Borxhi i Jashtëm Bruto u zgjerua me 3.7% më 2020, efekti pozitiv i kursit të këmbimit 61 mln euro

25/03/2021 11:38 AM 0 komente

Stoku i Borxhit të jashtëm bruto të vendit (ku përfshihen të gjitha detyrimet e sektorit privat dhe publik ) u zgjerua me 3.7% gjatë vitit 2020 si rrjedhojë e rritjes së borxhit publik.

Por gjatë tremujorit të katërt, stoku i BJB-së u ngushtua me rreth 275.5 milionë euro, në reflektim të vlerës neto negative të transaksionit, prej –228.7 milionë euro dhe efektit negativ të kursit të këmbimit të euros ndaj valutave kryesore, në rreth –61.2 milionë euro

Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 48% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sektorëve të tjerë (35%), Sistemit Bankar (16%) dhe Autoritetit monetar (1%).

Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në fund të muajit dhjetor 2020, detyrimet e Qeverisë së Përgjithshme vlerësohen në 4,125 milionë euro dhe prezantohen vetëm në instrumente afatgjatë, të tilla si hua, obligacione dhe dëftesa. Referuar fundvitit 2019, teprica e borxhit të jashtëm të Qeverisë së Përgjithshme, në fund të dhjetorit 2020 vlerësohet e rritur me rreth 369 milionë euro.

Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve.

Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës Qendrore, shënon 55 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme gjatë vitit 2020. Detyrimet e Autoritetit Monetar përbëhen vetëm nga alokimet e SDR-së, pasi huatë afatgjata të akorduara nga FMN u shlyen gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Në fund të muajit dhjetor 2020, borxhi i jashtëm bruto i Sistemit Bankar shënon 1,364 milionë euro dhe konsiston kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht në 11% dhe 88% të totalit. Referuar fundvitit 2019, teprica e borxhit të jashtëm të këtij sektori vlerësohet rreth 58 milionë euro më e ulët.

Në të njëjtën kohë, niveli i borxhit të Sektorëve të Tjerë qëndroi në nivele konstante krahasuar me fundin e vitit 2019, dhe në fund të dhjetor 2020 shënon 3,010 milionë euro. Lëvizjet kryesore reflektojnë efektin e agreguar të zvogëlimit të detyrimeve në formën e “titujve të borxhit” (-42 milionë euro), zgjerim të “huave” (96 milionë euro) dhe rënie të huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – hua ndërkompani” (-59 milionë euro).

Përbërja e borxhit të jashtëm afatgjatë sipas instrumentit gjatë vitit 2020, tregon zgjerim të konsiderueshëm të tepricës në “investime portofoli” në formën e letrave me vlerë të borxhit. Huatë, si mjet financimi afatgjatë, vijojnë të kryesojnë detyrimet afatgjata, në masën 54% të totalit. Në maturitet afatshkurtër, instrumentet financiarë në formën e “investimeve direkte”, si dhe “kreditë tregtare dhe paradhëniet” zënë përkatësisht 28% dhe 48% të tepricës së borxhit afatshkurtër.

Gjatë tremujorit të katërt 2020, totali i të hyrave (tërheqjeve) ose fluksi i borxhit të ri, të gjeneruar nga aktiviteti huamarrës, shënon 119 milionë euro, nga të cilat 91 milionë euro i takojnë sektorit publik.

Shërbimi i borxhit të jashtëm (pagesat e principalit dhe të interesit) për periudhën, shënon 135 milionë euro. Nga këto, rreth 72 milionë euro janë pagesa të Qeverisë së Përgjithshme, 44 milionë euro të Sektorëve të Tjerë dhe 18 milionë euro të Sistemit Bankar.

Në masën 88%, shërbimi i borxhit ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 12% për shlyerjen e interesave. Qeveria e Përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit me rreth 62 milionë euro ose 52% të vlerës së përgjithshme të principalit si dhe në shlyerjen e pagesave të interesit për periudhën, me rreth 11 milionë euro ose 68% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of