Bllokimi katër javor për Anglinë i njoftuar nga kryeministri Boris Johnson në fundjavë mund të zgjatet përtej 2 dhjetorit, ndërsa vendi përpiqet të frenojë valën e dytë të pandemisë së Covid-19, deklaroi një ditë më parë një anëtar i lartë i kabinetit.
Kryeministri Boris Johnson njoftoi bllokimin e dytë kombëtar të shtunën ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të COVID-19 kaloi një milion. Masat hyjnë në fuqi nga e enjtja deri në 2 dhjetor.
Mbretëria e Bashkuar, zyrtarisht ka numrin më të lartë të vdekjeve në Europë nga virusi, dhe po përballet me më shumë se 20 mijë raste ditore. Ekspertët kanë paralajmëruar një skenar edhe më të keq, të 80 mijë të vdekurve që mund të tejkalohen këtë dimër. Deri më tani Anglia ka raportuar 46,717 vdekje nga Covid-19.
I pyetur nëse një bllokim mund të zgjatet përtej dhjetorit, ministri i lartë i kabinetit Michael Gove tha për Sky News: “Po”.
Nga masat e reja do të mbyllen të gjitha diskot, restorantet, palestrat, dyqanet jo jetike dhe objektet e kultit, ndërsa do të vijojnë të qëndrojnë hapur kolegjet, shkollat e universitetet.
“Nga e enjtja deri në fillim të dhjetorit duhet të qëndroni në shtëpi dhe mund të dilni prej aty vetëm për të shkuar në shkollë, punë, ushtrime fizike, arsye shëndetësore dhe për t’iu shërbyer të afërmve në nevojë”.
Italia, e cila ka regjistruar më shumë se 30 mijë raste për dy ditë me radhë, me shumë gjasa do të ashpërsojë sërish masat, të ngjashme me bllokimet në vendet e tjera të BE-së, pasi mbylli kinematë, pishinat, palestrat, dhe pas vendosjes së shtetrrethimit gjatë natës.
Kryeministri Giussepe Conte pritet të vendosë një karantinë 3 javore në zonat më të nxehta ku ka një përhapje të shpejtë të virusit. Gjithashtu po shqyrtohet mundësia e ndalimit të udhëtimit të qytetarëve nga njëri rajon në tjetrin. Masat pritet të bëhen publike më vonë kësaj të hëne.
Franca, Gjermania, Austria, Portugalia, Republika Çeke, Belgjika dhe Greqia kanë publikuar kufizime të reja për të frenuar rastet në rritje të COVID-19 ndërsa shtrimet në spital po rriten po rriten me shpejtësi.
Duke filluar nga sot edhe Gjermania do të futet në një izolim katër javor.
Restorantet, baret dhe klubet gjermane do të mbyllen. Njerëzit që banojnë në Gjermani këshillohen të qëndrojnë në shtëpi, të shmangin udhëtimet dhe “t’i mbajnë kontaktet e tyre në një minimum absolut”. Shkollat dhe kopshtet do të qëndrojnë të hapura, por duhet të marrin masa të rrepta për të vijuar aktivitetin./Euronews