Bonusi i bebeve, qeveria shpërndau 6 mln euro për janar-maj

18/06/2019 11:00 PM 0 komente

Qeveria shqiptare nëpërmjet buxhetit të shtetit ka shpërndarë 6 milionë euro në formën e bonusit për bebet që kanë lindur pas datës 1 janar sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Nisur nga rënia drastike e numrit të lindjeve, qeveria vendosi vitin e kaluar të japë stimuj financiar për nxitjen e lindshmërisë në vend.

Sipas vendimit të qeverisë qe nga 1 janari 2019 për lindjen e fëmijës së parë nënat marrin 40,000 lekë, për lindjen e fëmijës së dytë 80 mijë lekë dhe për lindjen e fëmijës së tretë 120,000 lekë.
Ndërsa për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit është në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë.

Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilin fëmijë.
Bonusin e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.

Numri i lindjeve gjatë vitit 2018 është rreth 28.9 mijë bebe. Në vlera absolute, rënia e numrit të lindjeve, krahasuar me vitin 2017, është 2,799 lindje. Për lindjet djem kemi një rënie prej 7,3 %, ndërsa për lindjet vajza rënia është 5,1 %.
Ndërsa indeksi sintetik i fekonditetit (ISF), tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, duke shënuar, 1,37 fëmijë për vitin 2018.

Kjo do të thotë se në 100 femra pritet të lindin 137 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grup-moshave janë ato të vitit referues, 2018. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.

Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 dhe 25-29, ndërsa për grup-moshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë. Në vitin 2018, mosha mesatare në lindje ishte 28,6 vjeç.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of