Borxhi i brendshëm ndryshon sjellje në dhjetor, bien ditët e maturimit dhe ndalon ulja e interesave

06/03/2020 1:00 PM 0 komente

Afatet e maturimit të borxhit publik po shfaqin një sjelle sezonale gjatë muajit dhjetor, duke u zvogëluar në raport me muajt e tjerë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për shkak të përnderimit të financimit të deficitit buxhetor në muajin dhjetor, interesat e borxhit stopojnë rënien dhe gjithashtu borxhi bëhet më afatshkurtër. Në muajin dhjetor maturimi mesatar i borxhit të brendshëm ra në 780 ditë nga më shumë se 820 ditë që ishte në fillim të vjeshtës. Gjithashtu në tremujorin e fundit të vitit 2019 norma mesatare e interesit për borxhin e brendshëm qëndroi në nivele konstante në 3.5 për qind duke ndaluar rënien që u shfaq në pjesën parë të vitit.

Sipas grafikut të mëposhtëm shihet se rënia e afateve të maturimit të borxhit të brendshëm në çdo dhjetor është kthyer një sjellje sezonale.

Qeveria në muajt e parë të vitit ka më pak nevoja për të financuar deficitin buxhetor për shkak se zërat kryesore të shpenzimeve buxhetore si, investimet e kapitale dhe ato operative angazhohen në muajt e parë të vitit. Kjo sjellje reflekton një kërkesë më të ulët për të financuar deficitin buxhetor në pjesën e parë të vitit.  Edhe analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në pjesën e parë të vitit borxhi i brendshëm zakonisht ka afat me të gjatë maturimi dhe interesa më të ulëta, pasi bankat ofrojnë likuiditete më shumë se kërkesa e qeverise. Por kjo tendencë përmbyset në gjashtëmujorin e dytë dhe sidomos në muajt e fundit të vitit, ku qeveria nis të konsumojë rezervën e deficitit buxhetor dhe për pasojë kërkesa me e lartë ushtron presion tek normat e interesit dhe të afatet e maturimit.

Sakaq afati më i gjatë i maturimit të borxhit të brendshëm e ul rriskun e rifinancimit. Sa më larg në kohë të jetë e projektuar data e maturimit të një instrumenti, aq më i ulët është risku i ri-financimit.

Sipas të dhënave zyrtare 33.2 për qind e borxhit të brendshëm është në instrumenta afatshkurtër dhe 66,7 për qind e është në instrumenta afatgjatë. Borxhi afatshkurtër ka pësuar rënie që nga viti 2013 ku ai përbënte 50 për qind të borxhit të brendshëm.

Sa më i madh të jetë volumi i shumave që maturohen dhe sa më i afërt në kohë, aq më i lartë është risku i rifinancimit dhe anasjelltas. Risku i rifinancimit ndikohet nga niveli i borxhit ekzistues dhe profili i amortizimit. Rritja e maturitetit të borxhit dhe shpërndarja në kohë e maturimeve ndikon në reduktimin e riskut të rifinancimit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of