Borxhi 1,1 trilionë lekë, 24% në financime projektesh, 60% në bono të tregtueshm

23/01/2020 12:00 PM 0 komente

Rreth 24 për qind e borxhit publik është hua që ka shkuar për financimin e projekteve, pjesa tjetër prej 60 % është në formën e instrumenteve të tregtueshme, 12,1 për qind është në formën e mbështetjes buxhetore dhe 3,9 për qind ka shkuar si borxh i garantuar kryesisht për kompanitë publike, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Në fund të shtatorit borxhi publik arriti në 1.1 trilionë lekë, ose mbi 9 miliardë euro. Kjo shifër ishte sa 63.3 për qind e PBB-së së projektuar për vitin 2019.

Sipas analizës së Ministrisë së Financave, 264 miliardë lekë nga borxhi total kanë shkuar në projekte dhe 600 miliardë lekë janë në instrumente të tregtueshme për financimin e borxhit të ri dhe rifinancimin e borxhit ekzistues, pjesa tjetër prej 176 miliardë lekësh ka shkuar si mbështetje buxhetore dhe borxh i garantuar.

Gjatë viteve të fundit, nga pikëpamja e kompozimit të borxhit shihet se është rritur pesha e instrumenteve të tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond) dhe huave në formën e mbështetjes buxhetore. Rritja e peshës së këtyre instrumenteve ka ardhur si rezultat i shfrytëzimit të kushteve të favorshme të tregjeve ndërkombëtare dhe shfrytëzimit të burimeve të favorshme të financimit të vendosura në dispozicion nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Burimi kryesor i huamarrjes vazhdon të mbetet tregu i brendshëm, megjithëse gjatë vitit 2018 ka pasur një rritje në drejtim të financimit të huaj si rezultat i emetimit të Eurobondit.

Gjatë viteve të fundit, ritmet e rritjes së borxhit në monedhë të huaj përgjithësisht kanë qenë në nivele të ngjashme me ritmet e rritjes së rezervës valutore. Ndërkohë, në raport me eksportet kanë qenë ndjeshëm më të larta, por duke shfaqur një përmirësim duke filluar nga viti 2016.

Jetëgjatësia e borxhit është rreth 2.1 vite dhe niveli i lartë i borxhit që rifinancohet në harkun kohor të një viti është mbi 300 milionë lekë.

Baza e kufizuar e investitorëve dhe përqendrimi i saj në më shumë se 60% tek sektori bankar dhe tregu jo plotësisht i zhvilluar i titujve shtetërorë, për shkak të mungesës së një tregu sekondar të mirëfilltë, e bëjnë të brishtë rifinancimin e borxhit të brendshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of