Shqipëria rrezikon të kthehet në një varrezë me makina të vjetra e të papërdorshme, me kosto të mëdha financiare e mjedisore. Si po rritet me shpejtësi stoku i automjeteve të përdorura dhe rreziqet për konsumatorët në momentin që Shqipëria do të fillojë të zbatojë standardet e Bashkimit Europian për normativat e ndotjes. Sa humb shteti nga informaliteti i dukshëm në tregun kaotik të mjeteve të vjetra
Në rrugët pothuajse të shkatërruara të Shqipërisë së pas viteve ‘90, modelet e vjetra Benz 200 u bënë mjaft të preferuara për shqiptarët. Jo vetëm se u përshtateshin fare mirë infrastrukturës sonë me rrugë tejet të amortizuara, por dhe se mund të bliheshin relativisht lirë. Një tendencë kjo që u konstatua në të gjithë Europën Qendrore. Por, përtej çmimit të lirë të tyre fshihej diçka tjetër. Qeveria gjermane, në përpjekje për të mbrojtur mjedisin, i detyronte përdoruesit e këtyre automjeteve të ndryshonin marmitën në katalitike, veprim që u kushtonte pronarëve gjermanë 4000-5000 marka, përndryshe makina u dilte jashtë përdorimit. Dhe ata zgjodhën të shisnin makinat e tyre në vendet e Europës Lindore, të cilat, pas daljes nga komunizmi, po përjetonin një situatë kaotike, ku rregullat për ruajtjen e mjedisit dhe organizimin e tregut të automjeteve ishin minimale….
…Sot, kur kanë kaluar 20 vjet, Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara, dhe pas marrjes së pritshme të statusit në dhjetor, Bashkimi Europian është më afër se kurrë. Dhe Shqipëria do të gjendet në të njëjtën situatë si Gjermania e para 20 viteve, ku e detyruar të zbatojë legjislacionin europian për automjetet, shumë makina, edhe pse mund të jenë blerë së fundmi, por kanë vit prodhimi të vjetër, do të shërbenin vetëm për skrap[1].
Por, teksa gjermanët i dolën së keqes përpara, duke hequr qafe makinat që praktikisht u dolën jashtë përdorimit, Shqipëria rrezikon të kthehet në një varrezë me makina të vjetra e të papërdorshme, me kosto të mëdha financiare e mjedisore, teksa nuk ka mbetur më asnjë shtet ku do të mund ta shkarkonte këtë “barrë”.
Krijimi i një stoku prej 20 mijë automjetesh
Që pas shtatorit 2011, kur u hoqën doganat e makinave, shifrat e importit dhe regjistrimit të automjeteve tregojnë një tendencë alarmante të hyrjes së makinave të vjetra dhe rënies së atyre të reja. Dukuria ishte më e theksuar në muajt e fundit të 2011-s dhe 2012-s, por ajo ka qenë e pranishme dhe në 2013-n.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, të përpunuara nga Automobile Club Albania (ACA), importi i makinave të përdorura u rrit me shpejtësi, që nga shtatori 2011, menjëherë pasi hyri në fuqi ligji i ri, i cili eliminoi tërësisht taksën e ndotjes për mjetet e importuara, duke synuar që vjelja e kësaj takse të realizohej gjatë gjithë kohës së përdorimit të mjetit përmes rritjes së taksës së regjistrimit dhe taksës së qarkullimit të mjetit. Numri i automjeteve të targuara për herë të parë për periudhën shtator-dhjetor ishte gati katër herë më i lartë se ai i periudhës janar-gusht 2011 (nga 5814 makina në janar-gusht në 28343 në katër muajt e mbetur të vitit).
Gjatë gjithë vitit 2012 u importuan 50,314 automjete të përdorura, me një rritje prej 47% në raport me një vit më parë.
Shtimi i importeve ka vijuar dhe në 2013-n. Për gjashtë muajt e parë të vitit janë importuar mjete me një rritje prej 4% në raport me të njëjtën periudhë 2012 dhe 508% në krahasim me janar-qershorin e 2011-s.
Stoku
Rritja galopante e importeve të mjeteve të përdorura, në nivele më të larta sesa blerja dhe regjistrimi i tyre ka sjellë dy vitet e fundit një dukuri që sa vjen e thellohet, atë të krijimit të një stoku të mjeteve të përdorura, që i ka kaluar 20 mijë automjete
Rritja galopante e importeve të mjeteve të përdorura, në nivele më të larta sesa blerja dhe regjistrimi i tyre ka sjellë dy vitet e fundit një dukuri që sa vjen e thellohet, atë të krijimit të një stoku të mjeteve të përdorura (të pashitura). Grafiku nr. 3 tregon diferencën kumulative mes mjeteve të importuara dhe atyre të regjistruara, e cila, në fund të gjashtëmujorit të parë 2013, ka arritur në rreth 19 mijë. Sikur të mos hyjnë më makina, kjo sasi është në gjendje të mbulojë kërkesën për 6 muaj. Pjesa më e madhe e këtyre automjeteve të pashitura vlerësohen të jenë shumë të vjetra, duke u kthyer në këtë mënyrë në një bombë mjedisore, duke e kthyer Shqipërinë në një kazan të madh plehrash, por edhe social, në momentin që vendi do të detyrohet të zbatojë normativat e ndotjes sipas kritereve të Bashkimit Europian.
Shifra mund të jetë edhe më e lartë, pasi është e pamundur të llogariten automjetet që nuk janë as të zhdoganuara, as të regjistruara dhe që qarkullojnë me targa të huaja, apo janë fare pa targa.
Bie ndjeshëm tregu i makinave të reja
Ndërsa makinat e përdorura po zaptojnë gjithnjë e më shumë, tregu i automjeteve të reja po tkurret me shpejtësi. Pasi arriti vitin më të mirë në 2008-n, në 3195, sipas të dhënave nga Ministria e Transporteve, regjistrimi i automjeteve të reja zbriti të 1864 në vitin 2012 (shiko grafikun 4). Edhe në gjashtë muajt e parë të 2013-s, tendenca ka qenë negative, me vetëm 648 makina të reja të regjistruara.
I është zënë rruga në këtë mënyrë një tregu të formalizuar, i cili sjell të ardhura në buxhetin e shtetit. Nga ana tjetër, vetë konsumatorët po orientohen të bëjnë zgjedhjen e gabuar dhe me më shumë kosto në afatin e gjatë, në një treg ku amullia ka arritur kulmin.
Kjo ka sjellë rënien me shpejtësi të peshës në treg të makinave të reja, që ishte vetëm 3% në gjashtëmujorin e parë 2013, nga rreth 10-15% që ishte kjo shifër në vitin më të mirë, 2008.
Aktualisht, koncesionarët ankohen se tregu formal i automjeteve rezulton i paralizuar dhe ai informal po lulëzon, por kjo sjell një rritje të stokut të automjeteve të përdorura, që do të influencojë vlerën e tregut të makinave ekzistuese në Shqipëri.
Si humbet shteti TVSH
Nuk janë vetëm koncesionarët, ambienti dhe konsumatorët ata që po dalin të humbur nga kjo situatë. Edhe vetë shteti nuk arkëton të gjithë TVSH-në, që duhet të merrte në rast se tregu do të ishte tërësisht i formalizuar.
Sipas llogaritjeve nga Klubi i Automobilave të Shqipërisë (ACA), nga të dhënat e Doganave, vlera mesatare e TVSH-së së paguar për një makinë të përdorur për gjashtëmujorin e parë 2013 ishte 433 euro, çka nënkupton se çmimi mesatar i deklaruar i një automjeti është në nivelin 2100-2200 euro. Por, sipas ACA-s, vlera reale e automjeteve të përdorura që hyjnë në vend, është disa herë më e lartë, mesatarisht 5000-7000 euro. Kjo ka sjellë një humbje në të ardhurat në buxhet nga TVSH-ja prej rreth 20-25 milionë eurosh (gati trefishi i shumës faktike që është paguar si TVSh nga mjetet e përdorura që kanë hyrë në vend në gjashtë muajt e parë të këtij viti). Kjo shumë, nëse do të arkëtohej, mund të përdorej në projekte të tilla për nxitjen e makinave elektrike, apo atyre ekonomike, që do të reduktonin nivelet e larta të ndotjes në vend.
Nga ana tjetër, çmimi mesatar i shitjes së një makine të re është rreth 16 mijë euro (nga 8000-30,000 euro mesatarisht) dhe TVSH-ja mesatare për makinë rezulton sipas përllogaritjeve të ACA-s rreth 3200 euro.
Në total, automjetet e reja, që zinin vetëm 3% të shitjeve në gjashtëmujorin e parë të vitit kanë sjellë 20% të TVSH-së së arkëtuar, teksa tek automjetet e përdorura është i dukshëm informaliteti, përmes deklarimit minimal të vlerës, larg asaj reale.
Normativat EURO të ndotjes dhe bomba me sahat e Shqipërisë
Për të kuantifikuar nivelin e ndotjes, sidomos për elementët shumë të dëmshëm për shëndetin si grimcat e blozës dhe oksidet e azotit janë vendosur disa standarde europiane të shtrira në kohë, të cilat janë të detyruara t’i zbatojnë të gjithë prodhuesit. Kjo ka qenë një “luftë” e ashpër mes prodhuesve dhe ligjvënësve, deri sa u arrit në miratimin dhe zbatimin me përpikëri të tyre. Filozofia e normativave EURO është që mesatarisht çdo pesë vjet, qeveritë, por edhe prodhuesit të marrin masa për reduktimin e ndotjes. Qëllimi ishte për t’i lënë kohë prodhuesve dhe vendimmarrësve për të marrë masat e nevojshme për përmbushjen e standardeve të miratuara. Tashmë të gjithë mjetet e reja të regjistruara në Europë duhet të jenë të certifikuara EURO 5 dhe duke filluar nga viti 2014, EURO 6.
Në Shqipëri, qarkullojnë sot rreth 300.000 mjete motorike (sipas të dhënave nga kontrolli teknik dhe numri i policave të sigurimit që shiten në total) megjithëse të regjistruara janë mbi 400.000. Sipas ACA-s, parku i automjeteve në Shqipëri është i përbërë nga mjete të vjetra dhe shumë të vjetra, siç shihet dhe nga grafiku, mbi 60 për qind e mjeteve janë të grupmoshës 17-32-vjeçare. Mosha mesatare e mjetit në Europë luhatet në 7-9 vjet.
Edhe ndryshimi ligjor i shtatorit 2011-s e thelloi hendekun me Europën. 70-80% e makinave e makinave të targuara për herë të parë kishin një vit prodhimi maksimumi deri në vitin 2002 (minimalisht 10 vjet të përdorura).
Sipas ACA-s, vetëm 5% e makinave të shitura, ato të prodhuara pas 2009-s, respektojnë normat aktuale europiane të ndotjes së ajrit, EURO 5 dhe EURO 6. Dhe në momentin që Shqipëria do të hyjë në BE, i gjithë ky stok i makinave të vjetra do të kthehet në një bombë me sahat.
Sipas ACA-s, nëse dëshirojmë të mbrojmë mjedisin, por njëkohësisht të mos frenojmë rritjen e motorizimit mjafton që standardi euro i normativave të
ndotjes të përdoret si frenues apo penalizues në import.
[1] Sipas kritereve të Bashkimit Europian, aktualisht në vendet e BE-së lejohen të qarkullojnë makina që kanë minimumi normativën e ndotjes EURO 5 dhe të regjistrohen, që nga fundi i 2011-s vetëm makinat që plotësojnë normativën EURO 5.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.