Borxhet e bashkive arritën në 54 mln euro më 2018, u ulën me 27%

25/04/2019 11:00 PM 0 komente

Stoku i detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor në fund të vitit 2018 shënoi rreth 6.8 miliardë lekë. Krahasuar me fundin e vitit 2017, stoku aktual rezulton të jetë ngushtuar me rreth 2.4 miliardë lekë, ose me rreth 26.9%.

Sipas të dhënave në lidhje me administrimin financiar të Bashkive të azhurnuara nga Co Plan kontributin kryesor në tkurrjen e detyrimeve të prapambetura e dhanë bashkitë Tiranë, Selenicë, Korçë dhe Përrenjas.
Në të kundërt, rreth 54.1% e bashkive (ose rreth 34 bashki) rezultojnë të kenë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2017.
Rritje e qenësishme vihet re në bashkitë Kamëz, Dibër, Bulqizë Mat, Mirditë, dhe Ura Vajgurore. Në nivel bashkie, rreth 68.3% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki.

Nivelin maksimal te detyrimeve të prapambetura e ka bashkia Tiranë me rreth 2.0 miliardë lekë, ose 29.5% ndaj stokut total në fund të vitit 2018. Bashkia Pogradec renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 417.4 milionë lekë, ose rreth 6.2% ndaj totalit.

Në të kundërt, bashkitë Këlcyrë dhe Shijak kanë stokun më të ulët të detyrimeve të prapambetura për periudhën e konsideruar.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ishte rreth 11.8 miliardë lekë, vlerë kjo shqetësuese si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror.

Shlyerja u këtyre detyrimeve, pjesërisht të krijuara nga ish-komunat që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të reformës administrative dhe territoriale përbën barrë të qenësishme për buxhetet vendore.
Në këtë kuadër, qeveria qendrore merr përsipër vetëm “shlyerjen e detyrimeve për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë. Të gjitha detyrimet e tjera financiare të njësive të qeverisjes vendore, që nuk përfshihen në sa më sipër, duhet të parashikohen në vetë buxhetet e njësive të qeverisjes vendore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of