund të blihen online.

Kryesisht kompanitë që e mundësojnë janë në tregun e: telekomunikimit, ofruesit e shërbimeve të internetit, platformave televizive, hoteleri etj…

Ndërsa në dy vitet e fundit është vënë re një fenomen i ri i të ashtuquajturave “Blerje online”. Këto shitblerje kryhen në rrjete sociale, kryesisht në Instagram, ku çdo ditë shfaqet një dyqan i ri që më së shumti nuk ka një vendndodhje fizike që tregton zakonisht veshje.

Komunikimi ndërmjet klientit dhe dyqanit “online” kryhet nëpërmjet mesazheve në Inbox, ku kryhet porosia për produktin preferuar. Më pas, brenda 24 apo 48 orëve porosia i dërgohet klientit në adresën e kërkuar. Pagesa për produktin e blerë në shumicën e rasteve bëhet cash te korrieri, që sjell porosinë dhe në pak raste kryhet duke depozituar në një llogari bankare që ka “Dyqani online”, duke eliminuar përdorimin e kartës së kreditit, dhe duke i hapur rrugë mbretit “Kesh”.

 

 

Cila është qasja që kanë klientët kundrejt kartave bankare dhe kartës së kreditit.

Siç edhe u vu re nga shifrat e mësipërme, edhe në fund të vitit 2018 në Shqipëri ka ende më pak karta krediti edhe se në Kosovë. Cikli normal i marrëdhënies së një klienti me një kartë bankare nis me çeljen e llogarisë ku do të kalojë paga mujore dhe pajisjen me kartën e debitit.

Kjo e fundit përdoret gjerësisht për të tërhequr pagën në bankomat dhe ende ka përdorim të ulët për pagesa me kartë në dyqane. Edhe pse nuk ka asnjë kosto, përdorimi i kartës për të paguar për blerje në dyqane, rutina është: tërhiq para në bankomat dhe paguaj më pas cash me to për blerjet në dyqan. Me kalimin e kohës pasi mësohen me përdorimin e kartës së debitit, kartëmbajtësit janë më të gatshëm për të provuar edhe përdorimin e kartës së kreditit dhe për ta kthyer në një rutinë edhe përdorimin e saj.

  • Nga bankat, në mënyrë të vazhdueshme ofrohen bonuse të ndryshme, për të nxitur përdorimin e kartave për pagesa në dyqane apo për blerje online në vend të përdorimit të parasë cash.
  • Në dispozicion të klientëve 24/7 është shërbimi Call Center, ku klientët mund të telefonojnë në çdo orë për pyetje, paqartësi apo vështirësi që mund të ndeshin gjatë përdorimit të kartës.
  • Pas çdo transaksioni me kartën e kreditit, klientët marrin mesazhe konfirmuese të transaksionit të sapokryer si një element sigurie.
  • Po ashtu, sipas standardeve ndërkombëtare, deri në fund të vitit 2019, secila nga bankat në vend duhet të aplikojë teknologjinë e sigurisë 3D Secure për të rritur sigurinë e blerjeve online. Kështu, pas çdo transaksioni online klientët do të konfirmojnë blerjen, duke plotësuar kodin që do të marrin me mesazh në telefonin e tyre.
  • Nëse do të kategorizoheshin kartëmbajtësit, mund të klasifikohen nga ata që kartën e përdorin më rrallë, përdoruesit periodikë, deri tek ata që kanë krijuar “varësi” ndaj shopping online.

Ajo çka është pozitive është rritja e numrit të kartave nga viti në vit dhe po ashtu e transaksioneve në dyqane dhe online.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of