Pas disa hezitimeve, Bashkimi Europian “ka gjetur gjuhën e përbashkët” për të ndaluar pjesën më të madhe të importeve të naftës ruse.
Zëvendësimi i naftës së papërpunuar të Urals me Brent, e cila është më e shtrenjtë do të rrisë faturën e energjisë së bllokut. Nga ana tjetër ky vendim do të zvogëlojë burimin më fitimprurës të të ardhurave të Moskës nga eksportet.
Paketa e re e sanksioneve të bllokut, e cila pritet të zyrtarizohet pasditen e kësaj të marte nga liderit e BE-së, parashikon një ndalim të menjëhershëm të 75% të importeve të naftës së papërpunuar ruse. Kjo do të rritet në 90% deri në fund të vitit. Embargoja e pjesshme synon të lejojë Hungarinë kundërshtare dhe vendet e tjera pa dalje në det të vazhdojnë të importojnë naftë ruse përmes tubacionit.
Vendimi për ndalimin e naftës ruse do të rezultojë edhe me një faturë më të lartë të energjisë për konsumatorët.
Bashkimi Europian ka importuar 3 deri në 3.7 milionë fuçi naftë ruse Urals në ditë, sipas Rystad Energy.
Zëvendësimi i 75% të kësaj me Brent, ku një fuçi shkon 120 dollarë, nënkupton një kosto shtesë prej të paktën 2 miliardë dollarë në muaj.
Eksportet të naftës ruse arritën në 110 miliardë dollarë, më shumë se një e pesta e të ardhurave në total nga eksporti i mallrave të Moskës në vitin 2021.
Edhe pse nafta mund të transportohet më lehtë diku tjetër sesa gazi, Rusia deklaroi se do të luftojë për të zëvendësuar plotësisht ato eksporte të humbura të BE-së.
Rusia mund të fitojë të paktën 8.1 miliardë dollarë në muaj duke eksportuar 3 milionë fuçi në ditë në Bashkimin Europian me çmimet aktuale të naftës së papërpunuar Urals.
Analistët e Rystad thonë se Moska mund të jetë në gjendje të gjejë treg të ri në rastin më të mirë për 1 milionë fuçi të destinuara më parë për BE-në, duke nënkuptuar se eksportet prej 3 milionë fuçi do të tkurren shpejt në vetëm 1.75 milionë fuçi. Kjo do të thotë të ardhura të humbura prej të paktën 3.4 miliardë dollarësh në muaj në fazën fillestare të embargos, ose pak më shumë se 40% e të ardhurave mujore të vlerësuara të Moskës nga eksportet e BE-së, tregojnë llogaritjet e Breakingviews.
Kjo humbje mund të rritet në të paktën 4.5 miliardë dollarë në muaj sapo të fillojë ndalimi i plotë i BE-së.
Embargoja e naftës e BE-së do të dëmtojë Rusinë më shumë se Europën./ Reuters