Flet Elda Hysenbelli, Drejtore Ekzekutive e “Fashion Group Albania”
Kthimi në normalitet është shoqëruar edhe me kthimin fizik të vizitave në dyqane, në një tentativë për të plotësuar gardërobën pas një stine të kaluar në karantinë. Blerjet në këtë periudhë janë përqendruar te fëmijët, shitjet e të cilëve zunë 50% të totalit sipas “Fashion Group Albania”.
Elda Hysenbelli, Drejtore Ekzekutive e këtij grupi, shprehet se për të rriturit në ndryshim nga karantina, ku blerjet u përqendruan në pizhame dhe të linjta, dalja i ka bërë të shpenzojnë më shumë për përditshmërinë. Kryefjala e shpenzimeve është komforti.
Kthimi në normalitet ka vënë në dukje nevojat që kishin konsumatorët për veshje. Qëndrimi mbyllur prej dy muajsh, si dhe ndërrimi i stinës bëri të mundur rritjen e kërkesës për veshje. Sidoqoftë, kjo kërkesë shfaqi një rënie nga viti i kaluar, por mbeti në kufijtë e asaj çfarë ne kishim planifikuar si pasoja të situatës dhe duket se normaliteti po rikthehet me ritme të kënaqshme.
Cili grup ka bërë blerje më të larta këto kohë: femra, meshkuj apo rroba për fëmijë?
Si gjithmonë mendimi dhe nevoja e parë për të siguruar të domosdoshmet shkon te fëmijët. Kjo u vërtetua edhe në blerjet e veshjeve. Brandet e veshjeve për fëmijë si “Prenatal” dhe “Okaidi” kanë pasur kërkesat dhe shitjet më të larta, grupmosha që këto brande mbulojnë është ajo nga 0-14 vjeç.
Mungesa e blerjeve gjatë karantinës bëri që të gjitha blerjet të përqendroheshin në periudhën pas COVID-19 për të përmbushur nevojat për veshje, ndërkohë që fëmijët rriten. Këto shitje ishin 50% e shitjeve totale të kompanisë “Fashion Group Albania”. Kategoria e dytë ishin femrat me brandin “Mango”, si dhe me veshjet e brendshme, pizhamet e ato të shtëpisë. Gjatë kësaj periudhe kjo kategori kaloi pritshmëritë.
Në kategoritë e veshjeve, si ka qenë ecuria e veshjeve për përditshmëri? Po ato për mbrëmje apo raste speciale? Cilat kanë dominuar?
Fokusi dhe kërkesa ka qenë drejt veshjeve të rehatshme dhe praktike, veshje ‘casual’ për të përditshmen. Në vëmendje kanë qenë edhe kategoria e pizhameve dhe të linjtat. Qëndrimi në shtëpi për një kohë të gjatë, ktheu vëmendjen te kjo kategori veshjesh.
Shpenzimet mesatare për veshje për individ janë më të larta apo më të ulëta se një vit më parë nga ato që vini re?
Nëse i referohemi periudhës së izolimit, vumë re se kishim një rritje të faturës mesatare në krahasim me një vit më parë. Blerjet ishin më të përqendruara dhe të targetuara në bazë nevojash: veshje për fëmijë dhe ato praktike, të linjta dhe pizhame për të rritur. Nëse i referohemi periudhës pas hapjes së dyqaneve, vumë re një fluks shitjesh, kjo ndikuar edhe nga ofertat e aplikuara. Qëndrimi i gjatë në shtëpi rezultoi në rritje të kërkesës për veshje. Ndërrimi i sezonit na rezultoi edhe në rritje të shitjeve.
Po çmimet si janë? A ka rritje apo ulje? Po oferta ka më shumë apo më pak nga ana e dyqaneve të veshjeve?
Fashat e çmimeve të artikujve të markave tona nuk kanë ndryshuar një vit më parë, ato janë të monitoruara nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ecin në një linjë me ta. Vlen të theksohet është se nisur nga situata, kemi pasur shumë më tepër oferta për blerësit në njësitë tona të shitjes në dyqane fizike dhe online.
COVID-19 ka ndryshuar shumë aspekte të jetës së qytetarëve, a mendoni se do të ndryshojë në vazhdim edhe blerjet që bëjmë për t’u veshur?
Kërkesa për veshje komfort dhe praktike mendoj që do të jetë një ndryshim me të cilin mund të përballet industria tekstile në vazhdim. Veshje për të përmbushur nevoja të përditshmërisë në krahasim me veshje për mbrëmje/party etj., duke qenë se këto organizime do të mbeten të kufizuara. Veshje të cilat promovojnë mbrojtjen e mjedisit (eco-friendly clothes) mund të jetë një tjetër fokus që mund të pritet nga konsumatorët duke qenë si temë e ndjeshme ndaj zhvillimeve globale që po ndodhin.
Nëpërmjet platformës sonë të shitjeve online www.fga.al e cila ka në përbërje 10 marka ndërkombëtare, me larmi artikujsh nga nënat shtatzëna, bebet, femrat e fëmijët, kemi vënë re që interesi për blerjet online ka rritje ditë pas dite, madje blerësit online janë ata që bëjnë blerjet më të larta në numër artikujsh. Në vazhdim do të kemi në vëmendje zhvillimin e mëtejshëm pikërisht të këtij kanali të shitjeve online, me një strategji të dedikuar për t’u mundësuar plotësim të nevojave për veshjeve klientëve tanë në të gjithë Shqipërinë, si dhe të mendojmë të rrisim numrin e tyre në një periudhë kohore afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.