Qeveria shqiptare është optimiste për ritmin e rritje së ekonomisë së vendit. Buxheti i vitit 2013 parashikon rritje. Opozita vlerëson se janë shkelur afatet kushtetuese, ndërsa shprehet se ekonomia nuk është në gjendje të përballojë një nivel të lartë borxhi
Ministri i Financave, Ridvan Bode prezantoi në Komisionin e Ekonomisë projektbuxhetin e vitit 2013. Sipas numrit një të financave, në buxhetin e vitit të ardhshëm fokusi do të jetë rritja ekonomike e cila parashikohet të jetë në nivelin 4%, më e larë se në vendet e rajonit.
Sipas Ministrit të Financave, ekonomia shqiptare ka reaguar mirë ndaj krizës, ka demonstruar rritje të mirëqenies shoqërore. “ Buxheti i vitit 2013 do të jetë proaktiv, për të synuar rritjen ekonomike, do të programojë mbajtjen e investimeve publike në nivele të larta kundrejt rajonit” tha Bode.
Gjatë fjalës së tij në komisioni ai është ndalur edhe në vlerësimin e ekonomisë gjatë vitit 2012, vit në të cilin është ndier presioni i krizës botërore, duke e cilësuar si një problem kyç.
“Gjatë këtij viti tkurrja e rritjes ekonomike erdhi edhe për shkak të motit. Mund të them se ky vit ka qenë ndër më të vështirët për ekonominë. Inflacioni u mbajt në nivelin 2%, papunësia u llogarit në 13.3% me rënie në masën 0.2%” tha ministri.
Kreu i Financave, foli edhe për gjendjen e sistemit bankar në Shqipëri, që sipas tij kanë fitim të mjaftueshëm për të mbuluar moskthimin e kredive. Ai e vlerësoi gjendjen e këtij sistemi të shëndetshme. “Në vitin 2012, depozitat u rritën me 10%, ndërsa kredia me 5.8%. Edhe pse ka rritje të kredive me probleme, kjo nuk përbën rrezik për sistemin” tha ministri.
Ndërsa për deputeten e Partisë Socialiste Mimi Kodheli ky buxhet ka shkelur detyrimet ligjore dhe kushtetuese. “ Buxheti duhet të ishte paraqitur në datë 1 nëntor, një gjë e tillë tregon se ka pasiguri për të dhënat dhe frikë për mosrealizimin e objektivave” tha Kodheli.
Sipas saj rreth 850 miliardë lekë do të cekë borxhi vitin e ardhshëm, ndërsa 16% e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të jenë pagesat e borxhit. “Ekonomia nuk e përballon dot këtë borxh i cili është më i larti në rajon” tha Kodheli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.