Dje ka filluar greva e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, e të cilët vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve.
Bojkotimi i punës dhe greva e operatorëve të transportit publik do të vazhdojë edhe sot, ndërsa është paralajmëruar se në ditën e premte Shoqata e Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve do të organizon protestë në Prishtinë, dhe të gjithë operatorët do t’i sjellin autobusët para Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj të mërkurën tha se Këshilli Drejtues i shoqatës mori vendim që greva për mos qarkullim të transportit rrugor të udhëtarëve do të vazhdon edhe sot, ndërsa të premten orën 10:00 të gjithë operatorët e transportit do të defilojnë me autobus në Prishtinë në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e marrëveshjes nga ana e qeverisë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik në pandemi.
Lexo edhe këtë: Transporti publik në Kosovë fillon grevën, paralajmërohen masa tjera
Kurse, kryeministri në detyrë e Kosovës, Avdullah Hoti nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga Shoqata e Transportuesve të udhëtarëve që sa më parë të kthejnë shërbime për qytetarët. Ai ka shprehur gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të favorshme.
Në komunikatë thuhet edhe se bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (psh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa 50 % të qirasë, pagesa e 170 eurove). Në fund të komunikatës thuhet se pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë dhe se është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset
Mirëpo, kreu i shoqatës tha se kërkesat e tyre janë të njohura për Qeverinë që prej verës së kaluar.
Në fillim të këtij viti ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kishte nënshkruar një marrëveshje të parimeve për ta mbështetur Shoqatën e Transportit Rrugor të Udhëtarëve.
Abrashi pati thënë se kjo do të shërbejë që të ruhen vendet e punës në këtë sektor, duke dhënë garanci se në bashkëpunim me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministren e Financave, Hykmete Bajrami, do të gjenden modalitetet që të mbështetet ky sektor.
“Kjo marrëveshje do t’i ruajë më shumë se 6 mijë vende pune dhe 400 kompani që punojnë në Kosovë. Qeveria e Kosovës do të punojë me të gjitha operatorët ekonomik që t’iu del në ndihmë duke i ruajtur vendet e punës”.
Në atë kohë kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, tha se ky veprim konkret i ministrisë është një hap tutje në ruajtjen e shumë vendeve të punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.