Bonus-Malus po funksionon në Kosovë

22/02/2020 2:04 PM 0 komente

Flet Genond Mesareja, Drejtor i Degës Sigma Interalbanian në Kosovë

 

Sistemi bonus-malus zbatohet në Kosovë si zgjidhje e centralizuar, ndërkohë në Shqipëri është vendosur se duhet të fillojë gjatë vitit 2020. Në një intervistë për “Monitor”, Genond Mesareja, Drejtor i Degës Sigma Interalbanian në Kosovë, thotë se tregu i sigurimeve edhe në Kosovë është më shumë i orientuar drejt sigurimeve të detyrueshme (sigurimet që janë të përcaktuara më ligj).

Gjithsesi, vlen të theksohet, se eksperienca më sigurimet për banorët e Kosovës është relativisht e gjatë, madje para vitit 1990, edhe për këtë arsye, edhe konsumatori është më i mësuar më idenë e domosdoshmërisë së sigurimeve se sa në Shqipëri.

Si ka qenë ecuria e kompanisë tuaj për vitin 2019 në tregun e Kosovës në termat e pjesëve të tregut, pagesës së dëmeve dhe performancës financiare?

Gjatë vitit 2019 performanca e kompanisë Sigma Interalbanian/Dega e Kosovës ka qenë e kënaqshme, pasi të ardhurat nga primet kanë shënuar një rritje mbi 7% në krahasim më vitin 2018. Përveç kësaj edhe struktura e primeve të shkruara bruto ilustron vendimmarrjen strategjike të kompanisë për tu orientuar drejt sigurimeve vullnetare, ku potenciali i rritjes është më i lartë. Konkretisht pjesa e primeve, që rezulton nga produktet vullnetare të kompanisë përbën 52% e totalit të primeve. Kjo është një shifër, që dëshmon një trend domethënës drejt raporteve, që janë tipike për vendet e zhvilluara. Vlera e mësipërme ka një diferencë të ndjeshme nga raporti përkatës për industrinë e sigurimeve, që mbetet kryesisht e orientuar nga sigurimet e detyrueshme, në raportin 60%-40%.

Si e vlerësoni ambientin për biznes në industrinë e sigurimeve në Kosovë?

Tregu i sigurimeve edhe në Kosovë është më shumë i orientuar drejt sigurimeve të detyrueshme(sigurimet të detyrueshme të përcaktuara më ligj). Gjithsesi, vlen të theksohet, se eksperienca më sigurimet për banoret e Kosovës është relativisht e gjatë, madje daton para vitit 1990, edhe për këtë arsye edhe konsumatori është më familjar me domosdoshmërinë i sigurimeve se sa në Shqipëri. Konkurrenca në këtë treg është relativisht e lartë, sidomos duke iu referuar produktit të sigurimit të detyrueshëm nga vetëpërgjegjësia.

Ky treg ka një përqendrim relativisht të lartë të kompanive në raport me madhësinë e tregut. Kosto shtesë për kompanitë e sigurimeve përbëjnë edhe dëmet e shkaktuara nga automjete të paregjistruara, të cilat nuk janë të pakta në numër, por që i alokohen indirekt kompanive të sigurimit nëpërmjet një skeme solidare.

Si po funksionon tregu sigurimeve të detyrueshme motorike dhe pse duhej të rritej primi sigurimit?

Ndryshimi i primit të policave është bërë nga kompanitë e sigurimit në vitin 2019 duke reflektuar ndryshime dhe dinamika specifike të këtij tregu. Këto dinamika janë nën monitorimin e Bankës Qendrore e Kosovës, e cila është rregullator si për industrinë bankare ashtu edhe për atë të sigurimeve.

Pas analizave të kujdesshme të parametrave të tregut, riskut, etj. u konsiderua e nevojshme rritja e primit duke qenë se raporti dëme/prime kishte një dinamike rritje të vazhdueshme, ndërsa sistemi bonus-malus, i cili u aplikua në Kosovë që në vitin 2015, me qëllimin e incentivimit të klientëve me histori pozitive demi (bonus-i aplikohej sipas kategorive përkatëse në afërsisht 96% të rasteve, ndërsa koncepti malus në 4%), sillte një ulje të vazhdueshme të prim-it mbi baza vjetore. Efekti bonus-malus duke iu referuar incidencës së dëmeve, si dhe kategorive të aplikimit të sistemit bonus/malus afekton primin e shkruar bruto në bazë vjetore rreth 6%.

Të dy këta faktorë në mënyrë kumulative zvogëlojnë ndjeshëm marge-in e kompanive, dhe aftësitë paguese për dëmet. Është fakt, që vlera e paguar për dëme të natyrës materiale por sidomos ato jomateriale ka dëshmuar për arsye të ndryshme një trend rritës më të lartë se rritja e primeve bruto të shkruara. Pra si përfundim rritja e primit të sigurimit për tregun e Kosovës, ishte domosdoshmëri për t’u zbutur disi efekti kumulativ i rënies së të ardhurave gjatë këtyre 5 viteve të fundit.

A po zbatohet sistemi Bonus-malus në Kosove dhe pse nuk zbatohet në Shqipëri?

Sistemi Bonus-Malus zbatohet në Kosovë në mbështetje të legjislacionit vendor, i cili është përafruar më shpejt me legjislacionet perëndimore në këtë fushë ndërkohë që në Shqipëri është vendosur se duhet të fillojë gjatë vitit 2020.

Shqipëria ka një frekuencë zyrtare të dëmeve shumë të ulët rreth 3% (nga më të ulëtat në rajon). Në Shqipëri pritet, që ky ndryshim ligjor të prekë pozitivisht sjelljen e drejtuesve të mjeteve në mënyrë, që të përfitojnë nga ky diferencim i çmimit prej meritës, si dhe të sjelle si derivat uljen e numrit të dëmeve të raportuara në vlera të vogla.

Cilat janë avantazhe dhe disavantazhet e tregut në Kosovë të sigurimeve krahasuar me tregun shqiptar?

Si avantazh për kompanitë e Sigurimit në Kosovë do të përmendja faktin e cituar edhe më sipër, që konsumatori, ka një kulturë në raport me sigurimet më të vjetër se në Shqipëri dhe një qasje më proaktive ndaj sigurimeve vullnetare duke qenë më i ndërgjegjësuar në lidhjen shkak-pasojë incidencë demi-kosto potenciale.

Si risk konsiderohet rritja në numër dhe vlerë e dëmeve jomateriale. Nga ana tjetër, vendimet e gjykatave në raport më demet jomateriale, që shpesh përfundojnë atje, nuk i nënshtrohen kategorizimeve të Rregullores se Bankës Qendrore të Kosovës por janë rast pas rasti të ndryshme dhe shpesh më diferencë më të larte, se vlerat e parashikuara në rregullore, e cila shërben si bazë për llogaritjen e rezervave për kompanitë e sigurimit.

Cilat janë arsyet që tregu sigurimeve në Kosovë performon me humbje ndërkohë që tregu bankar gjeneron rreth 90 milionë euro fitime në vit më shumë se ç’janë gjithë primet/xhiro e sigurimeve?

Nuk dëshiroj të marr përsipër një analize të detajuar të tregut bankar, por sigurisht, që dimensionet janë krejt të ndryshme. Asetet, që mobilizon tregu bankar në Kosovë, dhe si rrjedhojë dhe të ardhurat janë shumë më të mëdha se ato të industrisë së sigurimeve. Tregu i sigurimeve është ndjeshëm më i vogël dhe ka konkurrence më të lartë.

Nga ana tjetër, primi për banor në Kosovë është i ulët në krahasim më vendet e tjera të rajonit (i pakrahasueshëm me vendet perëndimore) duke i shtuar gjithashtu efektin bonus/malus në uljen e primit, ndërkohë, që dëmet p.sh., ato materiale (për pjesët e ndryshme të automjeteve) përafrohen me ato të vendeve perëndimore.

Edhe pse tregu i sigurimeve në Kosovë ka rezultuar prej kohësh në vështirësi, duhet theksuar se kompania Sigma Interalbanian Dega Kosovë, si pjesë e një prej grupeve më të fuqishme të sigurimeve në Europën Qendrore dhe Lindore (Vienna Insurance Group) ka rezultuar e suksesshme qofte në rritjen e të ardhurave, ashtu edhe në të gjitha parametrat e tjerë specifikë të industrisë së sigurimeve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of