Flet Olsi Çukaj, Zëvendëspresident i “BOLV Group”
Rritja e numrit të markave ndërkombëtare të hotelerisë në kryeqytet nuk e shqetëson zëvendëspresidentin e “BOLV Group”, Olsi Çukaj, i cili thekson se kjo shton konkurrencën. Ai shprehet se në fazën kur të kthehet normaliteti dhe strukturat të nisin aktivitetin në sektor, për tregun do të jetë sfidë gjetja e stafit të kualifikuar për këtë lloj shërbimi.
Pse keni zgjedhur ACCOR për ta pasur si partner në zgjerimin tuaj në sektorin e hotelerisë dhe saktësisht nën markën “Novotel”?
Bashkëpunimi me ACCOR erdhi në mënyrë rastësore. Unë kam studiuar në Zvicër në një shkollë për Hoteleri-Turizëm dhe Internshipin e kam zhvilluar në një nga hotelet e mëdhenj të kryeqytetit. Në këtë moment, prej njohjeve të krijuara, takova njerëzit e duhur në kohën e duhur dhe saktësisht Drejtorin e Zhvillimit të ACCOR për pjesën e Europës Juglindore.
Pasi bëmë një vlerësim të avantazheve që kishte marka si dhe të zgjerimit të aktivitetit të “BOLV Group” në këtë sektor, arritëm në një marrëveshje. Mendoj se Shqipëria është në një fazë zhvillimi të tillë, ku hyrja e markave të kësaj natyre ndikojnë vetëm pozitivisht. Finalizimi i partneritetit mes nesh dhe ACCOR kaloi në disa etapa ku ne këmbëngulëm që kontrata të kishte formën e një franchise. Kontratat e kësaj natyre të japin dorë të lirë për menaxhimin dhe përshtatjen me vendin ku ndërtohet hoteli, duke mos cenuar në standarde dhe shërbim. Thjesht bëjnë përvojën më “lokale”.
Në portofolin e ACCOR janë një seri markash, por pse zgjodhët pikërisht “Novotel” për ta sjellë në Shqipëri. Cili është targeti i këtij hoteli?
Sot në botë ka 541 hotele “Novotel” dhe Shqipëria i është bashkuar grupit të vendeve që kanë një markë të tillë. Ajo që ne na tërhoqi te marka në fjalë është diferenca e të qenët më shumë sesa një hotel dhe vendosja e një targeti që nuk përjashton. Kjo do të thotë që në një hapësirë bashkëjetojnë në mënyrë harmonike, ambientet e biznesit, ato familjare dhe shopping, hapësirat sociale.
Është paramenduar gjithçka për ta kthyer këtë në një kompleks ku mund të zhvillohen nga prezantimet e seminaret e korporatave te konferencat, takimet mes vetë biznesit (Bussines to Bussines) apo edhe të familjeve që do të zgjedhin lehtësinë e eksesit, falë vendndodhjes së strukturës. Kam parasysh që ka afër portin, aeroportin, Unazën.
Cilat janë avantazhet që mendoni se keni duke pasur parasysh që së fundmi ka një sërë markash që janë afruar në Shqipëri dhe konkretisht të vendosura brenda kryeqytetit. A ndieni konkurrencë prej tyre?
Nuk e shoh me frikë pjesën e markave të tjera apo të vendndodhjes së tyre. Mendoj se konkurrenca është diçka e mirë për tregun. Efektet e saj dihen, që nga çmimet e deri te rritja e cilësisë së shërbimit. Secili nga bizneset ecën me një plan dhe strategji të qartë dhe ne si “Novotel”, falë edhe dorës së lirë që na jep kontrata e franchise, kemi mundësi të përshtatemi.
Kjo do të thotë të ndërhysh në çmime, të bësh oferta sezonale, të përshtatesh me aktualitetin hap pas hapi. Sigurisht që jam gjithmonë për krijimin e atij qarkut të mbyllur, që do të thotë se në sektor, duhet të funksionojnë të gjithë zinxhir dhe duhet të krijosh partneritete të forta të tilla si me tur-operatorët apo agjencitë e udhëtimit.
Sfidë për praninë e kaq shumë markave është kapitali njerëzor i kualifikuar dhe i trajnuar për këtë lloj shërbimi, pra hotele, marka ndërkombëtare me 4 dhe 5 yje. Në këndvështrimin tim, ka shumë pak persona në treg që kanë kualifikimet e nevojshme për këtë lloj segmenti dhe normalisht, gjetja dhe më pas trajnimi i tyre do të ketë kosto për sektorin.
Çfarë avantazhesh sjell për Shqipërinë qasja e brandeve të mëdha në këtë sektor?
Çdo markë ka pas vetes fuqinë e saj dhe kjo fuqi janë klientët. Markat ndërkombëtare e kanë një emër të konsoliduar dhe, prania e tyre në një vend të caktuar rrit besueshmërinë tek vendi dhe tregu në përgjithësi. Rritet konkurrenca dhe standardi i shërbimit. Ndikimi i përgjithshëm mendoj se është pozitiv.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.