Pa kaluar as 24 orë, Bordi i Tranparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve në vend.
Pasi i rriti me 8 lekë për litër gjatë ditës së djeshme, duke i çuar në 214 lekë, sot Bordi i ka ndryshuar sërish çmimet.
Nga ora 18.00 e ditës së shtunë, nafta do të tregtohet me 209 lekë për litër, duke mbetur 3 lekë për litër më e shtrenjtë sesa ishte dy ditë më parë.
Rënien më të lartë e la shënuar benzina, që do të tregtohet me 187 lekë, duke iu afruar niveleve të shkurtit, përpara se të fillonte kriza e çmimeve, nga 195 lekë që ishte ditën e djeshme (kur u rrit nga 191 lekë dy ditë më parë).
Operatorët e tregut pohojnë se janë të çorientuar nga këto lëvizje të shpeshta dhe të çoroditura të Bordit. Sipas tyre, fiksimi i çmimeve nga Bordi i Transparencës në vend që të ndikonte pozitivisht ka dhënë efektin e kundërt, duke i mbajtur çmimet artificialisht të larta. Sipas Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, nëse operatorët do të ishin të lirë të vendosnin për çmimet, secili prej tyre do ta merrte vetë rrezikun dhe do të bënte blerje më afatgjata, në momentet që vlerësonte se çmimet në treg kishin arritur një pik minimal, siç ndodhi dhe ditët e fundit kur nafta zbriti në rreth 83 dollarë për fuçi (shiko grafikun: Ecuria e naftës në bursat ndërkombëtare gjatë vitit të fundit, treguesi Brent). Kjo do ta shtynte në kohë reflektimin e shtrenjtimit të naftës në bursat ndërkombëtare.
“Ndërhyrjet e Bordit janë më të dëmshme sesa të lihej tregu të funksionojë në konkurrencë. Kompanitë nuk mbyllin dot blerje për afate më të gjata, pasi luhatjet e shpeshta të çmimit nga bordi vetëm sjellin dëme, duke bërë që shoqëritë të mos mbajnë rezerva, pasi do të detyroheshin të shisnin me humbje, përsa kohë që çmimet fiksohen nga Bordi”.
SHUMICA
Nafta 197 Lek
Benzina 175 Lek
Gazi 59 Lek
PAKICA
Nafta 209 Lek
Benzina 187 Lek
Gazi 71 Lek
Peshkimi: 116 Lek
Çmimet do te ndryshojne sot ne oren 18:00
Vendim i Bordit të Transparencës 03.12.2022
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 3 Dhjetor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 02.12.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 865, -76 nga data 02.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 952, -35 nga data 02.12..2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar zbritje në 111.41 (-1.08 nga data 02.12.2022).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 209 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 3 Dhjetor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.