Pas përhapjes së koronavirusit në Shqipëri përmes personave që u infektuan në qytetet italiane, janë bllokuar të gjitha rrugët drejt Italisë. Lajmin e konfirmon ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku.
“Të gjitha aeroportet italiane që kishin mbetur të hapura, si Bari dhe Roma nuk do të jenë më të aksesueshme. Avioni i fundit i Alitalias është ulur në 10:30 me 64 pasagjerë, të cilët janë regjistruar nga grupet e shëndetësisë. U kërkohet autokarantinimi. Avioni tjetër drejt Romës është nisur në 11:40. Këtu ndërpriten të gjitha fluturimet. Në rast se autoritetet italiane do të vendosin të tërheqin shtetasit e tyre, do të jetë e mundur nëpërmjet avionëve që do të lejohen të vijnë bosh nga Italia.
Në transportin detar, sonte do të nisen tragetet e fundit nga Vlora dhe Durrësi. Edhe në rastin e transportit detar, nëse autoritetet italiane do të jenë të interesuara të vijën bosh nga Italia për të marrë pasagjerë është e lejuar.
Anijet tregtare që kanë si objekt tregtimin e mallrave nuk do të ketë bllokim. Personeli do të jetë në mbikëqyrjen e stafeve të ministrisë së shëndetësisë. Nuk do të ketë as bllokim të transportit ajror të mallrave, pavarësisht se nuk zë një pjesë të madhe si transporti detar.
Kemi shumë ndërmarrje që ofrojnë shërbim të qytetarëve te sportelet. Ka pasur dje ulje të numrit të qytetarëve në sportelet e OSHEE dhe transportit të Shërbimit Rrugor. Ju bëjmë thirrje qytetarëve që nuk është e domosdoshme të paraqiten në sportele, por mund t’i drejtohen shërbimit online. Do të merren masa për transportin e brendshëm urban, dhe kjo është lehtësisht e zgjidhshme. Masat dhe oraret e lëvizjeve do të përcaktohen pas mbledhjes së Komitetit had -hoc. Reduktim të orareve do të ketë edhe për transportin nderqytetas”, deklaroi Balluku.
Vendimi ka ardhur pasi të hënën në mbrëmje qeveria italiane e shpalli të gjithë Italinë zonë të kuqe deri në datën 3 prill, duke ndaluar lëvizjen e njerëzve, përveçse për arsye shëndetësore dhe emergjente. E gjithë Italia është shpallur zonën e mbrojtur, ndërsa janë ndaluar ndeshjet sportive dhe gjithë manifestimet publike.
Të hënën në mëngjes, Tirana International Airport njoftoi fillimisht se janë pezulluar fluturimeve në 10 aeroporte të Italisë, Aeroporti Milano Malpensa (MXP);
Aeroporti Milano Bergamo (BGY); Aeroporti Bologna (BLQ); Aeroporti Firenze (FLR); Aeroporti Genoa (GOA); Aeroporti Perugia (PEG); Aeroporti Pisa (PSA); Aeroporti Rimini (RMI); Aeroporti Venezia (VCE); Aeroporti Verona (VRN). Më pas gjatë ditës pezullimi u shtri dhe për dy të tjera, Torinon dhe Ankonën.
Nga dhe drejt Rinasit fluturuan me Italinë rreth 1.7 milionë pasagjerë në 2019-n, ose gjysma e totalit, duke bërë që trafiku me Italinë të zërë peshën kryesore të transportit ajror të pasagjerëve në vend.
Italia është shteti i dytë më i prekur në botë nga koronavirusi pas Kinës, me numrin e të vdekurve që po i afrohet 500 personave.
Në Shqipëri, të dielën në mbrëmje u konfirmua rasti i parë me koronavirus, një 28 vjeçar që ishte kthyer dy javë më parë nga Italia, ndërsa aktualisht numri i rasteve të konfirmuara është 6.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.