Ka pak kohë që “Seria 1” ka dalë në rrugë dhe në këtë mënyrë, edhe BMW bëhet pjestare e segmentit të populluar “C”. Sa për të patur një ide, disa nga konkurentet e saj në këtë segment janë: “A3”, “Golf”, “Focus”, “307”, “Stilo” etj. Megjithatë është larg këtyre modeleve dhe kryesisht nga fakti që ruan filozofinë konstruktive të markës. Sipas traditës BMW, edhe tek “Seria1”, motori është i vendosur sipas aksit gjatësor, ndërsa rrotat aktive janë mbrapa. Modeli “120d” është ai i pajisur me motor “2000” turbodiesel. Stili, ashtu si tek BMW-të e tjera të viteve të fundit, mban firmën e dizajnerit shumë të përfolur amerikan Chris Bangle (shih numrin e 6-të). Bien në sy forma të thepisura dhe të rrumbullakuara, njëkohësisht. Në pamjen ballore bie në sy prerja e veçantë e fenerëve. Shumë e veçantë është dhe pamja anësore me linjën e xhamave të lartë. Elementë karakteristike të saj janë dhe linjat e harkuara në pjesën e poshtëme dhe vija e thepisur poshtë xhamave, e cila vazhdon dhe nga pas. Linja e sipërme e xhamave ka një hark të theksuar që zbret poshtë dhe zgjatët nga pas dhe kjo e forcon më shumë shpirtin sportiv të këtij modeli. Kjo përforcohet akoma më shumë dhe nga hapi i gjatë (2.66 metra, një rekord) dhe parafangot e gjera që dalin jashtë karrocerisë.Brenda në kabinë ndjehet menjëherë klasi i lartë BMW. Kualiteti është shumë më i lartë se tek modeli “Compact”, ai që deri tani ka luajtur rolin e “të voglës”. Për arsye teknike dhe stilistike, kabina është shumë e tërhequr mbrapa, aq sa pasagjrët e pasëm duket sikur janë ulur mbi rrotat e pasme. Nuk paraqet asnjë problem për vendet e para, ku trupa me shtatlartësi të ndryshme gjejnë pozicionon e duhur, ndërsa të pasmit, rrijnë pak ngushtë, sidomos ai i mesit. Vendi i shoferit është i shkëlqyer dhe në këtë ndikon vendosja gjatësore e motorit. Hapësira më e madhe tek këmbët lejon që pedalet të vendosen saktësisht në një aks me timonin dhe ndenjësen. Friksioni nuk është, se modeli që po anilzohet është me transmision automatik por, edhe sikur të ishte, hapësira është e tillë që do kishte vend të mjaftueshëm për një mbështetje të mirë të këmbës dhe një lëvizje të natyrshme mbi pedal.Për sa i përket instrumentave, vendosja e sistemit “iDrive” e thjeshton shumë punën. Ky është sistemi i përdorur nga BMW tek modelet e viteve të fundit dhe përmbledh një numër komandash në një të vetme. Klientët janë ndarë në dy grupe ku, në njërin janë ata që e konsiderojnë të domozdoshëm ndërsa në të dytin, ata që po të mundnin, do ta shkulnin që në rastin e parë. Megjithatë, ka meritë se me një software të studjuar mirë, mbledh shumë funksione në një të vetëm; ndryshe do të kërkonin nja 20 butona më shumë. Pa këta, bordi është i thjeshtë dhe janë lënë vetëm komandat e klimatizatorit elektronik dy-zonësh. Edhe tek timoni, i cili mund të rregullohet në lartësi dhe në thellësi, janë të vendosura një numër i konsiderueshëm komandash. Me kërkesë mund të vendoset dhe navigatori satelitor, i cili ndodhet i fshehur në zonën e sipërme të bordit. Megjithatë, në morinë e komandave për tu vendosur, projektuesit kanë harruar termometrin e ujit të motorit. Më në fund bagazhi: pavarësisht se “120d” e ka diferencialin mbrapa, vëllimi i bagazhit është i njëjtë me atë të konkurentes Audi “A3”. Forma e tij është e rregullt dhe e tillë mbetet edhe kur shtrihen mbështetëset e pasme. Në këtë rast formohet një plan i sheshtë.Motori: pikë referimiDeri tani, motori dy litërsh turbodiesel Euro 4, është pikë referimi për këtë kategori. Fuqia prej 120 kW (163 kf) dhe momenti prej 340 Nm janë qrritur duke përdorur një impiant injeksioni common rail me presion 1600 bar dhe një turbokompresor të ri me gjeometri të ndryshueshme. Dy janë kutitë e shpejtësisë që parashikohen për këtë model, të dyja me gjashtë marshe: normalisht është e pajisur me një manuale, ndërsa me kërkesë, ashtu si tek modeli që po përshkruajmë, mund të vendoset një automatike “Steptronic” e pajisur dhe me funksionin sekuencial, ku marshet ndërohen një e nga një. Kuptohet, automatikja është më e këshillueshme, si për shfrytëzimin më të mirë të motorit, ashtu dhe për rehatin gjatë ecjes. Për sa i përket konsumit të karburantit, duhet ditur se nuk është ndër më të mirat: kuajt e shumtë të motorit kërkojnë të pijnë dhe në qoftë se ndokush kërkon të provojë shpesh akselerimin e makinës (me një motor të tillë duhet një vetpërmbajtje e madhe), do të shohë që shigjeta lëviz me shpejtësi. Me transmisionin automatik, në qytet mund të përshkohen mesatarisht 11 km/litër.Të shtysh apo të tërheqëshNdryshimi qëndron në faktin se duhet zgjedhur se cilat rrota do të lëvizin makinën. BMW ka për traditë që përdor të pasmet, por nuk mungojnë arsyet për të zgjedhur edhe të parat. Alfa Romeo, përshembull, me modelin “147” ka arritur të realizojë një veturë me karakteristika rrugore të shkëlqyera, por edhe më ekonomike për tu prodhuar. Por ka një të metë: shpërndarjen e peshës. Në realitet, rrotat e para duhet të mbajnë reth një ton ngarkesë dhe kjo nuk është pa gjë. BMW “120d”, me shoferin në bord, e ka peshën të shpërndarë në mënyrë gati të barabartë, si në rrotat e para ashtu dhe në të pasmet. Në këtë mënyrë ka manovrueshmëri të lartë por në të njëjtën kohë, është dhe shumë të ndjeshme ndaj komandave të timonit. Kjo është argëtuese për një ekspert por e drejtuar në limit, mund të sjellë dhe shmangie të pasme (kthesëmbyllje). Megjithatë, është kotrolli i stabilitetit (BMW e quan DSC) që ndërhyn për të rivendosur gjendjen. Por meqënëse ky është një sistem që edhe mund të stakohet nga shoferi, duhet patur gjithmonë kujdes. Impianti i frenimit me katër disqe vetëventilues, siguron hapësirë frenimi të mjaftueshme por jo në vlera rekord, ndërsa rezistenca në lodhje është shumë e lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.