Bordi i Transparencës bazuar në të dhënat e fundit të bursës Platts ka ndryshuar sërish çmimet e tregtimit të karburanteve në vend.
Një litër naftë do të tregtohet për 184 lekë, nga 187 lekë që tregtohej më parë, ndërsa benzina me 186 lekë litri.
Çmimi i gazit mbetet i pandryshuar.
Në bursat ndërkombëtare nafta Brent tregtohet për 78.37 dollarë për fuçi.
Prej një viti, Bordi i Transparencës i krijuar nga qeveria vendos çmimet tavan për naftën, benzinën dhe gazin, por aktorët e tregut janë ankuar vazhdimisht se ndërhyrjet e Bordit i kanë mbajtur çmimet artificialisht më të larta, pasi nuk u krijojnë mundësi operatorëve që të manovrojnë me luhatjet e çmimeve në bursa.
Njoftimi i Bordit
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 27.03.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 860, +10 nga data 22.03.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 737, -23 nga data 22.03.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar zbritje të lehtë në 106.46 (- 0.17 nga data 22.03.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 184 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 172 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 186 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 174 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 75 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 63 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 90 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 28 Mars ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.