Borxhi dhe disiplina, a do të ndëshkohet Italia?!

21/06/2019 10:04 PM 0 komente

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Italisë, si pasojë e rritjes së borxhit të saj. Vendosja e një gjobe ndaj saj është shumë e vështirë, prandaj Komisioni Europian preferon kompromisin

 

Teksa një shtet e kalon situatën e vështirë në të cilën ndodhej, ndodh e kundërta për një shtet tjetër që përballet me të njëjtat probleme. Më 5 qershor, Komisioni Europian u shpreh se duke qenë se Spanja nuk po thyente më rregullat fiskale europiane, ndaj saj të mbyllej procedura e “deficitit të tepërt”, procedurë e cila kishte më shumë se një dekadë që vazhdonte, shkruan The Economist.

Por në të njëjtën kohë që Komisioni Europian mori një vendim të tillë ndaj Spanjës, ai nisi edhe një procedurë tjetër kundër Italisë. Nëse nuk arrihet në një kompromis, atëherë Italisë do t’i duhet të përballet me një goditje multi-miliardëshe. Shkaktari kryesor i këtij problemi për Italinë, është niveli i saj i lartë i borxhit publik. Në vitin 2018, ajo arriti në 132% të PBB-së, e dyta në Europë pas Greqisë. Rregullat e Bashkimit Europian kërkojnë që ky nivel kaq i lartë i borxhit të shënojë rënie sipas një ritmi të përcaktuar.

Por në vend të kësaj, për herë të parë në katër vjet, raporti i borxhit të Italisë shënoi rritje vitin e kaluar. Situata nuk do të ishte shoqëruar me masa kundrejt Italisë, nëse kjo e fundit do ta kishte bindur Komisionin Europian se kishte arsye të forta për ta bërë shkeljen në fjalë dhe nëse situata do të kishte rezultuar të ishte e përkohshme, gjë që nuk ndodhi.

Giovanni Tria, ministri italian i Financave, argumenton se recesioni në gjysmën e dytë të vitit 2018 është një prej arsyeve që ka çuar në situatën në fjalë. Ai tha gjithashtu se deri në fund të këtij viti, deficiti buxhetor do të shkojë në 2.2% të PBB-së, nivel edhe më i ulët nga ai prej 2.4%, i parashikuar fillimisht. Qeveria ka prezantuar nivele të reja të të ardhurave bazë dhe skema të reja sa i takon pensionit të parakohshëm, por deri më tani shumë pak qytetarë italianë kanë përfituar prej tyre. Këto masa, janë edhe disa prej tyre që duhet të kufizojnë rritjen e mëtejshme të raportit të borxhit dhe që kanë edhe ndikim pozitiv në Komisionin Europian.

Por në rastin e Italisë, KE-ja i frikësohet një tabloje fiskale edhe më të rëndë në 2020. Ajo pret që deficiti të thyejë kufirin prej 3% të përcaktuar në Paktin e Stabilitetit dhe të Rritjes së BE-së, që do të thotë se Italia do të shkelë jo vetëm rregullat e borxhit, por edhe të deficitit. Z. Tria thotë se kjo do të shmanget ose duke rritur taksën e vlerës së shtuar, ose nëpërmjet “masave alternative” që sjellin të ardhura ekuivalente. Brukseli është skeptik, sepse rritjet e TVSH-së janë shtyrë në të kaluarën dhe janë përjashtuar nga të dyja palët në koalicionin populist italian, Liga e Veriut dhe Lëvizja Pesë Yjet.

Politikanët, nga ana e tyre, po bëjnë shumë pak që situata të përmirësohet. I ekzaltuar nga suksesi i tij në zgjedhjet e fundit europiane, Matteo Salvini, kreu i Ligës së Veriut, dëshiron të rishkruajë vetë rregullat e BE-së, sesa të zbatojë ato që janë aktualisht. Ai është zotuar të zbatojë një taksë të sheshtë mbi të ardhurat, e cila do t’i kushtojë qeverisë shuma të larta të të ardhurave, në rast se zbatohet. Ndërkohë Luigi di Maio, i cili drejton Lëvizjen Pesë Yjet, dëshiron të themelojë një shtet të ri të mirëqenies sociale në Itali.

Më 3 qershor, Kryeministri teknokrat Giuseppe Conte, kërcënoi se do të jepte dorëheqjen nëse partitë nuk do të binin dakord mbi shpenzimet. Z. Salvini ka vendosur një afat prej dy javësh. Në këtë periudhë koalicioni duhet të arrijë një marrëveshje. Tani për tani, qeveria ka mjaftueshëm kohë në dispozicion. Situata padyshim e ka acaruar Komisionin Europian, por jo aq sa t’ia ezaurojë durimin. Një procedurë disiplinore formale fillon vetëm pasi Ministritë e Financave dhe krerët e shteteve anëtare japin miratimin dhe kjo nuk do të ndodhë përpara datës 20 qershor, kur krerët e BE-së do të takohen në një samit të Këshillit të Europës.

Liderët mund të kënaqen edhe nga lëshime të vogla, të ngjashme me ato të qeverisë italiane të vitit 2018. Por edhe në rast të një skenari të tillë ku nuk do të ketë fare lëshime, vendosja e një gjobe multi-miliarda euro ndaj Italisë duket larg për momentin. Edhe në rast se nis një procedurë zyrtare ndaj saj, Komisioni nuk mund ta gjobisë atë menjëherë, por përpara i kërkon asaj që të ndërmarrë hapa përmirësues. Vetëm në rast se Italia dështon dhe nuk plotëson edhe kërkesat e fundit të KE-së për përmirësim, atëherë ajo do të gjobitet. Në parim, masa ndëshkuese mund të shkojë deri në 0.2% e PBB-së, ose rreth 3.5 miliardë euro (4 miliardë dollarë amerikanë).

Por Brukseli, kurrë deri më tani, nuk ka gjobitur asnjë shtet që nuk ka thyer rregullat. Tregjet financiare, një prej burimeve kryesore dhe më efikase të disiplinës, nuk u ndikuan shumë nga raporti i Komisionit më 5 qershor. Ajo që ndikoi për keq në besimin e investitorëve ishte viti i parë i koalicionit në pushtet. Në fillim të vitit 2018, ekonomistët italianë theksojnë se qeveria mund të merrte hua, afërsisht me të njëjtën normë interesi si Spanja. Tani, norma e interesit sa i takon obligacioneve dhjetëvjeçare është rreth dy pikë përqindje më e lartë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of