Bordi i Transparencës, i cili që prej fillimit të marsit fikson çmimet e shitjes me pakicë e shumicë të karburanteve, ka ulur për herë të dytë radhazi çmimet e karburanteve në vend.
Sipas njoftimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 235 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 223 lekë/litër. Në datën 6 korrik, nafta tregtohej me 243 lekë për litër. Ndërsa të hënën, Bordi e rriti çmimin me 9 lekë për litër, duke e çuar në 252 lekë/litër.
Sipas vendimit të fundit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 227 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 215 lekë/litër. Më parë, benzina tregtohej me 229 lekë për litër
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litri dhe i shitjes me shumicë 69 Lekë /litri. Gazi nuk ka ndryshuar.
Që prej fillimit të muajit mars, kur nafta filloi të rritej me shpejtësi në tregun e brendshëm, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria krijoi Bordin e Transparencës, që vendos periodikisht çmimet e shumicës dhe të pakicës të naftës, benzinës dhe gazit, sipas një formule që merr për bazë çmimet e blerjes në bursa, taksat, kostot operative dhe një marzh fitimi.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha për “Monitor” se fiksimi i çmimeve nga Bordi vetëm sa ka qenë në dëm si të kompanive, ashtu dhe të konsumatorëve, teksa u ka dhënë operatorëve më pak mundësi atyre të blejnë me eficiencë, duke bërë që çmimet e fiksuara të jenë realisht më të larta sesa do të ishin nëse tregu do të lihej i lirë. “Për shkak të ndërhyrjeve të Bordit, çmimi i naftës në tregun vendas është të paktën 5% më i shtrenjtë sesa do të ishte nëse do të vendosej vetë nga tregu”, tha Shoqata. Sipas këtyre vlerësimeve, çmimi i naftës sot do të ishte 10-12lekë më pak për një litër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.